Skënderbeu/ Memelli takon Takajn, firma “peng” i… kushteve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2022 | 12:23

Skënderbeu/ Memelli takon Takajn, firma “peng” i… kushteve

Skënderbeu e ka ndarë mendjen për stolin. Ardjan Takaj kërkon që të rikthejë Migen Memellin në Korçë, ndonëse pati edhe emra të tjerë që u lakuan më herët.

Memelli2

Negociatat e vazhdueshme të çojnë në një përfundim të vetëm: që secila palë e dëshiron nisjen e bashkëpunimit. Por, në realitet ka disa pengesa.

Akord nuk ka ende dhe shkak janë kushtet që ka vendosur pogradecari.

Burime të sigurta për “Panorama Sport” zbulojnë se dje ka pasur një takim. Takaj dhe Memelli janë ulur për të biseduar konkretisht për atë që “gatuhej” prej ditësh.

KUSHTET

Nga sa raportohet, tekniku nuk e ka përjashtuar këtë mundësi. Madje, e ka pritur mirë. E megjithatë, ka pasur kërkesat e veta në lidhje me këtë marrëveshje.

Ndërtimi i një ekipi kompetitiv dhe siguria financiare kanë qenë pikat ku 42-vjeçari ka vendosur theksin. Gjithçka ka mbetura e hapur, pavarësisht se ka një akord verbal mes palëve.

Kujtojmë që Memelli ka ardhur në krye të Skënderbeut në një moment të vështirë dhe pasi shpëtoi një sezon të destinuar për mospërmbushje objektivash, u largua në mes të sezonit pasardhës për të lënë vend për ndryshimin në ekip.

Ai ka mbetur në kujtesë si trajneri që shpëtoi një sezon të shkuar dëm deri diku, ndaj edhe për këtë presidenti i Skënderbeut është i vendosur që ta risjellë në krye të pankinës.

Në ndryshim nga ndonjë kandidat tjetër, ai një pjesë të mirë të ekipit e njeh mirë dhe ambientin po ashtu, ndaj do të kërkonte më pak kohë përshtatjeje.

MERKATO

Mes shumë largimeve, Skënderbeu deri në momentin që flasim ka bërë dy afrime në merkato. Korçarët pasi kanë blinduar të gjithë lojtarët që kanë kontrata me klubin, kanë mundur të marrin edhe dy përforcime të tjera.

I pari ka qenë portieri Shkëlzen Ruçi, i cili pas përfundimit të kontratës vendosi të qëndronte sërish në Korçë edhe për një vit. Ndërsa pas tij ka mbërritur edhe Oltion Rapa nga Gjilani, ku luajti për dy sezone. Nëse konfirmohet Migen Memelli në stol, atëherë afrimet e tjera do të përfshihen prej atij vetë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"