“E diela sportive”, Skifter Këlliçi: Si i “lidhëm” tifozët me radion 60 vite më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2020 | 20:45

“E diela sportive”, Skifter Këlliçi: Si i “lidhëm” tifozët me radion 60 vite më parë

NGA UVIL ZAJMI 

Uvil_Zajmi

Ka qenë një e diel në mbrëmje, pastaj një tjetër, një tjetër, dhjetëra të tjera, vite jete, që i ka mbajtur të lidhur shqiptarët pranë radios. Nuk kishte transistorë, por me veshin te radioja e shtëpisë, në lokale, të gjithë pranë saj për të dëgjuar me kureshtje, pa zhurmë, fillimisht siglën muzikore pastaj zërin anonçues: “E diela sportive!” Nga ajo kohë, ka kaluar më shumë se një gjysmëshekulli.

Por, si lindi dhe çfarë ishte ai emision radiofonik aq popullor? Ka qenë gazetari, radiokronisti e më pas shkrimtari i njohur Skifter Këlliçi, që në fund të viteve ’50 bëri realitet një ide të hershme të tij. Sot, nga Bostoni (SHBA) ku jeton prej vitesh, për “Panorama Sport” ai i rikthehet “Të dielës sportive”, me kujtime, ngjarje nga origjina, dita e parë, vështirësitë, ndërprerja, rifillimi, puna me kolosin e mikrofonit, gazetarisë, Anton Mazreku, dhe ndarja e papritur e tij nga jeta.

unnamed

Gazetari i njohur sportiv Skifter Këlliçi

Vetë Këlliçi kujton: “E diela sportive” ishte një emision me një audiencë absolute në periudhën ’60-’70. “Janë vite kur mungonte informacioni i shpejtë për përfundimet e ndeshjeve në rrethe, pasi nuk kishte transmetim direkt në radio, me përjashtim të asaj që luhet në Tiranë. Edhe nga fakti se televizori ende nuk ishte masivisht i pranishëm në stadiumet, fushat e futbollit e në familje”, thotë Këlliçi.

Ishte bërë zakon që pas takimit në Tiranë, njerëzit të grumbulloheshin te Posta Qendrore për të mësuar si kishte dalë Partizani, 17 Nëntori, Dinamo apo në pritje të bisedës të një familjari me të tijtë në qytetin ku ishte zhvilluar takimi, që në atë limit 3-minutësh pyeste edhe për rezultatin. Po kështu, edhe në qytetet e tjera, ku gratë e shërbimit postar, centralistet e PTT-ve ndihmonin edhe për informacione sportive. E në mbrëmje, të gjithë pranë radio “Tiranës”, kur do të fillonte “E diela sportive” për të marrë një informacion më të gjerë.

Ora e Sportit logo

Faqe të gazetave “Sporti” të viteve ’50-’60, që informojnë për emisionet sportive radiofonike në radio

Deri kur në stadiumin kombëtar, nga altoparlantë të vendosur në mjedisin e jashtëm do të dëgjohej: “Vini re, vini re, rezultatet e pjesëve të para në rrethe: Në Shkodër, Vllaznia-Partizani…; në Vlorë, Flamurtari-17 Nëntori… etj.” Po kështu edhe në fundlojë, spektatorët prisnin në ankth rezultatet përfundimtare. Për të ardhur në tetor të ’83- shit, kur Ahmet Shqarri do të niste “Nga njëra ndeshje te tjetra”, emisioni legjendar radiofonik sportiv më i ndjekuri në vite.

Nga ajo kohë, pak ka mbetur, asgjë nuk është si atëherë kur futbolli, një ndeshje ndiqej vetëm në radio. Aq më shumë nga “E diela sportive”, që në vite ai emision ishte unik, pa konkurrentë. Nuk ishin vetëm zërat e mrekullueshëm të klasikëve të mikrofonit Mazreku, Bellova, Këlliçi, Shundi, sepse ata nuk ishin vetëm kronistë, por shumë më tepër, profesionistë të vërtetë në atë mision.

Z.Skifter, si ju erdhi ideja?

