Beqja: Asnjë nënvlerësim Erzenit, Teuta nuk mund të gabojë tani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2024 | 10:56

Beqja: Asnjë nënvlerësim Erzenit, Teuta nuk mund të gabojë tani

Para ndeshjes së sotme me Erzenin, që luhet në “Arena e Demave” në kryeqytet, në orën 16:00, ka folur për “Panorama Sport” zëvendëskapiteni i Teutës, Ledio Beqja. Ai ka theksuar se skuadra durrsake synon fitoren e tretë radhazi për të vazhduar ngjitjen në tabelën e klasifikimit.Beqja

Beqja, pas fitoreve të fundit, si e pret Teuta ndeshjen e radhës me Erzenin?

Normalisht, jemi të kënaqur. Vijmë pas fitores me Egnatian, që është një skuadër me shumë kualitet. Këto ndeshje kanë gjithmonë presion dhe tension. Jam i kënaqur për mënyrën se si e menaxhuam ndeshjen dhe sigurisht me rezultatin që arritëm. Para Erzenit skuadra është në gjendje optimale. Jemi stërvitur mirë këto dy ditë dhe grupin e kemi të plotë. Nuk kemi dëmtime apo pezullime, kështu që do të kërkojmë 3- pikëshin e radhës.

Sa e vështirë do jetë kjo ndeshje, ndaj një kundërshtari që ka rënë nga kategoria?

Do të jetë e vështirë, sepse pak rëndësi ka pozicioni në renditje i Erzenit. Do na duhet të bëjmë një sforco më të madhe të gjithë për të mos gabuar në këtë 90-minutësh. Qëllimi ynë është me fitoret radhazi në kampionat, sepse të mos harrojmë se kemi 3 fitore dhe 1 barazim në javët e fundit. Duhet të jemi të fokusuar tek Erzeni për të lënë vendin ku jemi në tabelë.

Teuta nga ndeshja në ndeshje po vjen në rritje dhe rezultatet e fundit duket se nuk janë rastësi…?

Kemi pasur oshilacione në disa momente, por kemi fituar personalitet si skuadër dhe ekuilibër. Nuk kemi më luhatje të mëdha brenda ndeshjes. Jemi skuadër e re dhe duhet kohë që të automatizohemi. Të ndërtosh një skuadër fituese, sigurisht që do kohën e vet. Këto javët e fundit duhet të jemi me “këmbë në tokë”.

Dy ndeshjet e fundit marrin një rëndësi të veçantë për Teutën, që i është larguar fundit?

Kemi marrë një fitore të rëndësishme ndaj kryesuesve, por asgjë nuk ka përfunduar. Na presin dy ndeshje shumë të vështira, që duhet t’i marrim me radhë. Vetëm kur matematikisht të jemi të sigurt, atëherë do të flasim për arritje të objektivit. Kemi akoma punë për të bërë dhe na duhet të kemi kujdes, pasi çdo ekip kërkon pikë.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"