Trajneri Bubeqi: Besa mendon për shpëtimin në ndeshjen shtesë, ja çfarë pres ndaj vlonjatëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2024 | 13:00

Trajneri Bubeqi: Besa mendon për shpëtimin në ndeshjen shtesë, ja çfarë pres ndaj vlonjatëve

Verdhezinjtë do të luajnë sot në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës, ora 16:00, ndeshjen e fundit të këtij sezoni, që e themi pa frikë, ishte një kampionat i dështuar. Në javën e shkuar kavajasit e drejtuar nga trajneri Bubeqi arrirën që shmangin rënien direkte nga kategoria.

TRAJNERI I BESES, DORJAN BUBEQI

Besa do të presë Flamurtarin, por kjo përballje për verdhezinjtë nuk ka asnjë vlerë për sa i përket objektivave. Tashmë gjithçka është sqaruar dhe Besa do të presë kundërshtarin e së Dytës në “play out”, ku do të diskutohet përfundimisht mbijetesa. Në këto kushte, për trajnerin Dorjan Bubeqi sfida me vlonjatët do të jetë një përballje në shërbim të ndeshjes së “play out”-it. “Fati ynë tashmë është vendosur dhe çfarëdo lloj rezultati kundër Flamurtarit nuk ka asnjë ndikim në llogaritje.

Gjithsesi, ne do të kërkojmë fitoren, sigurisht pa rrezikuar që të dëmtohemi apo ndëshkohemi në prag të ndeshjes shtesë. Krahas titullarëve do t’u jap shansin edhe disa futbollistëve, të cilët kanë pasur pak hapësira. Mua më intereson që në takimin shtesë ta kem grupin e plotë pa mungesa”, tha trajneri Bubeqi që mungoi në dy takimet e fundit në krye të Besës për shkak dënimi nga Disiplina dhe ekipi u drejtua nga kosovari Fidaim Haxhiu.

Nuk dihet çfarë do të vendosë Komisioni i Disiplinës në lidhje me prezencën e tij në stol, pasi e ka kryer gjysmën e dënimit. Në seancën stërvitore të së martës, Besa ishte me grup të plotë dhe kudo flitej vetëm për “play out”-in dhe se cili do jetë rivali i tyre.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"