Takaj: Bonifejsin e larguam vetë, Kaçe është një dëshirë e pamundur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 4, 2017 | 16:06

Takaj: Bonifejsin e larguam vetë, Kaçe është një dëshirë e pamundur

Mesditën e sotme klubi i Skënderbeut ka bërë prezantimin e trajnerit të ri të skuadrës, Ilir Daja. Në fillim të konferencës për shtyp, fjalën e ka marrë presidenti i klubit, Ardjan Takaj, i cili ka sqaruar arsyet e vendimit të marrë sa i përket trajnerit, si dhe ka folur për shumë çështje të merkatos.

takaj

Për ndryshimin e trajnerit

“Për mua është hera e parë që ndryshoj trajnerin në mes të sezonit, por duke parë ecurinë e dy fazave të para, që nuk kanë qenë pozitive për Skënderbeun, morëm vendimin për ndryshim. Vëtë pretendimet dhe objektivi jonë janë gjithmonë titulli kampion.”

Për performancën e Agostinelit

“E kam përsëritur edhe herë të tjera se nuk ka qenë vetëm trajneri problemi në periudhën e rezultateve negative, pasi edhe skuadra ka patur fajin e saj. I dhamë edhe një mundësi trajnerit dhe ai nuk arriti ta çonte ekipin në ato nivele që kërkonim, ndaj e pamë të arsyeshme të bënim ndryshimin. Përzgjodhëm një trajner me një eksperiencë shuëm të mirë në kampionatin shqiptar, siç është Ilir Daja dhe ndihmës i tij do të jetë Ard Mema.”

Për listën e trajnerëve të mundshëm

“Kemi pasur shumë mundësi të tjera për të zgjedhur, por bëmë zgjedhjen që e konsiderojmë më të mirën për vazhdimësinë dhe kjo zgjedhje është Ilir Daja.”

Për vendimin e marrë për të zgjidhur situatën

“Zgjidhjet bëhen që ekipi të ecë në një mënyrë më të mirë. Them se është zgjidhja e duhur për momentin dhe vazhdimësinë. Jemi në mes të dy fazave. Synimi i Skënderbeut është vetëm titulli kampion. E di unë, e dinë të gjithë, edhe skuadra. Daja nuk është i panjohur, është parë me vazhdimësi dhe për më tepër është i njohur dhe i afirmuar.”

Për cilësinë e ekipit

“Ekipi i vjetshëm me rezultatet dhe kontigjentin që kishte, ishte ekip më i mirë. Dihet që ndryshimet duan kohë që të përshtaten. Koha nuk ka qenë e mjaftueshme, por besoj se edhe ata lojtarë që janë do e kenë kohën.”

Për merkaton

“Nuk diskutohet që ka plane për merkaton. Edhe po të kishim patur rezultate të mira prap do të bënim merkato. Jo vetëm ne, por të gjithë kanë nevojë për merkato. Ekipi ka nevojë për ndryshim. Kemi një listë të madhe me lojtarë dhe po i shohim. Edhe trajneri po i sheh sepse ka katër ditë që merret me këtë punë, pra me përzgjedhjen e lojtarëve që na duhen.”

Për Kaçen

“Kaçe nuk është diskutuar te Skënderbeu. Ai i përket PAOK-ut. Dëshira jonë është shumë e madhe për ta marrë, por gjërat e pamundura mbeten të tilla.”

Për Bonifejs

“Bonifejs ishte i Skënderbeut, por ne menduam se nuk është i nevojshëm dhe e lamë të lirë. Nuk është se fitoi duelin Partizani, e lamë ne të lirë sepse ai ishte lojtari ynë. Për menyrën se si luajmë ne e menduam kështu. Do të tregojë koha nëse ishte një zgjedhje e gabuar apo e mirë.”

Për ciklin e Skënderbeut

“Cikli nuk po mbaron sepse po të shohësh moshën e lojtarëve, pjesa më e madhe janë të rinj. I kemi marrë masat për të pasuruar akoma më shumë ekipin me lojtarë të rinj.”

Për Latifin

“Latifi do të jetë pjesë e Skënderbeut, por në rast të ndonjë oferte të madhe, atëherë dp të largohet. Këtë e vendos tregu. Lojtarët që janë në shitje për vlera të mëdha, jo vetëm ne, por edhe të gjithë ekipet europiane, e kanë si praktikë që t’i shesin për të pasuruar më pas skuadrën me futbollistë të tjerë.”

Për transferimin e Bernard Berishës te Terek Grozni

“Kemi 10% të kartonit. Të shohim sa do të jetë shifra zyrtare e shitjes për të llogaritur përfitimin e Skënderbeut.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"