Takaj nuk dorëzohet, zbulohet biseda me lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2018 | 22:58

Takaj nuk dorëzohet, zbulohet biseda me lojtarët

Ardjan Takaj nuk dorëzohet. Duket se presidenti bardhekuq është më i vendosur se kurrë që Skënderbeu të vijojë të jetë një ekip pretendent në kampionat dhe për këtë ka filluar të bisedojë me të gjithë titullarët që nuk kanë kontratë. Ai u ka dhënë besimin se klubi do të ketë synime madhore sërish, pavarësisht se mbetet i varur nga vendimi i KAS.

Takaj

“Panorama Sport” mëson nga burime shumë të besueshme në klub, se vetë Takaj ka kontaktuar me radhë të gjithë “veteranët”. Natyrisht, bëhet fjalë për lojtarët me peshë të skuadrës. Kjo ka ndodhur menjëherë pas largimit të Sabjen Lilajt. Në një situatë të tillë, të gjithë futbollistëve u është kërkuar që të vijojnë të jenë pjesë e Skënderbeut në sezonin e ri, pasi ekipi do të jetë sërish kompetitiv dhe normalisht që për këtë duhet edhe besimi i lojtarëve.

Të parët që janë kontaktuar sigurisht që kanë qenë futbollistët që kanë përfunduar kontratën. Takaj u ka kërkuar të jenë sërish pjesë e klubit. Duke filluar nga Osmani, Radas dhe deri te Vangjeli, të gjithë kanë biseduar me presidentin e Skënderbeut për të ardhmen gjatë ditëve të fundit.

takaj

Normalisht në bazë të të dhënave që vijnë nga burime të sigurta, bëhet me dije se një pjesë e mirë e lojtarëve kanë pranuar që të ulen në bisedime me drejtuesit për të rinovuar kontratën me kushtet e reja, për shkak të reduktimit të shpenzimeve nga ana e klubit. Një gjë e tillë do të ndodhë në ditët në vijim dhe do të merret vesh se cilët janë lojtarët që do të qëndrojnë.

DILEMAT

Dukshëm ajo që dihet tashmë është dilema e disa lojtarëve për të ardhmen ku mbi të gjitha është Kristi Vangjeli, i cili ende nuk ka vendosur nëse do të vijojë karrierën në Greqi apo Shqipëri. Pritet që korçari të përcaktojë gjatë kësaj jave të ardhmen, por sigurisht që nëse zgjedh të mbetet në Shqipëri, mësohet se Vangjeli i ka konfirmuar Takajt se do të jetë Skënderbeu zgjedhja e tij.

takaj

Për mbrojtësin e krahut interesohet Aris i Selanikut, që kërkon ta rikthejë në ekip, duke e joshur edhe me shiritin e kapitenit. Gjithashtu edhe lojtarët e tjerë kanë oferta. Një prej atyre që i ka përfunduar kontrata dhe ka pasur disa oferta është Gledi Mici. Mbrojtësi i majtë po negocion me klube daneze, pasi refuzoi fillimisht një ekip grek dhe izraelit.

Ll.Saro

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"