Që nga viti 1945, kur isha 7 vjeç, më kishte qëlluar të lexoja gazetën “Sporti”, kurse në radio nuk kisha dëgjuar ndonjë emision sportiv. Por, në 1951, mësova se atje transmetohej “Komenti sportiv i javës”. Zakonisht të hënën, pas lajmeve të orës 18:00, por jo rregullisht.

I dërguat një letër radio “Tiranës”, pse?

Atëherë isha 13 vjeç, nxënës i vitit të parë në gjimnazin “Qemal Stafa”, dhe ngaqë “Komentin sportiv” nuk e dëgjova më, shkrova një kërkesë që ia dërgova radio “Tiranës” për të ditur se përse ky emision ishte ndërprerë.

Ish Rdaio Tirana logo

Ish-ndërtesa e radio “Tiranës”, në Rrugën e Kavajës

Ndërtesa e saj ishte te Rruga e Kavajës dhe letrën ia dorëzova një burri që qëndronte te hyrja, i cili më vështroi me njëfarë habie, por më premtoi se do t’ia dorëzonte redaksisë.

Cili ishte reagimi i tyre?

Prita disa të hëna të tjera, por më kot. “Komentin sportiv” në radio “Tirana” nuk e dëgjova më. Hamendësova se ata të redaksisë së informacionit nuk e kishin lexuar letrën ose ai burri nuk ua kishte dhënë.

Si nisi karriera juaj si gazetar?

Që më 1954, tashmë 16-vjeçar, kisha nisur të bashkëpunoja me “Sportin popullor”, “Zërin e rinisë” me disa artikuj për futbollin botëror, bazuar në të dhëna të gazetës “Sovjetskij sport”, që e lexoja vazhdimisht. Në janar të vitit 1958 pas disa provave me Vera Zhejin, legjendën e mikrofonit të radio “Tiranës”, u bëra folës dhe nisa të lexoja në mikrofon emisione të redaksisë së kulturës.

Filloi më pas bashkëpunimi me Mazrekun dhe Bellovën. Si e përjetuat?

Në gusht të vitit 1959, pas përfundimit të studimeve të larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të UT-së, u emërova gazetar i redaksisë së jashtme të radio “Tiranës”.

a Mazreku S Kellici mikrofon logo

Anton Mazreku e Skifter Këlliçi duke transmetuar një ndeshje

Madje në tetor, krahas komentatorit të njohur Ismet Bellova, me miratimin e FSHF-së dhe të vetë Anton Mazrekut që punonte në atë institucion, u bëra edhe radiokronist i ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare të futbollit.

Në nëntor të vitit 1958 nisi “E diela sportive”…

Ka qenë nëntor i atij viti, kur u propozova redaktorëve të redaksisë së informacionit të nisnim një emision sportiv, që do ta quanim “E diela sportive”. E vërteta është se drejtuesit e radios, shefat e redaksisë nuk tregonin shumë interes për sportin. Sidoqoftë, përgjegjësi i saj, ndonëse me njëfarë droje, e miratoi propozimin tim. Kështu, një të diel nëntori, radio “Tirana” nisi të transmetonte emisionin “E diela sportive”.

Ndonëse ende pa i mbushur 21 vjetët, them se kisha përvojë të mjaftueshme. Si sinjal zgjodha “Marshin e fizkulturistëve” të kompozitorit të njohur Preng Jakova. Veproja kështu: Të shtunën regjistroja në studio pjesën e dytë të emisionit që përbëhej nga materiale joaktuale, si sporti në dobi të shëndetit, kuriozitete sportive, sporti nëpër botë, që i lexoja unë së bashku me një nga folëset e radios.

Si e organizonit punën?

Të dielën, fill pas ndeshjeve të kampionatit të futbollit, që zhvilloheshin në Tiranë dhe qytete të tjera, shkoja në radio dhe në lidhje telefonike me rrethet, merrja rezultatet e tyre. Menjëherë pas lajmeve të orës 20:00 futesha në studio dhe lexoja këto informacione. Pastaj rubrika vazhdonte me pjesën e dytë që, siç e përmenda më sipër, përbëhej nga materialet e regjistruara një ditë më parë në një bobinë.

