Stadiumi i Lushnjës për rekord, ja sa ndeshje janë zhvilluar në 2019-ën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2019 | 10:16

Stadiumi i Lushnjës për rekord, ja sa ndeshje janë zhvilluar në 2019-ën

Edhe për vitin 2019 në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës janë zhvilluar një numër rekord ndeshjesh, plot 46. Në këtë impiant ka zhvilluar ndeshjet e saj skuadra e parë e Lushnjës, po ashtu U-17- ta dhe U-19-ta, kanë luajtur Kukësi dhe Besa disa ndeshje, por edhe ekipet e moshave të Kombëtareve, pa llogaritur miqësoret. 

Roza Haxhiu

Kjo ngarkesë jashtëzakonisht e madhe ka bërë që të dëmtohet jo pak tapeti i këtij stadiumi, që është shfrytëzuar pjesërisht nga skuadra e Lushnjës edhe për seancat stërvitore, duke qenë se ajo nuk e ka një ambient të përshtatshëm stërvitor. Anekset e stadiumit të Lushnjës janë jashtë standardeve dhe nuk plotësojnë asnjë kusht për stërvitje dhe veç fushës së stadiumit nuk ka asnjë mundësi tjetër edhe për skuadrat e moshave, që stërviten në kushte mizerabël, ndërsa ndeshjet zyrtare i luajnë në “Roza Haxhiu”.

Ndërhyrja e fundit në impiantin lushnjar është bërë në verën e 2018-ës, përmes një investimi të përbashkët të FSHF-së dhe Bashkisë së Lushnjës. Një ndërhyrje që bëri të mundur që stadiumi “Roza Haxhiu” të fitonte licencën e Kategorisë Superiore. Që nga tetori i vitit 2018, pra në një periudhë kohore prej 27 muajsh, janë zhvilluar 110 ndeshje.

Stadiumi-Roza-Haxhiu-490x312

Veç Lushnjës, skuadrave zinxhir dhe ndeshjeve të ekipeve të tjera, FSHF-ja përmes shkresave zyrtare ka urdhëruar klubin lushnjar që stadiumi të vihet në dispozicion edhe të turneve ndërkombëtarë të moshave për ndeshje miqësore dhe zyrtare. Skuadra ndërkohë ka nisur pushimet e dimrit dhe me rifillimin e stërvitjes pritet të mësohet se cilët do të jenë emrat e rinj që do t’i bashkohen Lushnjës për pjesën e dytë të sezonit.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"