“S’jam gati t’i them ‘stop’ futbollit”, Pollozhani i “jep zemër” korçarëve: Mbrojtja u konsolidua, fitojmë ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 19:01

“S’jam gati t’i them ‘stop’ futbollit”, Pollozhani i “jep zemër” korçarëve: Mbrojtja u konsolidua, fitojmë ndaj Teutës

Vitet për Artim Pollozhanin janë thjesht numra, pasi në fushë ka dëshmuar se është një shtyllë e vërtetë për mbrojtjen. Ka hyrë në të 38-at (i mbush në qershor), por nuk është ende gati që t’i thotë “stop” futbollit të luajtur. Këtë e pohon edhe gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”. 

Pollozhani-Shkurtaj

Kjo javë ka qenë e pazakontë edhe për korçarët, e megjithatë strugani evidenton se kjo katastrofë mund të kalohet vetëm duke qenë të bashkuar. Nuk kishte si të mos fliste për garën dhe ndeshjen e radhës, ndërsa hapur e thotë që do të shkojnë drejt Durrësit me synimin e qartë për të marrë trepikëshin dhe pasur vazhdimësi.

Rikthehet kampionati, pas kësaj situate të jashtëzakonshme. Si e keni përjetuar?

Me të vërtetë ka qenë një situatë e jashtëzakonshme. Një tragjedi e cila përfshiu jo vetëm zonat e prekura nga tërmeti, por të gjithë trevat shqipfolëse dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Normalisht që është një gjendje e pazakontë dhe për t’i bërë ballë duhet të jemi të gjithë të bashkuar dhe pranë njëri-tjetrit.

Teuta është kundërshtari juaj i radhës. E vështirë kjo ndeshje?

Pa dyshim që po, të gjitha takimet në këtë sezon janë shfaqur të vështira dhe nuk mund të flasësh më për një ndeshje të lehtë. Plus kësaj vetë situata i jep një ngarkesë më të madhe kësaj ndeshjeje, pasi deri pak momente më parë nuk mund të flisje më për futboll. Ishte e pamundur.

Pellumbi-Gripshi-Pollozhani

Në kushte të tilla, do të ishit i kënaqur edhe me një pikë? 

Në një ndeshje situatat që ndikojnë janë të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se ne do të heqim dorë nga objektivat tanë. Në çdo fushë dhe përballë çdo kundërshtari shkojmë për të marrë maksimumin dhe për të dhënë më të mirën tonë. Do të shohim më pas se çfarë do të mund të marrim nga kjo ndeshje dhe të bëjmë analizën.

Jeni kthyer në shtyllën e mbrojtjes. Sa e vështirë është të koordinosh një repart që përbëhet nga futbollistë të rinj dhe deri diku jashtë roli?

Këtë e kemi prekur edhe më herët, ndryshimet e shumta normalisht që do të sillnin probleme të veçanta në ekip. Por, për fat të mirë, tani jemi konsoliduar në këtë repart dhe po e njohim më mirë lojën e njëri-tjetrit. Ishte reparti që pësoi më shumë ndryshime dhe kjo ndikoi edhe në performancë, por tani duket se jemi përshtatur. Nuk është e vështirë ajo pjesë që thatë ju, pasi të gjithë janë të angazhuar për të dhënë maksimumin e tyre dhe për të bërë më të mirën.

Ekipi deri tani ka pasur shumë oshilacione nga një ndeshje në tjetrën. Pse ndodh kjo? 

Besoj se e gjitha vjen nga ndryshimet që u bënë në fillim të sezonit dhe nga fakti që skuadra e nisi kampionatin pa përgatitjet e nevojshme. Sigurisht që të tilla gjëra ndikojnë në një ekip. Donim kohën e nevojshme që të përshtateshim me mënyrën e lojës që kërkonte trajneri dhe për t’u njohur me ekipin. Plus kësaj edhe mungesat nga dëmtimet na kanë bërë që të ndryshojmë shumë nga njëra ndeshje në tjetrën. Të gjitha këto ndikojnë jo pozitivisht te një skuadër.

artim pollozhani skenderbeu

Mendoni se ky Skënderbe e ka cilësinë e duhur për të qenë brenda vendeve të para të kampionatit? 

Pa dyshim që ka cilësi. E kemi treguar edhe në fushë, madje edhe ndaj ekipeve pretendente se nuk kemi asgjë më pak se të tjerët. Jemi një ekip vërtet i përbërë me element të rinj por që kanë kualitetin e duhur për të mbajtur lart skuadrën. Me pak më shumë përqendrim në çdo ndeshje, mund të bëjmë shumë më mirë.

Kur ka vendosur Pollozhani që t’i thotë “stop” futbollit?

Unë jam një futbollist profesionist dhe normalisht që i njoh limitet e mia. Për momentin nuk mund të jap një përgjigje, pasi nuk e kam menduar se kur do të vijë shkëputja ime nga futbolli i luajtur. Por jam koshient vetëm për diçka. Në momentin kur fiziku nuk do t’u përgjigjet kërkesave të mia, atëherë do të di të them “stop”.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"