STATISTIKA/ Sezon i mallkuar i Flamurtarit, vlonjatët paraqiten njësoj si 16 vite më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2020 | 19:45

STATISTIKA/ Sezon i mallkuar i Flamurtarit, vlonjatët paraqiten njësoj si 16 vite më parë

Një fitore, tetë barazime, 17 humbje dhe vendi i fundit në tabelë. Ky është bilanci i Flamurtarit në këto 26 javë kampionat. Një sezon i destinuar për t’u rrëzuar nga Superiorja, me klubin që e ndërtoi skuadrën vetëm pak ditë para startit të kampionatit dhe më pas mori si faturë një prezantim zhgënjyes.
Tirana-Flamurtari pj1
Megjithatë, tifozëria vlonjate nuk është hera e parë që ndihet keq për skuadrën e zemrës. Flamurtari i këtij kampionati është thuajse një fotokopje e sezonit 2003-2004, kur për herë të fundit vlonjatët zbritën nga Superiorja. Edhe në atë kampionat problemet ishin të mëdha dhe pas 36 javësh, kuqezinjtë e mbyllën në vendin e fundit me vetëm 14 pikë dhe u rrëzuan në Kategorinë e Parë. Tashmë pas 26 javësh kanë grumbulluar 11 pikë dhe kanë shansin të paktën të shmangin turpin sa u përket fitoreve të arritura. Në sezonin 2003-2004 u koleksionuan tri fitore, 5 barazime dhe 28 humbje. Plot 16 vite më parë skuadra u drejtuar nga tre trajnerë gjatë sezonit: Ardi Bozhani, Alfred Ferko dhe Latif Gjondeda.
FLAMURTARI

Flamurtari qëndroi në Kategorinë e Parë dy sezone radhazi (2004-2005 dhe 2005-2006), për t’u rikthyer më pas në Superiore në sezonin 2006-2007, kur edhe nisi një epokë e re me Shpëtim Gjikën si president klubi.

Tashmë në Vlorë vetëm një mrekulli mund të shpëtojë skuadrën nga rënia ose më saktë një ndryshim i strukturës së kampionatit pas gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndërprerjes prej pandemisë. Klubi po kalon një nga momentet më të errëta, duke zhgënjyer pa masë tifozët.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"