Skënderbeu nis “pazarin” për tre role, ja kërkesat e trajnerit Gvozdenoviç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2023 | 10:57

Skënderbeu nis “pazarin” për tre role, ja kërkesat e trajnerit Gvozdenoviç

Skënderbeu kërkon që ta nis me tjetër “marsh” garën. Synohet ngjitja direkte në elitë, ndaj misioni është i qartë: të kapin vendin e parë ose të dytë. Që të përballojnë rivalitetin me Dinamon e Flamurtarin, duhet të forcojnë me patjetër organikën. Presidenca ka lëvizur direkt në këtë drejtim dhe ka siguruar shërbimet e dy ish-ëve.

SKENDERBEU

Randi Dumfur dhe Agnaldo Moraesh kanë arritur akordin dhe pritet që këto ditë t’i bashkohen grupit në stërvitje. E megjithatë, kërkesat e Ivan Gvozdenoviç nuk janë plotësuar që të gjitha. Për të ndërtuar një ekip kompetiviv dhe sipas stilit të tij, serbi pret të paktën edhe 3 afrime.

Gazeta “Panorama Sport” mëson rolet ku trajneri sheh ende boshllëqe. Konkretisht llogaritë po bëhen për një qendërmbrojtës, një mbrojtës të majtë dhe një mesfushor shkatërrues. Këto janë prioritetet, sidoqoftë në listën e “dëshirave” është përfshirë edhe një sulmues.

Nëse gjejnë të duhurin, ndoshta edhe do ta marrin. Ngërçi qëndron diku tjetër, përtej dëshirës së klubit për të mos u kursyer financiarisht.

Janari nuk ofron shumë opsione dhe qëllimi është që të marrin elementë që të bëjnë diferencën, jo thjesht për numër. Ndaj edhe drejtuesit po tregohen të kujdesshëm në tratativat që po zhvillojnë në këtë merkato. Gjasat janë që brenda kësaj jave në Korçë të zbarkojnë të paktën dy afrime të reja.

Se kush janë emrat mbeten ende një “mister”… Sakaq, bardhekuqtë nuk kanë qenë të plotë këto ditë.

Vërtet e kanë nisur stërvitjen më datë 3 janar, por prej ditësh u mungon kapiteni. Vangjel Zguro ishte në Amerikë me pushime dhe biletën e kthimit e ka pasur më 9 janar, ndaj gjasat janë që sot ai të vendoset nën urdhrat e stafit teknik.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"