Tare: Në Itali ka 1400 lojtarë shqiptarë, FSHF t’i ndjekë. E vështirë të dëgjoj himnin e Kosovës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2017 | 18:19

Tare: Në Itali ka 1400 lojtarë shqiptarë, FSHF t’i ndjekë. E vështirë të dëgjoj himnin e Kosovës

Igli Tare ka dhënë një intervistë mjaft interesante për emisionin “2 me 1” të televizionit “RTV 21”, ku ka folur për tema të ndryshme nga karriera e tij si futbollist e deri tani ku mban një rol ndryshe. Duke konfirmuar dëshirën për të drejtuar Kombëtaren shqiptare në të ardhmen, Tare i ka bërë thirrje FSHF-së që të monitorojë me kujdes Italinë, ku janë në aktivitet rreth 1400 futbollistë shqiptarë. Ndërkaq, ai ka përsëritur edhe idenë se parapëlqen që të ketë vetëm një Kombëtare të madhe.

igli tare

Për afrimin e futbollistëve me origjinë kosovare te Lacio

“Vërteton atë faktin që ne të Shqipërisë nuk e kemi me të Kosovës, ne i duam më tepër kosovarët. Është kënaqësi për mua fakti që shumë lojtarë shqiptarë mund të kenë mundësinë të luajnë, të jenë pjesë e një skuadre të madhe si Lacio”.

Për brezin që kujton më me nostalgji në Kombëtare

“Po të kthehesha në kohë, do ta shikoja shumë mirë veten me kombëtaren e Hafizit. Kemi qenë një grup për fat të keq me shumë talent po pa atë eksperiencën e duhur për të përballuar evenimente të rëndësishme, siç ishin kualifikimet e Botërorit apo Europianit sepse na mungonte eksperienca, infrastruktura, gjithçka. Bënim pjesë për fat të mirë në një grup me shumë talent, por për fat të keq që nuk dinim ta menaxhonim atë talentin e madh që kishim për të arritur rezultate të mëdha”.

Për veçantinë e ndeshjes Shqipëri-Greqi

“Ajo është ndeshja më unike e gjithë kombit shqiptar. Fakti që Greqia e fitoi Europianin, e ekzaltoi më tepër atë ndeshje dhe rëndësinë e saj. Por emocionet përpara ndeshjes, vajtja në stadium, me qindra-mijëra tifozë që e përcillnin skuadrën dhe presioni i madh që kishim para dhe gjatë ndeshjes sepse dinim që gjithë tifozeria jonë priste vetëm fitoren dhe asgjë tjetër, ishte një pengesë shumë e madhe për ne. Dhe gëzimi pas asaj fitoreje ishte i paimagjinueshëm, i papërshkrueshëm. Në historinë e kombëtares shqiptare besoj se është dita me bukur për futbollin shqiptar”.

Për situatën aktuale të Kombëtares shqiptare

“Fakti që Shqipëria e përfaqësoi futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare në një eveniment shumë të rëndësishëm si Europiani është shumë pozitiv për futbollin shqiptar dhe për kombin shqiptar. Por ajo që është më e vështirë, vjen tani, sepse i duhet dhënë vazhdimësi asaj që u bë në vitet e fundit.

Vështirësitë do të jenë jo të vogla, të mëdha. Duhet të jenë të gjithë komponentët të bashkuar për t’i dhënë vazhdimësi asaj gjëje të mirë që u arrit për herë të parë në historinë e futbollit tonë”.

Për deklaratën rreth stolit të Kombëtares shqiptare

“Nuk është aspiratë, është dëshirë. E kam shprehur gjithmonë, nuk e kam fshehur sepse nuk jam vetëm unë por të gjithë bashkëlojtarët e mi që kemi pasur mundësinë të luajmë me kombëtaren e Shqipërisë. Po t’i pyesësh të gjithë, të gjithë të thonë dua ta stërvit Kombëtaren shqiptare. Por nga një gjë vetëm, nga fakti që jemi të gjithë tifozë të Shqipërisë.

