BASKETBOLL FEMRA/ Tirana thyen sërish Flamurtarin, titulli me nuanca bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2024 | 8:54

BASKETBOLL FEMRA/ Tirana thyen sërish Flamurtarin, titulli me nuanca bardheblu

Falë një tjetër para qitjeje të shkëlqyer, Tirana afrohet edhe më shumë me titullin kampion në basketbollin e femrave. Pasi kishin fituar finalen e parë në transfertë, kryeqytetaset triumfuan edhe në shtëpi kundër Flamurtarit në takimin e dytë të zhvilluar dje në sallën “Feti Borova”. Vajzat bardheblu fituan me rezultatin 60-53, në një takim që të udhëhequr gjatë të gjithë kohës, për t’i bërë ballë në fund edhe ofensivës së vlonjate gjatë periodës së katërt.

tirana flamurtari basket

NDESHJA – Perioda e parë dhuroi rivalitet në parket, ndërsa Tirana kishte një epërsi të lehtë në pjesën më të madhe të kohës, për ta fituar 10-minutëshin minimalisht me rezultatin 15-14. Në çerekun e dytë vajzat bardheblu nisin të shkëputen gradualisht, pasi luajnë më mirë. Kështu Tirana e fiton këtë fraksion 22-14, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 37-28 në shifra të përgjithshme. Në periodën e tretë të dyja skuadrat kanë ritëm shumë të dobët në fazën sulmuese.

Megjithatë Tirana arrin ta ruajë diferencën, teka e fiton periodën 8-6, me rezultatin që shënon 45-34 për vendëset pas 30 minutash lojë. Flamurtari nuk pajtohet me humbjen dhe provon për gjithçka në periodën e katërt, teksa vajzat e trajnerit Agim Dalipi afrohen deri në 5 pikë në çastet finale, por pa mundur që të kompletojnë përmbysjen. Në fund ka festë sërish për Tiranën, që hedh hapin e dytë në drejtim të titullit kampion. Morina Bojka me 23 pikë e 9 kërcime dhe Enisa Qosja me 14 pikë e 8 kërcime bënë diferencën në suksesin e Tiranës. Për Flamurtarin nuk mjaftoi Asia Henderson, MVP me 21 pikë dhe 15 kërcime. 21 pikë regjistroi edhe Karon Williams, ndërsa vetëm 10 pikë erdhën nga lojtarët shqiptare, 6 nga Artemida Myrto dhe 4 nga Tea Memushi, ndërkohë që asnjë pikë nuk erdhi nga lojtaret e stolit për vlonjatet.

Tashmë do të jetë radha për finalen e tretë më 30 prill në Vlorë, me Flamurtarin që ka në dispozicion shansin e fundit për të mbajtur gjallë shpresat për titullin, ndërsa Tirana do të kërkojë ta mbyllë serinë që në qytetin bregdetar, për të ngritur lart trofeun.

Mirza Alibegaj: Bravo vajzave, ruajtën fokusin

Tirana fitoi finalen e dytë kundër Flamurtarit, por trajnerja kërkoi që t’i mbajë vajzat bardheblu me këmbë në tokë: “Në finale, hap i vështirë është në çdo takim si këtu në Tiranë, si në Vlorë. Ne kemi bërë një fillim të mirë, por nuk e kemi mbaruar ende punën. Ajo që më pëlqeu nga skuadra në këtë finale është se nuk e humbëm fokusin, siç na ndodhi në periodën e tretë në Vlorë. Vajzat e ruajtën përqendrimin deri në fund”, u shpreh fillimisht Alibegaj, teksa më tej foli edhe për dëmtimin e Maggie Justinak:

“Patjetër që ndikon, sepse është një lojtare që e ndihmon ekipin, por ne kemi një fat të keq gjatë këtyre 2-3 viteve në ‘play off’, pasi gjithnjë na dëmtohen lojtare. Megjithatë, vajzat e kanë kthyer dhimbjen në forcë duke e plotësuar boshllëkun e dëmtimit”, u shpreh trajnerja e Tiranës, e cila në fund theksoi se nuk ka rëndësi nëse trofeu do të ngrihet në ndeshjen e radhës në Vlorë, apo në kryeqytet: “Ne kemi dëshirë të fitojmë të gjitha ndeshjet që na dalin përpara. Pak rëndësi ka nëse e fitojmë titullin në Tiranë apo në Vlorë, por nëse është për t’u ngritur në Vlorë le të ngremë atje”, përfundoi Alibegaj në prononcimin e saj për “RTSH”-në.

sked

play off

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"