Beratasit pa asnjë objektiv, trajneri Droboniku: Me Tomorin nuk ka marrëveshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 17:18

Beratasit pa asnjë objektiv, trajneri Droboniku: Me Tomorin nuk ka marrëveshje

Ndonëse ka zbritur në Kategorinë e Dytë, sërish Tomori ka fituar vëmendjen në javët e fundit të kampionatit. Kjo për shkak të ndeshjeve që luan në shtëpi ndaj skuadrave kundërshtare që luajnë për mbijetesë dhe i tremben qëndresës së skuadrës beratase.

Iken DOBRONIKU dhe zv.trajneri Lisjan Hadaj

Stafi aktual i beratasve është shprehur qartë, se Tomori deri në fund të kampionatit do të ketë një sjellje profesionale dhe nuk do të bëjë lëshime ndaj asnjë kundërshtari në “nevojë”, sikurse edhe rasti i Kastriotit këtë javë. Aktualisht, stafi teknik i Tomorit dhe futbollistët premtojnë ndershmëri. Madje, ata shkojnë edhe më tej kur thonë se, synojnë që ashtu si dy javë më parë kur fituan me Burrelin në shtëpi, do të kërkojnë që të përsërisin të njëjtin përfaqësim zyrtar dhe të marrin po të njëjtin rezultat.

Tekniku Iken Droboniku, për “Panorama Sport” e ka shprehur të enjten kështu qëndrimin zyrtar dhe objektivin për ndeshjen me Kastriotin. “Ne si staf e kemi bërë të njohur qëndrimin tonë që në momentin kur kemi marrë drejtimin e skuadrës. Do të mbetemi dinjitoz dhe profesional deri në fund të kampionatit. Kjo do të thotë se nuk shikojmë aspak interesat dhe nevojat e skuadrave kundërshtare, pavarësisht se janë disa prej tyre që kërkojnë të shmangin rënien direkt, apo t’i shpëtojnë ndeshjeve shtesë dhe një pjesë e tyre do të jenë të interesuara edhe për rezultatin e ndeshjes sonë. Për Tomorin përballja e radhës me Kastriotin, do të jetë një takim radhe, që do të kërkojmë ta fitojmë si një detyrim që kemi për tifozët dhe fanellën tonë. Po punojmë shumë këtë javë, për të arritur te maksimumi”, ka përfunduar Droboniku.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"