“Stërviteshim 5 orë në ditë”, legjenda Greva: Ja sekreti i Partizanit tim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2019 | 22:52

“Stërviteshim 5 orë në ditë”, legjenda Greva: Ja sekreti i Partizanit tim

Astrit Greva, ish-basketbollisti dhe arkitekti i Partizanit legjendar të viteve 70 ka shkruar historinë e sportit të koshit në Shqipëri, ku numëron 27 tituj kampionë me skuadrën e kuqe. Ai krijoi një ekip që do të linte gjurmë edhe në Europë, duke u përballur me sukses me skuadrat më të mëdha të atyre viteve dhe duke dhuruar ndeshje fantastike që janë shkruar me germa të arta në faqet më të lavdishme të basketbollit tonë. 83-vjeçari, i cili gjithashtu ka qenë për shumë vite në krye të ekipit kombëtar, rikthehet të flasë për gjendjen e basketbollit tonë, që nuk është se po kalon ditët e tij më të mira.

aSTRITI

Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri komenton kampionatin, Kombëtaren, të rinjtë, si dhe prek problematikat që e shoqërojnë këtë sport në ditët e sotme, por pa harruar të tregojë edhe sekretin e skuadrës së madhe që ai ndërtoi më shumë se gjysmë shekulli më parë.

Profesor, sa i keni ndjekur ndeshjet e kampionatit shqiptar të basketbollit?

Duke qenë se kam një jetë të tërë që merrem me basketbollin, sigurisht që vazhdoj t’i ndjek akoma ndeshjet. Jo vetëm sfidat e Superligës, por edhe ato të Kategorisë së Parë. Ndërkohë, me shumë interes vëzhgoj moshat, duke filluar që nga të rinjtë apo paratërinjtë, si për djem ashtu edhe për vajza. Kështu që pjesën më të madhe të kohës, kur ka aktivitete, unë e kaloj me kënaqësi duke i parë këto ndeshje.

Si do ta vlerësonit gjendjen aktuale po që kalon basketbolli në Shqipëri?

Basketbolli shqiptar, për mendimin tim, ka bërë hapa përpara, pa diskutim si në çdo fushë tjetër, por ka disa arsye që kur vijmë dhe prezantohemi në ndeshjet ndërkombëtare, skuadrat tona çalojnë. Një nga arsyet kryesore, duke iu referuar edhe ndeshjes së fundit, atë të disa ditëve më parë ndaj Bjellorusisë, është përgatitja jo në mënyrën e duhur. Pra, që me përfundimin e kampionatit, e duke vijuar me muajt e verës, lojtarët nuk aktivizohen fare, duke qëndruar një periudhë shumë të gjatë pushim. Nga një pushim i gjatë, të vish direkt në ndeshje ndërkombëtare me një grumbullim prej vetëm dy javësh, është krejtësisht e pamjaftueshme që një lojtar të shfaqë më të mirën e tij.

meta6-1

Si shembull konkret po përmend dy lojtarët më të mirë të Kombëtares, Hysenagolli apo Shima, të cilët në ndeshjen e fundit ndaj Bjellorusisë treguan një formë shumë të dobët në krahasim me atë që kanë shfaqur gjatë kampionatit apo në ndeshje të tjera. Pra, pushimet shumë të gjata që sportistët bëjnë me përfundimin e aktiviteteve, rrjedhimisht sjellin që mos të tregojnë gjendjen e tyre më të mirë në këto ndeshje. Ky fenomen vazhdon të përsëritet për një kohë të gjatë dhe e njëjta situatë ndodh edhe me skuadrat e moshave. Krahas punës shumë të mirë që ka bërë FSHB me këto ekipe, që po sjell rezultate mjaft të mira dhe po jep e efekte, nga ana tjetër mendoj që duhet të merren masa që sportistët të mos qëndrojnë larg parketit kaq gjatë.

Të kthehemi te kampionati i vjetshëm, i cili u karakterizua nga një rivalitet i lartë, duke kulmuar me finalet ndërmjet dy ekipeve durrsake, Goga dhe Teuta. Si do ta komentonit?

Sigurisht që ndeshjet e sezonit të kaluar u karakterizuan nga një rivalitet shumë i lartë, ku faktor kryesor ishte prezenca e lojtarëve të huaj, të cilët, përjashto Tiranën, ishin të shumtë në të gjitha ekipet. Kjo gjë bëri që të rritet shumë konkurrenca dhe fakti që Durrësi u paraqit me dy skuadra me nivel shumë të mirë dhe si rrallëherë bëri që të kishim ndeshje mjaft të bukura. Goga Basket arriti të dalë kampione me shumë meritë, ndërkohë që edhe Teuta bëri një paraqitje mjaft të mirë, sidomos në Ballkanligë, ku shkoi deri në finale. Kjo është një risi e mirë për basketbollin tonë, por jam i mendimit që numri i lojtarëve të huaj, të cilët ndonëse ndikojnë pozitivisht për rritjen e cilësisë, duhet të jetë i kufizuar, pasi krahas anës pozitive jep edhe efekte negative duke reduktuar minutazhin e lojtarëve tanë.

hqdefault

Një ekip si Goga Basket në një kohë shumë të shkurtër arrin që të ngjitet në majën e basketbollit shqiptar. Cili është opinioni juaj për këtë skuadër?

