Shtëpi gjysmë e bërë, projekti i kompleksit Partizani mbetet “i ngrirë” për çështje burokratike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 17:46

Shtëpi gjysmë e bërë, projekti i kompleksit Partizani mbetet “i ngrirë” për çështje burokratike

Për vite të tëra, Partizani mbeti pa një shtëpi dhe iu desh të vërdallisej nëpër fusha e ambiente me qira për të vijuar të funksionojë dhe të mbajë gjallë emrin e vet në futbollin shqiptar. Por prej më shumë se një viti të kuqtë kanë hyrë në shtëpinë e re, ku më në fund kanë një stadium të tyrin për ndeshje, gjithashtu edhe për stërvitjen e ekipit të parë, skuadrave të akademisë dhe asaj të vajzave.

partizani stadiumi 1

GJYSMA TJETËR – Pavarësisht se kjo pjesë e projektit është përfunduar, ka ngecur gjysma tjetër, që do ta shndërronte shtëpinë e kuqe në një nga komplekset më modernë në vend, por edhe në rajon. Prej muajsh është thënë se do të përurohet hoteli i skuadrës, i vendosur anës stadiumit. Kjo nuk ka ndodhur dhe aktualisht po punohet në fasadën e ndërtesës, që mesa duket ka shfaqur probleme dhe klubi është detyruar të ndërhyjë sërish.

33 (1)

Në brendësi të tij, punimet thuajse janë mbyllur. Sakaq, e kundërta ndodh me dy fushat stërvitore të futbollit, minifushën e tenisit, minifushën e rërës dhe pistën e vrapimit, siç janë pasqyruar në projektin fillestar.

Një ngërç burokratik që nuk zgjidhet prej dy vitesh e lë këtë projekt pezull. Edhe rruga që të çon në stadium është një problem më vete, e mbushur me gropa, që shndërrohen në pellgje uji në rast shiu. Ndryshimi i vetëm nga projekti fillestar është se Partizani në vend të dy fushave të mbuluara të kalçetos, ka pozicionuar tribunën përballë të stadiumit. Fusha sintetike e stadiumit është një tjetër problem në kompleks.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"