“Tirana ka gjithmonë skuadër të fortë”, Emiliano Vila: Teuta do 3 pikët, për momentin mendojmë për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2021 | 18:27

“Tirana ka gjithmonë skuadër të fortë”, Emiliano Vila: Teuta do 3 pikët, për momentin mendojmë për…

Dy fitoret radhazi kanë rikthyer buzëqeshjen te Teuta. Mesfushori i Teutës, Emiliano Vila, u shpreh tepër i lumtur për fitoren që skuadra e tij arriti në shtëpi ndaj Skënderbeut. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Vila u shpreh se Teuta ndeshjet i vlerëson njësoj, s’ka rëndësi ndaj kujt luan. Ai flet dhe për përballjen ndaj Tiranës, Vila do ishte i lumtur që të fitonte ndaj bardhebluve dhe të vazhdojë ecurinë pozitive.
Emiljano Vila
Dy fitore radhazi, jeni më të qetë tashmë?
Sigurisht që pikët shërbejnë për të rritur besimin e ekipit, kemi arritur të marrim dy fitore. Kemi marrë pikët maksimale, gjë që na jep besim për vazhdimësinë dhe ndihmon për moralin e ekipit. Për sa i përket lojës nuk kemi qenë në maksimumin tonë, por rëndësi ka që kemi marrë pikët maksimale.

Është fitorja ndaj Skënderbeut barometër për Teutën apo sipas jush skuadra do ta tregojë veten edhe ndaj ekipeve më të forta?
Çdo fitore me këdo kundërshtar është maksimumi sepse unë mendoj që në kampionatin shqiptar është vërtetuar që s’ka ekipe të dobëta apo ekipe të forta dhe çdo ekip ka mundësinë t’i marrë pikë kujtdo kundërshtari. Mendoj që Skënderbeu pavarësisht se ka një ekip me djem të rinj luan mjaft mirë futboll dhe të hap probleme, kështu që si tri pikë ndaj Skënderbeut, por dhe ndaj çdo kundërshtari tjetër janë të njëjta. Unë mendoj që është pozitive të marrësh fitoren. S’ka rëndësi kundër kujt ekipi luan, çdo skuadër është për t’u vlerësuar.

Si e shikoni gjendjen e skuadrës para kësaj sfide?
Gjendja fizike e lojtarëve në prag të kësaj sfide paraqitet optimale. Grupi po funksionon mirë. Po punojmë mirë në të gjitha aspektet. Kemi konsideratë për Tiranën. Ne na duhet të jemi në kondicionin më të mirë të mundshëm. Duhet të shprehim potencialin në fushën e lojës, ndryshe do ta humbim këtë sfidë.
Teuta-Tirana
Përballë keni Tiranën, si e parashikon Vila këtë duel?
Mendoj që gjatë kësaj jave kjo do të jetë ndeshja më e vështirë, por dhe njëkohësisht më e rëndësishmja mund të them, pasi luajmë ndaj një kundërshtari të mirë, dhe duhet të marrim tri pikë. Kjo për të siguruar sa më shumë pikë në këtë fazë të kampionatit, pasi dihet që gara sa vjen e bëhet më e fortë dhe ndoshta ndonjë gabim gjatë këtyre javëve mund të na kushtojë. Më e rëndësishmja është që të shtunën të marrim tri pikët.
tirana kukesi
Fakti që Tirana vjen pas humbjes, a e bën të vështirë ndeshjen?
Nuk besoj sa ka shumë lidhje kjo pjesë. Tirana gjithmonë ka qenë një skuadër e fortë, jo vetëm tani që ka luhatje. Është një ndeshje e mirë për futbollin shqiptar. Vetë situata në të cilën ndodhemi, na bën optimist.

A mendoni se do të keni vazhdimësi pozitive ndaj Tiranës?
Vazhdimësia është e vështirë në futboll. Ajo është shumë e rëndësishme, prandaj ne gjithmonë flasim që t’i marrim ndeshjet një nga një. Kështu mund të ruajmë performancën dhe rezultatet pozitive në të njëjtën kohë. Për fat të mirë, deri tani gjërat kanë shkuar si duhet dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu.
TEUTA SKENDERBEU
Ku e mendoni se mund ta përfundojë Teuta këtë sezon?
Për momentin, ne mendojmë vetëm Tiranën. Po punojmë të gjithë që të sigurojmë tri pikët në ketë ndeshje. Vetëm kaq.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"