Pati interes, por emisioni ishte jetëshkurtër. Pse?

“E diela sportive” ngjalli interes të madh te dëgjuesit, mirëpo emisioni pati jetë të shkurtër. Arsyeja ishte se rezultatet që merrja nga rrethet nuk ishin gjithnjë të sakta. Ato vinin kryesisht nga rajonet e policisë që punonin 24 orë. Mirëpo, kishte raste që policët jo të informuar mirë jepnin edhe rezultate të kundërta. Fatmirësisht kishte raste që verifikoheshin në sekondat e fundit dhe kësisoj mënjanohej një skandal. Kështu, “E diela sportive” filloi në nëntor të vitit 1958 dhe mbaroi në fillim të 1959- ës.

Si i merrnit informacionet sportive?

Lajmet sportive ndërkombëtare i merrja nga radiot italiane, por kryesisht nga “ATSH”-ja, redaktorët e saj ishin edhe shokë të mi, bashkë me të paharruarin Napoleon Roshi. Ndonëse ata nuk kishin pasion për sportin, përkthenin e redaktorin pa dëshirë lajmet sportive, sidomos për radion. Më kujtohet se në 1964, zhvillohej në Moskë KE i Atletikës.

Skifter 2 logo

Radioja kishte dhënë lajme çdo mbrëmje për këtë veprimtari dhe një orë para “Rubrikës sportive”, nga “ATSH”-ja nuk po vinin lajme për përfundimin e tij. M’u desh të shkoja vetë me vrap nga radio “Tirana” në godinën e “ATSH”-së, ta përktheja me shpejtësi dhe përgjegjësi vetë lajmin nga “TASS”-i, sepse pas pak bobina e “Së dielës sportive” duhet të shkonte në transmetim.

Përmendët edhe një tjetër emision, “Rubrika sportive”…

Po, pas “E diela sportive”, nisi “Rubrika sportive”, një emision që mund të ishte një kopje e “Së dielës sportive”. “Rubrika sportive” filloi në pranverë të vitit 1960, edhe ky emision zgjati jo shumë, deri në vjeshtë të vitit 1961. Z. Skifter, rikthehemi tek e diela, atëherë kur nisi emisioni…

Në shtator të vitit 1961 përgjegjës i redaksisë së informacionit në radio “Tirana” u emërua Adriatik Kanani, i diplomuar për gazetari në Bashkimin Sovjetik. Me nismën e tij, emisioni i lajmeve të orës 20:00 u zgjerua nga 15-20 minuta në 30 dhe u quajt “Revista radiofonike e mbrëmjes”. Në fund të saj përfshiheshin edhe lajme sportive dhe radiokronika sportive, që i përgatisja unë.

A rifilloi sërish “E diela sportive”?

M’u duk e arsyeshme që t’u propozoja drejtuesve të redaksisë së informacionit që të rifillonim “Të dielën sportive”. Por, duke pasur një përvojë të hidhur nga rezultatet e pasakta të ndeshjeve të marra dy vite më parë nga rrethet, u shpjegova që të transmetohej të martave në orën 20:30.

Pra, kur krijohej mundësia që përfundimet të ishim të sakta, të konfirmuara edhe nga FSHF. Gjithashtu, i propozova Mazrekut që ai t’i komentonte në këtë rubrikë rezultatet e ndeshjeve të KK të Futbollit. Por, ishte Kanani ai që më udhëzoi që “E diela sportive” të mos transmetohej në orën 20:30 të së martës, por në orën 21:00 të ditës së diel, siç e kisha filluar unë në nëntor të vitit 1958.

Edhe për Mazrekun ishte një rinisje apo jo?