Unë jam tifoz i parë i Kombëtares shqiptare, edhe sot kur kam mundësi me gjithë angazhimet që kam në punën time, kur bëhet fjalë për Kombëtaren shqiptare, kudo që është, kam dëshirë ta ndjek e ta shoh nga afër. Një ditë, po të ishte mundësia, në të ardhmen nuk do t’i thosha kurrë ‘jo’ asaj gjëje’.

Duhet të kualifikohem si trajner se më mungojnë licencat e të tjera. Por mjafton të japësh kontributin për zhvillimin e futbollit në Shqipëri, edhe kjo do të ishte një kënaqësi e madhe për mua”.

igli tare

Për fillimet e karrierës në Shqipëri

“Periudha ime me Partizanin ishte periudhë shumë e bukur se kam pasur mundësinë që të debutoj në kampionatin shqiptar në moshën 15-vjeçare dhe atëherë kam luajtur për herë të parë me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë. Kanë qenë momente të bukura, formimi im si lojtar me Partizanin ka një vend të veçantë në zemrën time”.

Për praninë e madhe të futbollistëve shqiptarë në Itali

“Di pak a shumë që në gjithë Italinë janë të regjistruar rreth 1400 futbollistë duke filluar nga moshat deri në Serinë A. Që janë të federuar në Federatën Italiane dhe kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme, jo vetëm për shqiptarët këtu, por edhe për Federatën Shqiptare e cila duhet t’i monitorojë në mënyrën e duhur për të ndjekur vazhdimësinë e tyre”.

Për praninë e dy kombëtareve me futbollistë shqiptarë

“Unë nuk kam asgjë kundër përfaqësimit të Kosovës si kombëtare, por kam diçka kundër se për mendimin tim duhet të jetë një kombëtare që përfaqëson kombin shqiptar. E kam të vështirë ta dëgjoj himnin e Kosovës, ose ta shikoj një përfaqësuese me lojtarë shqiptarë, me ngjyra të tjera.

Nuk është aspak kundër Kosovës por do të ishte më se e vlefshme edhe për futbollin shqiptar dhe le ta quajmë për futbollin e kombit tonë, që të kishim një përfaqësuese të fortë që përfaqëson kombin shqiptar dhe ajo të ishte Shqipëria”.

Për opinionin në Itali rreth Riza Lushtës dhe Naim Kryeziut

“I kujtojnë kur janë evenimente që flasin për historinë e futbollit italian të atyre viteve, por mbi të gjitha i kujtojnë edhe kur bëhet fjalë për përfaqësimin e futbollistëve shqiptarë në Itali. I përmendin si pishtarët e parë të përfaqësimit të futbollit shqiptar”.

Për mënyrën se si administron tensionin e lojtarëve

“Profesioni im është i tillë që duhet të jem ai që përdor edhe shkopin edhe karotën. Kur gjërat funksionojnë mirë, futbollistët sillen siç duhet, kanë profesionalizmin e duhur, është normale që duhen përgëzuar. Por në momentin kur gjërat nuk shkojnë siç duhet, roli im është i tillë që duhet të jem vendimtar për të shpjeguar se çfarë është e gabuar dhe çfarë është e drejtë.

Të them të drejtën nuk e mbaj mend të jem bërë pishman ndonjëherë për vendime, pro ndoshta ka pasur herë që edhe unë mund të kem gabuar. Por mbi të gjitha, ajo që më ndjek hap pas hapi është që të mundohem të përdor komunikimin, apo momentet e vështira nëpërmjet dialogut. Duke i shpjeguar edhe nga eksperienca si futbollist gjithçka mbi të tashmen dhe të ardhmen.

Si drejtues është absurde të kem pasur momente të tensionuara në ndeshje, por si futbollistë janë gjëra që ndodhin në fushë. Edhe në momentet kur ka pasur përplasje, me mbarimin e ndeshjeve gjithçka harrohet”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"