Situatë alarmi në Madrid, sa shumë të dëmtuar te skuadra e Zidan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2020 | 16:51

Situatë alarmi në Madrid, sa shumë të dëmtuar te skuadra e Zidan

Dëmtimet e shumta janë problemi më i madh për Realin e Madridit. Kur kanë kaluar më pak sesa 2 muaj kompeticion, në shtëpinë madrilene numërohen 22 dëmtime fizike dhe në total janë 17 futbollistë që janë futur në dyert e infermierisë.

16066623326479

Sikur kjo të mos mjaftonte, shumë prej tyre kanë munguar në muajin Nëntor për shkak të Koronavirusit si Militao, Kasemiro, Hazard dhe Joviç. E gjitha kjo bën që Zinedin Zidan të përjetojë një dramë. “Galaktikët” vazhdojnë të kenë ende shumë probleme dhe vetëm reparti i portës është ai që nuk preket nga ky aspekt.

MBROJTJA – 50 ditë kanë munguar mbrojtësit e krahëve, ndërsa qendra e mbrojtjes koleksionon 98 ditë mungesë. Linja e mbrojtjes është më e penalizuara në këtë sezon dhe e ka bërë me dhimbje koke trajnerin Zinedin Zidan, i cili nuk ka pasur resurset e duhura për t’i mbushur hapësirat. Vetëm Rafael Varan ia ka dalë që të mbijetojë, ndërsa të tjerët si Miltao, Naço dhe Ramos kanë 98 ditë mungesë.

Për momentin mungon kapiteni, i cili nuk është i gatshëm në një moment shumë delikat. Më parë ishin mungesat e Militaos dhe Naços, të cilët nuk ofronin mundësinë për të bërë rrotacion. Një tjetër goditje e rëndë për këtë repart ishte mungesa e mbrojtësve të krahut. Karvahal u dëmtua në fillim të tetorit dhe një ditë më vonë Odriozola. Numri 2 u rikthye pas 45 ditësh, por u dëmtua sërish.

MESFUSHA – Federiko Valverde dhe Martin Odegard ishin dy të rinjtë që mund të fitonin terren në mesfushën e Realit të Madridit për këtë sezon, por ka qenë e pamundur t’i shihnim të dy në fushën e lojës. Odegard ka munguar 22 ditë, ndërsa për momentin mungon Valverde. Të dy bashkë kanë 44 ditë mungesa. Pa harruar që Kasemiro doli pozitiv me Koronavirus dhe Toni Kros gjithashtu duhet të qëndronte jashtë fushave për pak javë.

SULMI – Sulmi është një tjetër repart i goditur shumë nga dëmimet. Kundër Alaveshit, Zinedin Zidan nxori në fushë një sulm krejt të ri, i cili nuk kishte luajtur kurrë bashkë në 14 ndeshjet e këtij sezoni.

Por dëmtimi i Hazardit ishte një tjetër “tërmet”. Eden Hazard ka 70 ditë mungesë, Asensio 28 ditë, Benzema 22 ditë. Në total kanë 120 ditë mungesë dhe Zidan i ka pasur të gatshëm të tre vetëm 7 ditë. Mariano Diaz gjithashtu ka munguar për shumë ditë, ndërsa Benzema dhe Joviç nuk kanë qenë gjithmonë nën urdhrat e trajnerit Zinedin Zidan.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"