Teuta nuk dorëzohet për trofetë, Çyrbja: Synime edhe në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2019 | 16:51

Teuta nuk dorëzohet për trofetë, Çyrbja: Synime edhe në Kupë

Teuta doli me pikë edhe nga përballja e fundit me Tiranën. Pas saj, mesfushori Arbër Çyrbja, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, analizon barazimin e të shtunës.

cYRBJA

Krahas sfidës me bardheblutë, paralajmëron se ndaj Luftëtarit do të bëjnë çmos të arkivojnë 3 pikë.

A mbetët të kënaqur me barazimin ndaj Tiranës?

Kishim shumë raste për të shënuar dhe mendoj se meritonim të fitonim ndeshjen, por edhe fati nuk ishte në krahun tonë. Ishin 10 lojtarë që na mohuan golin, pasi u tërhoqën duke u mbrojtur. Gjithsesi, duhet të shohim përpara, pasi ka ende dhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar.

A u futët në tension, pasi u ndëshkuat që në pjesën e parë?

Presion? Jo, por e filluam ndeshjen mirë dhe kishim mundësi të kalonim në epërsi. Më tej, në momentin tonë më të mirë, kundërshtari na shënoi me gjuajtjen e parë në portë. Në tërësi më pëlqeu loja e ekipit tim, pasi e morëm veten, treguam karakter duke arritur të shënonim. Krijuam raste të shumta edhe për ta përmbysur ndeshjen, por Tirana është ekip i fortë dhe u mbrojt mjaft mirë, duke mos lënë hapësira prapa.

Ndeshja e radhës është me Luftëtarin. Çfarë prisni në atë sfidë?

Ndaj Luftëtarit duhet të jemi shumë seriozë dhe të mos i lejojmë vetes asnjë gabim. Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar, pavarësisht renditjes që ka. Ne do të shkojmë në Gjirokastër me synimin për tri pikë, pa harruar se këto janë ndeshjet më të vështira për t’u fituar.

Teuta merr pikë me të mëdhatë, por lëshon me “të voglat”, njësoj si një vit më parë. Sa ju tremb ky fakt?

Nuk i trembemi, pasi unë mendoj se kemi mësuar shumë nga sezoni i kaluar, sidomos nga gabimet tona ndaj skuadrave të ashtuquajtura të vogla. Ne e dimë që kampionati fitohet me ekipet e mëdha, por as ato që thuhet se janë të vogla, nuk duhet t’i nënvlerësojmë kurrsesi.

A ju bind realisht kjo Teutë?

Teuta nuk duhet të diskutojë asnjë skuadër. Fillimisht duhet të sigurojë sa më shumë pikë dhe pastaj të mendojë, pse jo, edhe për gjëra të mëdha në Superiore. Gjithsesi, s’duhet të neglizhojmë as Kupën e Shqipërisë, pasi me kontigjentin që kemi, do t’ia dalim.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"