Rrotacion te Korabi, Kumbarçe tregon planin e dibranëve. Ndreu: Kastrioti e mbyll në vendin e shtatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2024 | 12:28

Rrotacion te Korabi, Kumbarçe tregon planin e dibranëve. Ndreu: Kastrioti e mbyll në vendin e shtatë

Kastrioti i Krujës pas shumë luhatjesh gjatë rrugëtimit në kampionat pret që sot në orën 16:00 në sfidën kundër Korabit në stadiumin “Redi  Maloku” të Fushë- Krujës të vulosë qëndrimin në Kategorinë e Parë.

korabi kastriotii

Deri para tri javësh krutanët ishin nën “ethet” e rrezikut të rënies nga kategoria, por tashmë janë pozicionuar në vendin e shtatë me 36 pikë të grumbulluara, me nëntë fitore, nëntë barazime dhe 18 humbje. Hap pas hapi krutanët i ndjek Lushnja dhe Burreli me 34 pikë. Mirëpo, krutanëve u mjafton edhe një pikë kundër Korabit, për faktin se me dy ekipet që e ndjekin. Burreli dhe Lushnja, krutanët janë të favorizuar në ndeshjet direkt mes tyre. Kështu që për të eliminuar çdo të papritur, kundër Korabit ata do të kërkojnë me çdo kusht tri pikët.

Pasi kanë arritur një barazim në Lushnjë, jo pa vështirësi të shtunën e kaluar, tani përballë tifozërisë së tyre duan të marrin tri pikë ndaj dibranëve në Fushë Krujë. Për këtë, sikurse mësohet, trajneri Ndreu pritet të aktivizojë të gjithë titullarët. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ai tha se barazimi i arritur në transfertën lushnjare ishte i merituar dhe se tani ndihen të qetë psikologjikisht sa i përket “play out”-it. “Përballë tifozërisë sonë kërkojmë t’i bëjmë një mbyllje me fitore ndaj Korabit. Të gjithë titullarët janë të gatshëm dhe kam besim se do të arrijmë objektivin e vendosur së fundi, vendin e shtatë të klasifikimit”, u shpreh trajneri Ramadan Ndreu.

Rrotacion te Korabi, Kumbarçe tregon planin e dibranëve

Korabi e ka siguruar me kohë vendin e gjashtë që të dërgon në “play off” dhe prej ditësh dibranët janë përqendruar më së shumti te sfidat e kësaj faze. Ndërsa sot Korabi e mbyll sezonin e rregullt në transfertë kundër Kastriotit. Pritet që Flamurtari të jetë kundërshtari i Korabit në “play off”, takim i cili sipas skemës i bie të lihet në Vlorë. Në prag të duelit të sotëm me Kastriotin dhe fazën “play off” për “Panorama Sport” trajneri Shpend Kumbarçe u shpreh:

“Korabi është i përqendruar më se shumti te ‘play off’-i, ku na pret një sfidë shumë e vështirë me Flamurtarin në Vlorë. Por më parë kemi ndeshjen me Kastriotin dhe e kemi vlerësuar kundërshtarin. Gjithsesi, kemi vendosur të mos aktivizojmë të gjithë titullarët për t’i ruajtur të freskët e pa dëmtime për anti-Flamurtarin. Do të shohim gjendjen e lojtarëve dhe të vendosim për formacionin kundër Kastriotit. E thashë edhe më lart, Korabi është i fokusuar te ndeshja me Flamurtarin, por kjo nuk do të thotë se ne do të nënvlerësojmë Kastriotin”.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"