Starova dhe Gjoka, sa shumë diferenca mes dy strategëve të finales së titullit kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2017 | 10:57

Starova dhe Gjoka, sa shumë diferenca mes dy strategëve të finales së titullit kampion

Sulejman Starova VS Ernest Gjoka. Partizani-Kukësi është edhe një përballje mes dy trajnerëve që kanë diferenca të mëdha nga njëri-tjetri dhe që nesër do të kërkojnë të hedhin një hap të sigurt drejt titullit kampion. Starova mbush 62 vjeç në dhjetor të këtij viti, ndërsa Gjoka është 47 vjeç, plot 15 vite më i vogël se “Bobi”.

gjoka starova

Por, çfarë i ndan dhe i bashkon trajnerët që drejtojnë skuadrat që komandojnë kampionatin? “Panorama Sport” sjell profilin e Starovës dhe Gjokës, nga sukseset te fiksimet dhe detajet jashtë fushës.

TROFETË

Diferencat nisin nga trofetë si trajner. Starova ka fituar gjithçka me klubin që kërkon t’i rikthejë titullin pas 24 vitesh. Për herë të fundit Partizani është shpallur kampion me “Bobin” në pankinë në sezonin 1992-1993. Ky ishte titulli i parë për Starovën si trajner, për të vijuar më pas me Tiranën, ku u shpall kampion në sezonin 2006-2007.

Gjithashtu Starova ka fituar dy Kupa të Shqipërisë me Partizanin, si dhe një Superkupë me Tiranën. Edhe si lojtar, Starova ka fituar gjithçka (1 titull, dy Kupa dhe një Superkupë). Nga ana tjetër, Gjoka ka arritur suksesin e tij të parë si trajner në drejtimin e Flamurtarit, duke fituar tri vite më parë Kupën e Shqipërisë. Ndërsa në verën e vitit të kaluar fitoi Superkupën si pjesë e Kukësit, duke mposhtur në finale Skënderbeun me shifrat 3-1.

KARRIERA

Starova e ka nisur si zv.trajner te Partizani në vitin 1987. Një eksperiencë 30-vjeçare, ku përveç skuadrës së kuqe, që e ka drejtuar në katër periudha të ndryshme, ka qenë edhe në krye të ekipeve si Tirana, Besa, Teuta e Kukësi. Me durrsakët i është afruar dy herë titullit kampion, ndërsa është bërë pjesë e suksesit historik të Kukësit (kalimi i tre tureve në Ligën e Europës) në verën e vitit 2013 në rolin e drejtorit teknik.

Në këto 30 vite Starova ka provuar të jetë edhe zv.trajner i Kombëtares shqiptare, ndërsa ka mbajtur për një kohë të gjatë postin e sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së. Ndërsa Gjoka punon si trajner prej 18 vitesh. Për më shumë se një dekadë, 47-vjeçari nga Tirana ka punuar në shkollën e mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi”.

Gjoka ka qenë i suksesshëm në drejtimin e grupmoshave të kësaj shkolle, që përfaqësohen ende në kampionatet kombëtare me emrin Shkëndija. Për herë të parë si profesionist, Nesti ka drejtuar Apoloninë në vitin 2010. Më pas ka qenë në krye të Kamzës, Tomorit dhe Flamurtarit në Kategorinë Superiore. Me këtë të fundit arriti të kalonte edhe një tur në Ligën e Europës. Prej verës së vitit të kaluar drejton Kukësin, me të cilin ëndërron titullin e parë.

PËRBALLJET

Gjoka e di si mundet Starova. Si për koincidencë, në finalen e vitit 2014, kur trajneri aktual i Kukësit drejtonte Flamurtarin, mposhti pikërisht verilindorët e drejtuar nga Starova me shifrat 1-0, falë një goli të Arbër Abilaliajt. Edhe nesër është një “finale” më vete, por këtë herë për një trofe shumë më të rëndësishëm. Në dy përballje që trajnerët kanë pasur këtë sezon, pikërisht në ndeshjen e fazës së dytë në Elbasan dhe më pas në fazën e tretë në Kukës, nuk ka pasur fitues.

Megjithatë, Gjoka e ka një avantazh psikologjik: e ka mundur një herë Partizanin. Bëhet fjalë për ndeshjen e fazës së parë, që përfundoi 1-0 në “Zeqir Ymeri” dhe më pas drejtuesit e kuq shkarkuan trajnerin italian, Adolfo Sormani. Këtë sezon Gjoka vijon rekordin te Kukësi: asnjë humbje në 31 ndeshje. Ndërsa Starova mund të krenohet, pasi ka më shumë fitore se Gjoka.

KARAKTERET

Starova është më autoritar me lojtarët, ndërsa Gjoka dukshëm më i qetë dhe më komunikues. Sulejmani njihet për disiplinën e hekurt që ka vendosur në çdo skuadër, duke treguar se nuk e ka fare problem të largojë edhe yje nëse nuk i binden. Kujtoni rastin e Nexhipit. Starova nuk pyeti për tifozët dhe në fund koha i dha të drejtë. “Bobi” është më mediatik se Gjoka, ndërsa ky i fundit shpesh bën diplomatin. Nuk është i drejtpërdrejtë kur pyetet nga gazetarët.

STILI I LOJËS

Starova asnjëherë nuk e ka fshehur simpatinë për stilin italian të futbollit. Ekipet e tij kanë qenë gjithnjë të kujdesshme, duke pësuar pak dhe fituar me rezultate minimale. Mirëpo, nëse pyet miqtë e ngushtë të “Bobit”, të thonë me bindje se ai ka ndryshuar dhe është bërë një trajner më sulmues.

Gjoka preferon skema ofensive dhe këtë e ka treguar me Kukësin e këtij viti. Varianti 4-4-2 ka rezultuar i suksesshëm dhe jo më kot Kukësi ka sulmin më të mirë. Të dy bërtasin pa fund në pankinë dhe ankohen shpesh për vendimet e gjyqtarit, duke bërë gjestikulacione të ndryshme gjatë lojës. Starova është më ekspresiv, ndërsa Gjoka shpesh pushtohet nga emocionet.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"