Kur Naftëtari fitonte në “Qemal Stafa” dhe Koroveshi frenonte Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2018 | 22:00

Kur Naftëtari fitonte në “Qemal Stafa” dhe Koroveshi frenonte Partizanin

UVIL ZAJMI

Nëntor i vitit 1983, në “Qemal Stafa”, luhej Partizani-Naftëtari, ndeshje kampionati. 0-1 për kuçovarët me gol të A. Koçi, rezultat ky me të cilin fillojnë 45′ e dyta. Partizani kërkon të barazojë dhe rreth minutës së 65-të, pas një përplasjeje të Genc Tomorit me portierin Kastriot Guraj, arbitri shkodran, Tef Prela, akordoi faull brenda zonës për Naftëtarin dhe pas pak sekondash ndëshkon me karton të verdhë e pastaj me të kuq portierin e Naftëtarit për protestë pas një debati midis tyre.

mikail koroveshii

Dhe në vendin e tij nuk do të aktivizohet portieri rezervë Y. Vrusho, por një lojtar, pasi trajneri ka urdhëruar Mikail Koroveshin, mbrojtësin e krahut, të marrë fanellën e të vendoset në portë. Sot, në moshë 65-vjeçare, Koroveshi tejet i edukuar, të befason, kur për “Panorama Sport” i tregon deri në imtësi detajet që e futën në portë, rezultati që tronditi kryeqytetin, klubin ushtarak dhe koktejn e dhënë nga Komiteti Ekzekutiv.

Mikail, si ndodhi? Pse ju dhe jo portieri rezervë?

Nuk e di motivin. Ndonëse jam vetëm 174 cm i gjatë, isha aktivizuar portier me të rinjtë në disa raste. Kam mendimin se ashtu si unë edhe trajneri Fiqiri Duro, sikur patëm një “marrëveshje” në heshtje, që o unë ose qendërmbrojtësi Ilia Dashi, pasi ishte shtatlartë dhe luante basketboll. Dhe përfundimisht ju në portë… Po. Gjykuam më mirë të luaja unë, jo portieri rezervë, as Dashi që nuk mund të linte qendrën e mbrojtjes, ndërsa në vendin tim si mbrojtës i majtë spostohej një mesfushor. Dhe ashtu u veprua. Mora fanellën e Gurajt që u largua dhe u vendosa në portë. Pa doreza, pasi në ato vite të tilla kishin vetëm disa portierë, si Kaçi, Musta, Laurasi.

mikail koroveshiii

Minuta dramatike deri në fund apo jo?

Kishin mbetur gati 30 minuta lojë dhe rezultati vazhdonte 0-1. Një Partizan i tëri në portën tonë, në pjesën jugore nga liqeni. Kam pritur duke evituar gola të sigurt, midis tyre një goditje nga Vladimir Skuro, një kuçovar që kryente shërbimin ushtarak me Partizanin. E kam devijuar gjuajtjen e tij nga e djathta, pasi unë isha majtosh. E mendova në rrjetë, kur Dashi më tha çohu se topi doli në korne. Loja përfundoi 3-0 për Naftëtarin, me dy gola të tjerë shënuar nga A. Meta. Kujtoj se situatat dramatike të transmetuara në radio i nxitën njerëzit të shtyrë nga kurioziteti të mbushnin shkallët e stadiumit në ato minuta të mbetura.

mikail koroveshi

Pati entuziazëm?

Sigurisht, në dhomat e zhveshjes nga të gjithë, ndryshe unë që jam i qetë, i rezervuar dhe ky tip të privon t’i gëzohesh atij momenti. Në Kuçovë e kishin ndjekur në televizor, por ne u kthyem vonë dhe nuk na priti njeri. Të nesërmen gazetat e komentuan si triumf të një ekipi modest dhe kjo kishte surpriza më e madhe. Komitetit Ekzekutiv organizoi një takim me skuadrën dhe drejtuesit e tij na shtruan një koktej. Dua të kujtoj se 11- shja ka qenë: Guraj, Çuberi, Gega, Dashi, Koroveshi, Doko, Prifti (Kap), T. Skurraj, A. Koçi, A. Meta, Mersini.

Ndonjë rast tjetër si portier?

Jo. Ai ndaj Partizanit mbetet i vetmi. Aq më shumë që e fituam takimin dhe protagonist në “Qemal Stafa” atë mesditë më takoi të isha unë. E kam një kujtim të paharruar të karrierës sime gati 15- vjeçare me Naftëtarin, gjithmonë me fanellën e bardhë me numrin 4, deri ditën kur u largova, para takimit me Dinamon, më 22 shtator të vitit 1985. .

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"