Skandali në Shkodër, kampionati i boksit degjeneron në sherr masiv/ Presidenti i federatës njofton dorëheqjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2021 | 17:17

Skandali në Shkodër, kampionati i boksit degjeneron në sherr masiv/ Presidenti i federatës njofton dorëheqjen

Tifozë, trajnerë e boksierë të Tiranës dhe Vllaznisë u përfshinë në një sherr masiv duke bërë që dita finale e kampionatit kombëtar të boksit që u mbajt të shtunën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër të ndërpritej për rreth një orë. Gjithçka nisi pas ndeshjes së peshës 75 kg mes Arjon Kajoshit të Vllaznisë dhe Alban Beqirit të Tiranës, duel që përfundoi me rezultatin 2-1 për Kajoshin.

safe_image-1-1

Ky rezultat u kontestua nga trajnerët dhe tifozët e Tiranës të cilët u afruan te tifozët dhe familjarët e Kajoshit, ku pas përplasjes verbale më pas të gjithë u përfshinë në këtë sherr. Kështu, grushtet u zhvendosën nga ringu në parket, ku fillimisht trajneri i Tiranës Sead Bushati u godit nga tifozët, ndërsa pallati i sportit u shndërrua në arenë për përleshjen masive. Një organizim i eventit nga ana e Federatës Shqiptare të Boksit që linte për të dëshiruar, teksa mungonin rojet e sigurisë.


Me policinë që tashmë nuk qëndron më në ambientet sportive, për minuta me radhë boksierë, trajnerë dhe tifozë u “sqaruan” alla shqiptarçe deri në ndërhyrjen e forcave të rendit, ku më pas u qetësua edhe situata. Tirana vendosi mos ta vazhdojë më kampionatin duke u tërhequr nga gara, kur kishin mbetur edhe katër ndeshje për t’u zhvilluar. Ndërkohë, pas afro një ore ekipet e tjera dhe gjyqtarët u rikthyen përveç ekipit bardheblu. Vllaznia u shpall kampione e Shqipërisë për të 24-tën herë, në një event ku rezultati sportiv kaloi tërësisht në plan të dytë.

Deri para se të ndërpriteshin ndeshjet finale, Vllaznia kishte 6 boksierë kampion, ndërsa Tirana vetëm një ndërkohë për ndeshjet e tjera bardheblutë u tërhoqën duke mos u paraqitur në ring dhe 4 ndeshjet e fundit shkodranët i fituan për mosparaqitje të kundërshtarëve në ring. Në vend të dytë u rendit Flamurtari dhe shkalla e tretë e podiumit u plotësua nga Studenti. Gjithashtu u dhanë edhe çmimet individuale për më të mirët e aktivitetit. Boksieri më i mirë u shpall Krenar Zeneli i Flamurtarit. Vlerësimi si boksieri më teknik shkoi për Shpëtim Bajokun e Vllaznisë, ndërsa çmimin për boksierin më luftarak e mori Mikel Çullhaj i skuadrës së Studentit. Gjyqtari më i mirë i kampionatit u zgjodh Olsi Kraja.

Ndeshjet finale boks

KALIVOPULLI NJOFTON DORËHEQJEN- Dhuna e ndodhur gjatë kampionatit kombëtar ka tronditur edhe kreun e Federatës Shqiptare të Boksit. Florend Kalivopulli, i cili rreth një vit më parë u mandatua për herë të dytë në krye të federatës ka njoftuar dje dorëheqjen e tij, të cilën do t’ia paraqesë Komitetit Ekzekutiv të FSHB-së.

maxresdefault

“Të dashur miq! Duke reflektuar ndaj komunitetit të boksit, i cili më të drejtë është i shqetësuar, kam vendosur që në ditët në vazhdim të thërras KE-në e Federatës Shqiptare të Boksit dhe t’ju kërkoj atyre dorëheqjen time. Shkak për këtë gjë ishin incidentet e ndodhura në qytetin e Shkodrës gjatë zhvillimit të kampionatit kombëtar. Jam munduar që me pasion dhe dashuri pa fund të bëja më të mirën. Boksi nuk duhet të ndalet. Rrugëtimi i tij premton…”, shkruan Kalivopulli në deklaratën e tij. Mbetet për t’u parë nëse dorëheqja e presidentit do të pranohet nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës.

SENAD NIKSHIQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"