Për Mazrekun kjo ishte rinisja e një tradite që kishte zënë fill që nga vitet ’40 të shekullit të kaluar, kur ai pas ndeshjeve për kampionatet vendore midis skuadrave të Tiranës, që zhvilloheshin në fushën sportive të Shallvares, vraponte në radio dhe pas lajmeve të mbrëmjes jepte një kronikë sportive.

anton mazrek 1 logo

 

Anton Mazreku duke transmetuar në kabinën e “Qemal Stafës”

Dhe ja, në orën 20:30 u dëgjua sërishmi “Marshi i fizkulturistëve” i Preng Jakovës, duke u rikthyer sërish tek “E diela sportive”, që rifilloi në vjeshtë të vitit 1961.

Si funksiononte emisioni?

Skaleta ishte: Futbolli i pari, rezultatet dhe komentet për ndeshjet e Kategorisë e Parë, pastaj e Dyta vetëm me rezultatet, për të vijuar me lojërat me dorë, çiklizëm, sportet masive etj. Gjithçka në 30 minuta, nga të cilat 20 ishin vetëm për futbollin. Për ta bërë edhe më interesante këtë rubrikë, vendosa që sipas rasteve, çdo të diel paradite të shkoja në Parkun e Lojërave me Dorë në Rrugën e Elbasanit dhe atje të regjistroja në magnetofon kronika nga zhvillimi i ndeshjeve të basketbollit, volejbollit, madje edhe të boksit, që më 1963 u ndalua si “sport borgjez”.

Me magnetofon në krah duke vrapuar në terrenet sportive të Tiranës?

Dhe të mendosh se magnetofonat austriakë “Hornifon” peshonin 14 kg dhe ngaqë radioja kishte vetëm dy makina, jo rrallë e çoja atë në park me biçikletë. Jo vetëm kaq, por meqë pajisjet për të vënë prizat rastiste të ishin larg fushës sportive, në kushte të tilla më duhej të përdorja një tel të gjatë elektrik. Ky problem u zgjidh kur radio “Tirana” u pajis me magnetofona gjermano-perëndimorë “Uher” që peshonin rreth 4 kg dhe punonin me bateri. Kjo ndodhi në verë të vitit 1963.

A ishte e vështirë të intervistonit sportistët?

Të vështira për nga emocionet. Qëllonte të ishin intervistat me trajnerë dhe sportistë në vitet ’60, por ngushëllohesha kur vija re se edhe sportistë të huaj nuk e kishin të lehtë të flisnin në mikrofon. Si në verën e 1961 me gjylehedhësin çekosllovak me famë botërore, Irzhi Skobla, pjesëmarrës në garën ndërkombëtare të atletikës në Tiranë. Foli e qeshi me mua para intervistës, por u druajt kur u përgjigjej pyetjeve të mia në mikrofon.

Ismet 3 logo

Emisioni pësoi ndryshime, nuk ishte më si në start?

“E diela sportive” kishte nivel më të lartë, duke përfshirë radiokronikat e ndeshjeve të basketbollit dhe volejbollit nga pallati i sportit “Partizani”. Ishin disa teknikë që punonin të dielave në mbrëmje, që nga “Uher”-i i hidhnin dhe i përgatitnin për transmetim në magnetofonin e studios. Ndër ta veçoj Xhafer Zavalanin, që njëkohësisht përgatiste edhe transmetimet e ndeshjeve të futbollit nga stadiumet e Tiranës dhe nga qytete të tjera.

PTT-ja, në ndihmë të rezultateve?

Sigurisht që shërbimi telefonik i PTT-së ishte përmirësuar, ndonëse rastiste që ndonjë rezultat të saktësohej në minutën e fundit. Dhe kjo, sepse radio “Tirana” nuk kishte ende korrespondentë. Ata pak ishin edhe “tifozë”, për këtë arsye shpesh burimi i rezultateve qëllonte të vinin ende nga rajonet e policisë.

Ka qenë edhe “Gjimnastika e mëngjesit”. Çfarë ju kujton kjo?

Ishte çdo ditë nga ora 6:45 deri në 7. Ishte bërë e njohur se ndiqej apo shoqëronte shqiptarët para se të niseshin në punë, në shkollë. Rreth dhjetë-pesëmbëdhjetë minuta. Ndërkohë, nga gazeta “Sporti” qytetarët njoftoheshin se në valë të mesme 220.9 apo 275, çdo të hënë ora 19:30 në radio transmetohej “Fizkulturë dhe sport” apo të enjteve po në 19:30 emisioni “Dëgjoni orën e sportit”.

