“Superiorja është detyrim për Lushnjën”, Artan Bano: Kampionati i ardhshëm, më i forti që është zhvilluar ndonjëherë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2022 | 18:40

“Superiorja është detyrim për Lushnjën”, Artan Bano: Kampionati i ardhshëm, më i forti që është zhvilluar ndonjëherë

Artan Bano paralajmëron një ndër sezonet më të bukura në Kategorinë e Parë, ndaj “lutet” që kampionati të transmetohet dhe tifozët ta shijojnë edhe në TV. Shpreson që në garë si pretendente të jetë edhe Lushnja e tij, ndonëse ka një skepticizëm.

bano

Dhe kjo i vjen natyrshëm prej vonesës së stërvitjes, merkatos që ka mbetur në vendnumëro, investimit të ngecur në stadium dhe jo vetëm. Në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-trajneri i verdhejeshilëve analizon me detaje atë që nuk po shkon si duhet në klub dhe absurditetin me kontratat 10-mujore.

“Kampionati i ardhshëm, do të jetë më i forti që është zhvilluar ndonjëherë në këtë nivel. Ka shumë cilësi dhe shumë prurje. Edhe Skënderbeu, Dinamo, Tomori nuk mbeten më pas. Ka klube që kanë 100-vjetorin, si Flamurtari.

Ka një ‘bast’ shumë të madh, sponsorët, stafet, personeli. Dikush duhet të marrë të drejtën e transmetimit. 2-3 apo dhe katër ndeshje, kur bëhet fjalë për të shtunën, të dielën apo dhe të hënën. Kampionati bëhet më i bukur dhe më pak i kontestuar. Kemi ekipe të mëdha, do të ketë përplasje të mëdha. Nëse do të merret e drejta TV, kampionati do të jetë shumë i bukur për t’u parë. Nga qytete të mëdha, me popullsi të madhe”, u shpreh fillimisht 56-vjeçari, teksa “skanoi” garën.

VONESA

Tekniku u fokusua te Lushnja dhe hapur thotë që janë prapa me stërvitjen dhe merkaton. “Janë shumë të vonuar. Buxheti është shumë i madh për një klub të Kategorisë së Parë. Me këtë fond dhe nëse vërtet duan të kenë pretendime për ngjitjen, duhet ta fillojë stërvitjen dhe merkaton shumë shpejt.

Nëse do të vonohet edhe dy javë, nuk ka më lojtarë në treg. Dakord, është buxheti, por duhet operuar në merkato për lojtarët. Nuk është kaq e thjeshtë nëse kërkon të ndërrosh 60-70% të strukturës si ekip. Duhet të stërvitesh më shpejt, për arsyen se do të kolaudosh ekipin. Ndoshta duhen 10 ndeshje miqësore. Kolaudohet ekipi dhe bëhet gati për kampionatin”, evidentoi ai.

INFRASTRUKTURA

Tekniku u ndal edhe tek investimet që po bëhen te Lushnja, por që janë ndërprerë prej kohësh. “Lë për të dëshiruar edhe pjesa e investimit në stadium. Nëse nuk është punuar në kohën e pauzës, por do të fillojë në kohën e aktivitetit. Por, ekipi ku do të luajë? Nëse do të luajë në fushë asnjanëse, patjetër që ka firo. Ka më shumë përgjegjësi. Kemi luajtur në sezonin 2013-2014, 80% në fushë asnjanëse dhe kemi marrë përgjegjësi.

Skuadra ka hyrë në Superiore në garë me Partizanin, Dinamon, Besëlidhjen, Luftëtarin, Elbasanin etj. Që nga presidentja deri te trajneri duhet të marrin përgjegjësi dhe të heqin dorë nga demagogjia. Mua më duket e vështirë. Asnjë investim në stadium, ndeshjet do të bëhen në fushë asnjanëse, stërvitja nuk ka filluar. Futbollistët janë në ‘ajër’. Nuk e dimë çfarë futbollistësh do të jenë”, deklaroi ish-trajneri i Lushnjës.

KONTRATAT

Artan Bano foli edhe për politikat që ndjek klubi, ndërsa e quan të tepërt që ekipi ka 5 vite në inferiore. “Ekipi i Lushnjës është me kontrata 10-mujore. Çudia më e madhe ndodh në Lushnjë. Përfundon kampionati dhe të gjithë janë të lirë. Ky është një skandal. Ne po i përzëmë ata që kanë shumë cilësi. Për cilësitë e mira kanë oferta nga ekipe të tjera. Nuk e di çfarë politike ndiqet! Kanë dëshirë të kontribuojnë dhe këtu në Lushnjë nuk i afrojnë.

Në radhë të parë është në dëm të KF Lushnjës, në dëm të taksapaguesve. Tifozët nga dita në ditë po firojnë duke parë që nuk ka as seriozitet, as impenjim. Vetëm demagogji dhe askush nuk e ka mendjen te ky ekip që do të luajë për të pestin vit radhazi në nivelin e dytë. Nuk ka bërë vaki 70 vjet, që Lushnja të rrijë për një 5-vjeçar një kategori më poshtë. Luajmë në nivelin e dytë që nga viti 2018. Ka ndodhur 2-3 vjet, por është rikuperuar. Ata që e kanë marrë përsipër duke nisur nga presidentja, që është kryetarja e bashkisë, e cila është e detyruar të jetë shumë korrekte, sepse në fund të fundit janë lekët e taksapaguesve lushnjarë. Që nga stafi drejtues dhe trajneri të mos kujtojnë që është ‘markë’ e rëndë Lushnja.

Ka shumë futbollistë cilësorë dhe të shpresave që duan të kontribuojnë te Lushnja dhe nuk i afrojnë. Duan, sepse Lushnja ka fanellën dhe markën shumë të rëndë. Duan të kontribuojnë me verdhejeshilët, sepse të jep shumë akses. Futbollistë që kanë kontribuar te Lushnja, kanë bërë karrierë, kanë arritur kombëtare si Endri Vrapi, Lorenc Trashi etj. Unë dua të përmend një futbollist, që nuk ka qenë shumë i dëgjuar në këto 3-4 vitet e fundit.

E kam stërvitur edhe vetë tek Egnatia dhe është Xhonatan Lajthia. Një futbollist me cilësi shumë të mira, por që hapin e madh e bëri vetëm te Lushnja. Ka qenë tek Erzeni, Egnatia, Teuta, por akses mori te Lushnja. Nëse me këtë buxhet nuk shkon në Superiore, quhet një kampionat i dështuar i taksapaguesve lushnjarë. Dëmi është i atyre që i përdorin këto para pa ‘kriter'”, përfundoi ish-tekniku.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"