Speciale/ Vllaznia vuan në sulm, por shkodranët bëjnë ligjin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2016 | 23:55

Speciale/ Vllaznia vuan në sulm, por shkodranët bëjnë ligjin…

Sezoni që lamë pas në Superioren shqiptare ishte ndër më interesantët dhe emocionuesit e këtyre viteve të fundit, për vetë faktin se të gjitha verdiktet u dhanë vetëm në 90 minutat e javës së fundit.

vllaznia ndaj terbunitInteresante në këtë kampionat ishin edhe golat e shënuar, me një gjeografi të shpërndarë nga njëri skaj i Shqipërisë në tjetrin, nga Japonia në Lindjen e Largët, tek Italia fqinje.

Nga “mbretërit” e futbollit në Brazil dhe te rivalët e tyre në Amerikën Latine. Golat e këtij sezoni në Superiore “bashkuan” edhe Kosovën me Serbinë.

“Panorama Sport”, pas një vëzhgimi të hollësishëm të të gjithë golave që u shënuan këtë sezon (394), jep një pasqyrë të qartë të qyteteve të Shqipërisë që kanë shënuar më shumë, aty ku duket qartë dominimi i Shkodrës, me dy bomberat Salihi dhe Sukaj që prijnë listën.

Kryeqyteti mundohet ta ndjekë nga pas edhe pse është shumë larg dhe më pas të gjitha qytetet me përfaqësuesit e tyre me golat e shënuar në Superiore.

Përtej kufijve të vendit tonë janë lojtarët nga vendi i “sambas” që shënojnë më shumë, të ndjekur nga Kosova dhe Nigeria.

Përpos rrjetave në portat kundërshtare, ky sezon që sapo lamë pas kishte edhe autogola, pa harruar edhe një gol nga porta në portë të portierit të Tërbunit, Klajdi Kuka, i cili shënon emrin në listën e golashënuesve të këtij viti.

Shkodra

Kryeqendra e Veriut, Shkodra, njihet si qyteti që solli futbollin në vendin tonë, por edhe pse ky sport u përhap në Shqipëri, bomberat e golit “lindin” vetëm në djepin e futbollit.

“Me ken shkodran, tana i ban” sidomos… golat. Janë pikërisht shkodranët që shënojnë më shumë në futbollin shqiptar, me plot 92 rrjeta të shënuar, me lojtarë të shpërndarë pothuajse në të gjitha skuadrat e Superligës.

Veçohen dy mbi të gjithë, të cilët kryesojnë edhe listën e golashënuesve, Hamdi Salihi që luan me Skënderbeun kampion dhe Xhevahir Sukaj me nënkampionët e Partizanit.

Të dy së bashku shënuan 48 gola. Tirana Si metropoli i vendit dhe me numrin më të madh të popullsisë, lojtarët i ka të shumtë që militojnë në Superiore, por golat jo edhe aq.

Gjithsesi, Tirana vjen fill pas Shkodrës për rrjetat e realizuara këtë sezon, plot 52. Prijësi i listës ishte sulmuesi i Tiranës, Elis Bakaj, me 14 gola.

Kryeqyteti vuan për bombera të vërtetë, pasi, përveç futbollistit të bardhebluve që ka shënuar disi, pjesa tjetër e lojtarëve nga qyteti i Tiranës kanë shënuar shumë pak.

Ajo që bie në sy është fakti se përveçse te skuadra e Laçit, në të gjitha ekipet e tjera të Superiores kanë shënuar futbollistë që janë nga kryeqyteti.

Vlora

Edhe pse skuadra e Flamurtarit dështoi këtë vit në objektivat për të qenë në tre vendet e para, mund t’i gëzohet faktit që vendin e tretë e ka zënë me… golashënuesit vlonjatë në Superiore.

Me 17 gola të shënuar, ata vijnë pas Shkodrës dhe Tiranës dhe ky fakt mund të shërbejë si ngushëllim në këtë qytet. Ardit Hoxhaj që luan me Bylisin del mbi vlonjatët e tjerë me 7 gola, ndërsa ndiqet nga Bruno Telushi me një më pak.

Elbasani

Skuadra e qytetit të Elbasanit militon në Kategorinë e Parë, por lojtarët që luajnë në Superiore nuk i mungojnë.

Ata pak futbollistë që janë në elitë mundohen të shënojnë aq sa munden, duke plotësuar katërshen e qyteteve që shënojnë më shumë me 16 gola.

Listën e prin Emiljano Musta që luan në radhët e Teutës me 7 gola të realizuar, të ndjekur nga shokët e skuadrës te durrsakët, Hila e Lamçja me nga 3 gola.

Durrësi

Bregdetarët janë në “Top 5” e golashënuesve të këtij viti në Superiore, me 13 gola të realizuar në total për lojtarët durrsakë të shpërndarë nëpër ekipet e Superiores.

Këtij qyteti i mungojnë bomberat, me Vilën që është mbi të tjerët, teksa ka shënuar vetëm 4 gola këtë sezon.

Por, edhe pse një qytet pa sulmues race, kjo pak rëndësi ka për Durrësin, sepse ky qytet do të përfaqësohet në Europë këtë sezon.

Të tjerat

Lista është e gjatë deri në fund, por me radhë vijon të jetë Peqini pas qyteteve të mëdha, i ndjekur nga Fieri edhe më pas Tropoja. Edhe qytete pa emër dhe të vogla “përfaqësohen” në hartën e golave të Superiores, si Miloti apo Gramshi, pa harrur edhe Kuçovën me Shijakun.

Qyteti i kampionëve, Korça, nuk mund të krenohet kurrsesi me golat, por fitimi i kampionatit e zbeh mungesën e golashënuesve.

Autogolat

Këtë sezon nuk munguan as autogolat, të cilat ishin 7, me Kukësin që shënoi dy herë në portën e tij, me Veliun dhe Koçin.

Në këtë listë është edhe Bicaj i Partizanit, Hoxhallari i Tiranës dhe Alla i Bylisit. Përjashtim tek autogolat nuk bëjnë as të huajt, me malazezin Cicmil të Vllaznisë dhe kroatin Fushtar të Flamurtarit që lanë shenjë me autogolat e tyre këtë kampionat.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"