“Jemi të denjë për në katërshe”, Gvozdenoviç: E ndalim sërish Partizanin, mos na paragjykoni!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2024 | 12:50

“Jemi të denjë për në katërshe”, Gvozdenoviç: E ndalim sërish Partizanin, mos na paragjykoni!

Skënderbeu është gati për të luajtur ndeshjen e radhës në kampionat kundër Partizanit, që për nga rëndësia vlerësohet shumë në kampin bardhekuq.

gvozdenovic

Skënderbeu është ekipi i vetëm, që nuk regjistron asnjë humbje në këtë sezon kundër kampionëve në fuqi. Korçarët duan ta mbyllim me këtë sukses edhe ndeshjen e së shtunës. Trajneri Ivan Gvozdenoviç para ndeshjes u shpreh se ekipi i tij shkon kudo për të bërë më të mirën e mundshme dhe një gjë të tillë do ta bëjë edhe këtë javë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, kryepankina korçare u ndal te vendi i katërt dhe objektivi sezonal për skuadrën e tij.

Ivan, luani me Partizanin. Sa të vështirë e prisni këtë ndeshje?

Padyshim që është një ndeshje e vështirë. Është një derbi, pasi përballen dy ekipe me një histori të rëndësishme në futbollin shqiptar dhe si i tillë mbetet një takim i paparashikueshëm. Partizani është duke kaluar një formë shumë të mirë për momentin dhe vjen me moralin lart pas fitores në derbin e kryeqytetit. Ne nga ana tjetër vijmë po nga dy fitore radhazi dhe duam të mbajmë këtë ritëm. Për pasojë pritet që të jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar nga të dyja ekipet.

Jeni ekipi i vetëm ndaj të cilit Partizani nuk ka asnjë fitore. Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë se kemi bërë paraqitje të mira përballë tyre dhe kemi merituar atë rezultat që kanë prodhuar të tria ndeshjet. Por statistikat ndonjëherë nuk mund të thonë më shumë se kaq. Është një ndeshje tjetër, që ka tjetër specifikë ndryshe. Prandaj nuk do të nisemi shumë të bazuar te statistikat, por do të shohim se çfarë do të bëjmë në ndeshjen që kemi për të luajtur.

Pra, jeni gati për të tentuar tri pikët në këtë ndeshje?

Ne jemi Skënderbeu, e kam thënë që në fillim të sezonit dhe do ta them derisa të jem këtu. Jemi Skënderbeu dhe na shkon përshtat të hyjmë në çdo ndeshje për të kërkuar maksimumin. Duhet të japim maksimumin në çdo takim dhe më pas të presim se çfarë rezultati do të marrim në fund. Por e rëndësishme është që të mos hyjmë të dorëzuar apo me një tjetër ide në kokën tonë, veçse marrja e rezultatit maksimal.

Lufta për vendin e katërt është e hapur. Besoni deri në fund?

Po, jemi baras me pikë me Dinamon dhe një pikë më shumë se Tirana. Janë këto dy ekipe, që e kërkojnë këtë pozicion së bashku me ne. Nuk ka arsye pse të mos e besojmë. Gjithsesi ne jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës dhe te kjo ndeshje duam që të bëjmë mirë. Janë tri javët e fundit dhe do të mundohemi të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundur, më pas do të shohim se çfarë do të arrijmë.

Ka shumë pak njerëz që besojnë se ju mund të jeni në katërshe…

Nuk më shqetëson aspak. Kishte shumë pak që besonin se Skënderbeu do të ishte në këtë nivel në fillim të sezonit. Na quanin ekip që lufton për mbijetesë. Treguam që ata e kishin gabim dhe se na nënvlerësojnë. Le t’i japim të njëjtin mësim edhe për këtë çështje.

Mos ndoshta ndikon fakti që jeni të dënuar nga UEFA?

Nuk ka logjikë kjo, nuk po flasim për pjesëmarrje në Europë, por për garën e katër ekipeve më të mira të sezonit që të çon në finalet e kampionatit. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë që na ndalon ta tentojmë dhe të jemi pjesë e finaleve. Përsa i përket dënimit, nuk dua të komentoj, pasi është diçka që i përket klubit dhe jo stafit teknik.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"