Tetova: Egnatia e ka lënë pas ngërçin, vetëm për fitore me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 11:42

Tetova: Egnatia e ka lënë pas ngërçin, vetëm për fitore me Kukësin

Egnatia luan sot, në orën 15:00, një ndeshje delikate me Kukësin, në kuadër të javës së 29-të të kampionatit. Rrogozhinasit synojnë të rikthehen te fitorja pas 7 takimesh dhe e kanë vlerësuar kundërshtarin, që mban vendin e fundit por që vjen nga fitorja me Vllazninë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, trajneri Edlir Tetova theksoi se objektivi i vetëm janë 3 pikët.

edlir tetova

Tetova, luani me Kukësin e vendit të fundit. Çfarë prisni nga ky duel?

Do të jetë e vështirë, edhe pse luhet për objektiva të ndryshëm. Kukësi ka bërë mirë javët e fundit dhe i kushtëzuar nga renditja synon pikë mbijetese. Kemi pasur kohën e nevojshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje dhe do të futemi në fushë vetëm për 3 pikët. Skuadra gëzon një formë fizike të kënaqshme dhe një fitore në këtë moment do të na jepte qetësi për ndeshjet e mbetura.

I druheni faktit se Kukësi ka mundur se fundmi Partizanin dhe Vllazninë?

Fakti që Kukësi ka mundur Vllazninë dhe Partizanin nuk na tremb aspak, përkundrazi ky është një motiv për të punuar intensivisht. Impenjimi ynë është gjithmonë maksimal kundrejt çdo kundërshtari. Jemi koshientë që diferencat në futbollin shqiptar janë të vogla aq sa shpesh janë episodet që vendosin. Dua që lojtarët të jenë të vëmendshëm për të menaxhuar si duhet momentet delikate që ofron një 90-minutësh.

Sa ju ka vlejtur kjo pauzë e kampionatit?

Na duhej kjo frymëmarrje, erdhi në momentin e duhur për Egantian. Nuk po kalonin një moment të mirë dhe pauza më vlejti për të analizuar dhe rregulluar ato problematika që kemi shfaqur. Mendoj që e kemi lënë pas krahëve atë ngërç psikologjik që vjen nga rezultatet. Ajo që ka kaluar nuk kthehet pas, por duhet të kishim më shumë pikë me atë që kemi treguar në fushë. Fati nuk ka qenë me ne. Është momenti për të parë përpara. Luajmë në dy fronte dhe kjo na bën të jemi vigjilentë në çdo moment.

Si është situata me lojtarët e ardhur në merkaton e janarit?

Pauza u ka vlejtur futbollistëve të ardhur në merkaton e janarit, kanë pasur shansin të inkuadrohen më shumë me pjesën tjetër të ekipit. Jam i kënaqur me progresin e tyre dhe i bindur se do të na ndihmojë të arrijmë objektivat. Pritshmëritë janë të mëdha, pasi e shohim çdo ditë potencialin që kanë. Për mua rëndësi ka që ata gëzojnë një formë të mirë fizike dhe kanë dëshirë të kontribuojnë në çdo moment.

Si ndihesh, kur shikon që Egnatia kishte më shumë lojtarë të thirrur me kombëtaret?

Jemi të lumtur kur shohim që lojtarët e ekipit tonë luajnë me përfaqësueset e tyre. Është një reklamë e mirë për klubin dhe një mesazh për të gjithë futbollistët se me punë arrihet çdo gjë. Egnatia ka edhe lojtarë të tjerë, të cilët mund t’i shohim së shpejti me kombëtaret. Sherri ashtu edhe Dylis janë jo vetëm lojtarë me kualitet, por edhe djem të shkëlqyer.

Drejtuesit synojnë të dy trofetë, a është gati ekipi për të tentuar Kupën dhe titullin?

Ne i dimë kapacitetet tona, e dimë ku mund të arrijmë. I marrim ndeshjet një e nga një dhe momentalisht jemi në garë për të dy trofetë. Përpara kemi një malore për të ngjitur dhe momentalisht fokusi është te sfida me Kukësin, që shpresoj ta kalojmë me sukses. Presidenti Agim Demrozi ka investuar prej vitesh, duke krijuar një ekip që synon trofetë.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"