Të drejtat e futbollistëve, Sindikata Profesioniste seminar me FIFPro, KAS-in dhe homologët nga Kosova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2020 | 23:00

Të drejtat e futbollistëve, Sindikata Profesioniste seminar me FIFPro, KAS-in dhe homologët nga Kosova

Ditën e sotme u mbajt seminari ndërkombëtar për rregullimin e marrëdhënieve kontraktuale të futbollistëve, ku morën pjesë kreu i Sindikatës së Futbollit Shqiptar Andi Lila, ai i Kosovës Visar Zogiani, gjyqtari i KAS-it Efraim Barak dhe drejtori juridik i Shoqatës Botërore të Futbollistëve FIFPro Roi Vermer.
sindikataaaa

Dy kryetarët Lila dhe Zogani ranë dakord për të intensifikuar bashkëpunimin midis tyre për të përmirësuar kushtet e mbrojtjes së të drejtave të futbollistëve në të dyja vendet.

Njoftimi i Sindikatës Profesioniste të Futbollistëve Shqiptarë:
Sot u organizua ëebinar-i ndërkombëtar me temën ‘Rregullimi dhe mirëmbajtja e stabilitetit kontraktual, të drejtat e lojtarëve, roli dhe rruga për në FIFPro’, në të cilin morën pjesë kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve në Kosovë z.Visar Zogiani (organizator), gjyqtarë të CAS z.Efraim Barak, Drejtori Juridik i FIFPro z.Roy Vermeer, Presidenti i Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptar z. Andi Lila, futbollistë,manaxherë futbolli etj.

Diskutimet ishin të fokusuara kryesisht në të drejtat kontraktuale të futbollistëve, në frymën dhe qasjen që ndjek FIFPro me vendet anëtare dhe ato aplikante. Në seksionin e mbylljes, iu dha e drejta edhe pjesëmarrësve që të prezantojnë situaten aktuale të Futbollit në vendet respektive, ku në fjalen e tij, drejtuesi i Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptar i njohu të pranishmit në detaje me problemet që kanë futbollistët shqiptar. Një rëndësi iu dha problematikave kontraktuale të futbollistëve me klubet (pagesat e parealizuara, sigurimet e papaguara, kushtet shtrënguese kontraktore ndaj lojtarëve), arbitraritetin e Federatës Shqiptare të Futbollit në raport me futbollistët dhe bojkotin e Superligës, mospranimin e kontratës kolektive mes Sindikatës dhe Federatës dhe një sërë  çështjesh ligjore që kërkojnë ndërhyrje të specializuar për të realizuar maksimalisht interesat e futbollistëve.

Një pjesë e rëndësishme e organizmit ishte edhe dakortësimi i Z. Andi Lila në cilësinë e Presidentit të Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptar me homologun e tij Z. Visar Zogiani Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve në Kosovë, ku në thelb të tij palët konkorduan për të shtuar bashkëpunimin ndërmjet dy organizatave në Shqipëri dhe Kosovë, në interes të zhvillimit të dyanshëm të sportit të futbollit nëpërmjet mbrojtjes së interesit më të lartë të futbollistëve shqiptar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"