Për kohën, shumë emisione sportive në radio. Cili është ndryshimi nga radioja në televizion?

Po, e vërtetë, aq sa më kujtohen ishin disajavore. Radioja dhe sporti kishin krijuar një harmoni, pasi televizorë nuk kishte, një gazetë sporti e vetme, dhe pa dyshim ishte radioja që i informonte për ngjarjet sportive në Shqipëri dhe çfarë ndodhte në botë. Çfarë ndryshimi ka radioja me televizionin? Një diferencë e madhe nga të parit te të dëgjuarit, kur dëgjon dikë që thotë: “Të kam parë në TV” dhe asaj: “Të kam dëgjuar në radio”.

Dhe Anton Mazreku, një kolos i mikrofonit… Si e kujtoni, pasi për shumë kohë keni qenë pranë tij?

Me frymëzim rinor i ngjiste shkallët e radios e ato të stadiumeve për të bërë komentin e ndeshjeve. Bashkë me të edhe unë me Bellovën. E kujtoj gjithmonë para mikrofonit. Një zë i bukur, që i kumbonte, i rrjedhshëm, gjuhë e pastër letrare. Përshkrime fantastike të situatave të lojës. I jashtëzakonshëm, i papërsëritshëm.

V shundi logo

Ende më kumbon zëri i tij. Për ne ka qenë një shkollë e gazetarisë së shkruar e të folur. Autoritet i madh, një intelektual gjithashtu. Qëndrimi pranë tij dhe me të para mikrofonit, por edhe kur bisedonim ka pasur vlera të mëdha edukuese e profesionale. I matur, modest, korrekt, i rregullt, asnjëherë abuzues apo të nënvleftësonte mikrofonin, çastin, minutat kur fliste. Edhe me njerëzit ishte i kufizuar në komentet që bënte, shumë i ekuilibruar, një model për radiokronikën sportive.

Është ndarë i ri nga jeta, si ndodhi?

Në verën e vitit 1969, kur po kthehej në shtëpi pasi kishte ndjekur një ndeshje futbolli, mjerisht në moshën 61-vjeçare, papritur u nda nga jeta. Pikërisht në atë kohë, me urdhër nga lart, Mazrekun e kishin ndaluar të komentonte ndeshje futbolli nga mikrofoni i radios “Tiranës”, sepse ishte nënkryetar i FSHF-së, zv.kryetar i Komitetit Olimpik, një institucion krejt formal. Përvojën e tij e vazhdoi Ismet Bellova, ndërsa unë në atë kohë kisha qarkulluar me punë arsimtar në Berat dhe pas disa muajsh do të kaloja në Qendrën Eksperimentale të Televizionit.

Skifter, keni filluar në radio. Si do ta vlerësoni marrëdhënien me të?

Radioja prodhon imazhe, sigurisht jo si TV. Të detyron të krijosh, të fantazosh. Radioja ka qenë një pjesë rëndësishme e jetës sime, për mua, kolegët, orë pas ore, ditë pas dite, ndeshje pas ndeshjeje, kronikë pas kronike. Shpesh fantazia e atij në radio është më e madhe se vetë realiteti. Radioja të bën të dëgjosh e të shikosh përtej fantazisë, madje fantazia e atij në radio është më e madhe se vetë realiteti.

Skifter sot logo

Publicisti Skifter Këlliçi duke ndjekur turneun e tenisit në Nju Jork

Shpesh edhe me zemër, emocion dhe në mjaft raste të bën të shohësh shumë më tepër. Përballë ke mikrofonin, je ti dhe vetëm ti, ata pas xhamit në studio, drita e kuqe, jeshile dhe në shtëpi familjarët që të dëgjojnë. Raportet e mia më të? Shumë të afërta, miqësore, kurrë të jem mërzitur me të, me mikrofonin, me “Uher”-in, me orët e zgjatura, intervistat… Si një dashuri e parë ka qenë dhe mbetet për mua.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"