Ishte shumë befasuese dhe impresionuese paraqitja që Goga bëri në sezonin e kaluar. Në një kohë shumë të shkurtër arriti që të ndërtojë ekipin e basketbollit, fillimisht me femrat më pas me djemtë dhe me moshat, duke u kurorëzuar në mënyrë të shkëlqyer me fitimin e titullit kampion për djem. Një skuadër private e mirorganizuar, me infrastrukturë të shkëlqyer, e cila tregoi se investimi në sport shpërblehet me rezultate.

Ndërkohë, Partizani nuk po arrin të rikthehet ai emër i madh që ka qenë dikur, ndonëse këto vitet e fundit skuadra ka pasur një rritje.

Partizani kaloi disa periudha të vështira në 10- vjeçarin e parë pas ndërrimit të sistemit, duke u dobësuar shumë si klub, ku gati u kthye në skuadër inekzistente. Por këto kohët e fundit ka një gjallërim falë ndihmesës që po jep Agim Fagu, një emër i madh i basketbollit shqiptar, i cili nëpërmjet shoqatës që ai drejton, ka arritur të grumbullojë një grup lojtarësh dhe të paraqitet në kampionat me shumë rivalitet. Ndonëse këtë vit nuk doli kampion, Partizani arriti të konkurronte me dy skuadrat finaliste. Për mendimin tim, kjo skuadër është në rrugë të mirë. Gjithashtu, shpresoj që të ngrihen edhe ekipet e tjera si Tirana, Vllaznia apo Kamza, pasi do të kishim një kampionat edhe më të bukur.

maxresdefault

A do ketë ndonjëherë Shqipëria skuadër të nivele të Partizanit të dikurshëm?

Ose më saktë çfarë duhet bërë për ta pasur një ekip të tillë? Basketbolli i sotëm në vendin tonë ka shumë përmirësim për sa i përket gjatësisë fizike. Në vitet e shkuara ne kishim mangësi të shtatlartësisë dhe vuanim për një lojtar “2-metroshë”. Ndërkohë, sot mendoj që ky problem është kapërcyer, pasi kemi shumë lojtarë shtatlartë, të cilët luajnë që nga ekipet e të rinjve deri te të rriturit. Kjo është diçka pozitive për të ardhmen e basketbollit tonë, ndërsa kemi gjithashtu shumë lojtarë që janë të mirë edhe teknikisht, gjë që tregon se basketbolli është në rrugë të drejtë. Por, kur bëjmë krahasimin me Partizanin e dikurshëm, që ndeshej me ekipet më të mira të Europës, duke marrë rezultate të rëndësishme, sigurisht që kemi të bëjmë me një hendek akoma të madh.

Nëse shtetet e tjera kanë ecur shumë përpara, ecja jonë ka qenë me hapa të ngadaltë, për arsye se punohet shumë pak. Lojtarët mjaftohen me 1 orë e gjysmë apo 2 orë stërvitje dhe me pushime shumë të gjata. Kjo sigurisht ka krijuar atë hendekun e madh në ballafaqimet ndërkombëtare. Nuk mund të themi që s’kemi bërë përparime, pasi kemi lojtarë shumë të mirë, me teknikë dhe të talentuar, por që duhet të punojnë. Edhe federata u ka hapur rrugë, sidomos të rinjve me këto eventet ndërkombëtare, por duhet një ndërgjegjshmëri më e madhe, si nga sportistët, ashtu edhe nga trajnerët për një punë më rigoroze dhe më këmbëngulëse për të pasur rezultate më të larta.

14232590_1111726425610028_8995962116704097005_n

Cili ka qenë çelësi i suksesit të Partizanit që ju keni drejtuar?

Çelësi i suksesit në skuadrën e Partizanit ka qenë puna. Në qoftë se sot punohet 1 orë e gjysmë apo 2 orë, atëherë ne stërviteshim nga 5 orë në ditë. Ky është një ndryshim i jashtëzakonshëm, prandaj edhe rezultatet kanë qenë shumë të mira. Sigurisht, edhe disiplina ka qenë në lartësinë e duhur, ku çdo gjë funksiononte në mënyrë të rregullt. Lojtarët ishin të detyruar të punonin nën drejtimin e trajnerit në çdo moment kur ai i thërriste. Ndërkohë, sot kemi raste kur një lojtar thërritet në kombëtare dhe refuzon për të ardhur. Diçka shumë e çuditshme që nuk ndodh në asnjë vend tjetër. Megjithatë, unë jam optimist që shumë shpejt do të kemi mundësi të arrijmë nivele të larta ashtu siç kemi pasur dikur.

Së fundmi, cili është mesazhi juaj për të rinjtë që e dashurojnë basketbollin?

Çdo gjë në jetë është në dorën e rinisë, pasi është rinia ajo që jep entuziazmin dhe vrullin. Mesazhi im për të rinjtë është që të punojnë më shumë, ta duan më shumë basketbollin dhe të sakrifikojnë më shumë për këtë sport. Jo vetëm me perioda të caktuara, por gjatë gjithë vitit. Në qoftë se veprojnë kështu, veçanërisht ata lojtarë që janë më të talentuarit, do të vijnë edhe rezultatet.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"