SUNDAY LEAGUE ALBANIA/ “Manita” ndaj Lev Tech, Prestige super (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2021 | 18:31

SUNDAY LEAGUE ALBANIA/ “Manita” ndaj Lev Tech, Prestige super (VIDEO)

Pas ndeshjeve në grupe, tashmë Sunday League Albania është futur në fazën më të nxehtë, teksa prej disa ditësh kanë nisur sfidat e “play off”-it.

Prestige Lec Tech 5-0

Mbrëmjen e djeshme në fushë ka zbritur Prestige, skuadra kampione në fuqi e këtij kompeticioni, e cila ka siguruar një biletë për në çerekfinale duke shkatërruar me rezultatin 5-0 ekipin Lev Tech. Një dominim i jashtëzakonshëm i Prestige, ku spikatën Çakrri e Shima, të cilët regjistruan nga një dopietë secili. Rrugën e rrjetës e gjeti gjithashtu edhe Vasha.

Ndeshja – Që në start, Prestige nisi ofensivën drejt portës kundërshtare, duke e kthyer në tabelë qitjeje në kërkim të golit. Në minutat e para provojnë Shima dhe Muça fluturimthi duke iu afruar golit, i cili nuk do të vonojë. Në të 12-ën, Çakrri finalizon saktë një aksion të rrjedhshëm, duke kaluar në epërsi Prestige.

Vetëm pas disa sekondash është përsëri Çakrri, i cili me një gjuajtje nga jashtë zonë i dyfishon shifrat. Në fundin e pjesës së parë vjen edhe goli i tretë, që ka për autor Shimën. Ky i fundit vjedh një top në zonë, shmang portierin për ta dërguar më pas në rrjetë. Në fillim të pjesës së dytë, Prestige realizon edhe golin e katërt. Pas një aksioni model, Rragami shërben bukur në zonë për Shimën, i cili godet fuqishëm me të parën.

Ndonëse kualifikimi është i hipotekuar, Prestige nuk ndalet dhe vijon të sulmojë me shumë forca, ndërsa Lev Tech e ka të vështirë t’i afrohet portës. 7 minuta nga fundi i takimit, Hysenbelliu ndërmerr një inkursion të bukur nga krahu i djathtë, për të dhënë një asist perfekt për Vashën.

Ky i fundit nuk e ka aspak të vështirë për ta shtyrë topin në rrjetë me portën e boshatisur. Kështu, gjithçka mbyllet 5-0, me Prestige që konfirmon kandidaturën si pretendent kryesor për trofeun edhe në këtë edicion.

PRESTIGE – LEV TECH 5-0

GOLAT: Çakrri 12’, 13’, Shima 26’, 36’, Vasha 53’

FORMACIONI I PRESTIGE: Myrta, Antoni (C), Mërtiri, Lleshi, Xhepaj, Çakrri, Muça, Dajti, Shima. U aktivizuan: Limani, Rragami, Vasha, Hysko, Hysenbelliu. Trajner: Andi Koç

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"