Shtatë ndeshje pa triumf, Tirana do rinisjen në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2024 | 8:38

Shtatë ndeshje pa triumf, Tirana do rinisjen në derbi

Tirana, me në krye Erbim Fagun, kërkon sot fitoren e parë pas pesë javësh “agjërim”. Në pesë takimet e fundit që solli edhe largimin e Julian Ahmatajt dhe emërimin e Erbim Fagut, skuadra ka marrë vetëm tri barazime, pra tri pikë dhe dy humbje. Në total Tirana ka marrë vetëm 3 nga 15 pikët e mundshme. Po të shtosh edhe dy barazimet në Kupë, Tirana ka shtatë ndeshje që nuk fiton në një 90- minutësh.

tirana

Për këtë qëllim, bardheblutë janë munduar të përqendrohen maksimalisht për derbin me Dinamon. Trajneri Erbim Fagu duhet të bëjë pa Erjon Hoxhallarin. Në këto kushte bardheblutë janë pa një qendërmbrojtës, ndërsa në emergjencë mund të aktivizohet Filip Najdovski i sapokthyer në stërvitje. Veç maqedonasit, skuadra ka vetëm Lulajn, Haxhiun, Përgjonin dhe Micin, që mund të luajnë në qendër. Gjithsesi, bardheblutë shpresojnë shumë te rikthimi i Filip Najdovskit. Përsa i përket formacionit, Najdovski do të jetë titullar së bashku me Lulajn Përgjonin dhe Haxhiun. Në mesfushë Jonuzi, Deliu dhe Lushkja. Në sulm treshja Latifi-Abazaj dhe Nikqi. Ndoshta Patrik do ta nisë nga stoli. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë. Fakt është që Tirana do të ketë mungesën e Hoxhallarit dhe Metës në mbrojtje.

KUNDËRSHTARI – Tirana është në këtë moment që flasim në vendin e pestë me 36 pikë. Gjithsesi, e veçanta është në këtë sezon se skuadra bardheblu etiketohet si ekipi i përmbysjeve. Kështu, nga 27 takime të luajtura, ekipi ka fituar nëntë ndeshje dhe ka barazuar nëntë të tjera. Nga nëntë takime të fituara, në pesë prej tyre Tirana ka triumfuar me përmbysje. Katër janë kundër Dinamos dhe Kukësit me të njëjtin rezultat 3- 2, ndërsa një ndeshje është mbyllur 3-1, pikërisht sfida me Skënderbeun. Tirana i luan më shumë sesa gjysmat e ndeshjeve në shtëpi. Nga 9 takime, bardheblutë luajnë pesë sfida në fushën e vet dhe vetëm katër takime si udhëtues.

KARTONËT – Erjon Hoxhallari, i cili ishte në dyshim deri pak para sfidës me Egnatian, do të humbasë takimin derbi me Dinamon. Lojtari u ndëshkua me të verdhë dhe ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë. Po kështu, Gledi Mici dhe Regi Lushkja rrezikojnë sfidën me Teutën. Dy lojtarët kanë nga tre kartonë të verdhë. Me rrogozhinasit për kartonë mungonte Rimal Haxhiu.

tirana

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"