“Duhet të kesh personalitet të fortë”, Mehmeti i bindur: Dinamo do të ringrihet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2024 | 9:16

“Duhet të kesh personalitet të fortë”, Mehmeti i bindur: Dinamo do të ringrihet

Për Dinamon gjithçka është e hapur sa i takon “Final 4”. Blutë luajnë sot në Elbasan, në orën 18:00, kundër Laçit. Pas humbjes në derbin me Partizanin, 3-pikëshi është detyrim për skuadrën e Mehmetit, nëse do që të luajë shanset e saj mes 4 më të mirëve pas javës së 36- të të kampionatit.

MEHMETI

Kryeqytetasit vijnë në këtë ndeshje pa mesfushorin Gudiabi dhe sulmuesin Tahiri, por në anën tjetër gjejnë gjithashtu një ekip me mungesa të rëndësishme titullarësh. Me një fitore të mundshme sot ndaj Laçit, Dinamo mund të shkëputet nga Tirana rivale, që të dielën luan derbin me Partizanin.

MEHMETI – Përpara se të fliste për ndeshjen e sotme, trajneri Dritan Mahmeti komentoi humbjen në derbi: “Vijmë pas disfatës në derbin me Partizani. Kemi bërë analizën për atë ndeshje dhe duhet të pranojmë verdiktet e derbit, që nuk arritëm ta interpretojmë si duhet, sidomos në aspektin psikologjik. E kemi thënë shpesh që skuadra është e re dhe do kohën e vet. Që të bësh atë hapin e madh, duhet të jesh i qetë dhe duhet të përballosh beteja të tilla”.

LAÇI – “Kemi punuar gjatë javës që të ringrihemi dhe të shikojmë përpara, sidomos ndeshjen e radhës. Kemi një kundërshtar që të imponon respekt dhe do të bëjmë maksimumin. Ka ardhur fundi dhe duhet të jemi më racionalë dhe konçizë. Përveç Gudiabit, kemi edhe mungesën e Tahirit, që ka pasur probleme me kaviljen. Shpresojmë të rikuperohet sa më shpejt, sepse na ka ndihmuar javët e fundit.

Laçi me mungesa? Pavarësisht kësaj, mendoj se është një ndeshje që duhet menaxhuar në aspektin psikologjik. Duhet të kesh personalitet të fortë. Kur të dyja skuadrat kërkojnë pikët, tensioni është ai që i bën emocionet frenuese dhe duhet të jemi të qetë. Me entuziazëm duhet të bëjmë lojën tonë, duke kërkuar maksimumin. Jemi të barabartë te mungesat. Laçi ka elementë të mirë, sidomos disa të rinj. Statistikat janë statistika, këtë herë është histori tjetër. Duhet të jemi të përqendruar, me mentalitet fituesi”, ka shtuar trajneri i Dinamos. “

FINAL 4” – “Ne duhet të japim gjithçka, pa menduar për ekipet e tjera. Të reflektojmë dhe të përmirësohemi. Në futboll nuk ka detyrim, futemi për më të mirën. Nëse kërkojmë diçka me ngut, nxitimi të çon në gabim. Duhet të jemi të qetë dhe agresivë. Siç i kemi shanset për në “Final 4”, është edhe rreziku për të rënë në renditje, sepse kampionati është i paparashikueshëm. Skuadrat nuk kanë shumë diferenca dhe kalendari është i vështirë, për të qenë korrektë. Nëse nuk i marrim ndeshjet javë pas jave, do të bëjmë gabim. Të përqendrohemi te Laçi. Nëse do të isha në krye të skuadrës që në fillim? Besoj se do të kishim 4-5 pikë më shumë. Statistikat e fazës së dytë dhe të tretë kanë treguar se kemi marrë më shumë pikë. Do të ishim më komodë në renditje sot”, ka theksuar trajneri i bluve.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"