Tirana ‘peshkon’ në Zvicër, akord me ish-lojtarin e Bazelit për të blinduar mbrojtjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2018 | 23:21

Tirana ‘peshkon’ në Zvicër, akord me ish-lojtarin e Bazelit për të blinduar mbrojtjen

Tirana merr një kosovar për qendrën e mbrojtjes. Pasi siguruan shërbimet e Vincent Atingës, klubi ka gjetur lojtarin e radhës me të cilin mund të “blindojë” këtë repart. Bëhet fjalë për Alban Selmanajn, i cili ka dalë nga Bazeli dhe sezonin fundit e ka mbyllur te FC Shtoz (ekip që militon në ligat rajonale zvicerane). Ai është 21 vjeç dhe ka qenë pjesë e skuadrave të moshave helvete, duke filluar nga U-15 e deri tek U18, ndërsa gjatë kësaj kohe është aktivizuar edhe për Juve Zyrih dhe Kiason.

alban

Mësohet se mbrojtësi dje ka qenë në kryeqytet dhe është takuar me drejtuesit bardheblu për të folur më konkretisht për një kontratë të mundshme dhe nga momenti në moment mund të vendoset e ardhmja e tij.

Alban-Selmanaj.1

Kujtojmë që te Tirana pëlqehej edhe Sedat Berisha për këtë rol, por sikundër është shkruar, pengesë e madhe ishte pikërisht kontrata me Vllazninë. Klubi nuk mund të priste më shumë dhe për këtë motiv u vendos në kërkim të elementëve të tjerë dhe kanë “peshkuar” pikërisht futbollistin me origjinë nga Istogu.

MERKATO

Bardheblutë janë treguar të papërmbajtshëm në këtë merkato. Në një kohë që skuadrat e tjera, të cilat luajnë edhe në Europë, kanë mbetur ndjeshëm pas me afrimet, kryeqytetasit kanë hedhur hapa të rëndësishëm në ndërtimin e skuadrës për sezonin 2018- 2019. Veç rinovimeve në masë, klubi zyrtarisht ka prezantuar si blerje të reja Dejan Blazhevskin për sulmin, Imamin për linjën e majtë dhe Atingën për qendrën e mbrojtjes.

Megjithatë, ky është vetëm fillimi, pasi shumë pranë akordit janë me një mesfushor ganez Uinful Kobinah, po ashtu në plane për të njëjtin repart kanë edhe Edon Hasanin që është larguar nga Sepahani. Ende nuk është mbyllur asgjë, as me njërin e as me tjetrin, por nuk përjashtohet mundësia që prej së hënës, ndonjëri prej tyre të vihet nën urdhrat e Ze Marias.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"