Shpërfill ngacmimet e rivalëve, Ançeloti i përgjigjet Mesit: Championsin e fitojmë ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 15:29


Shpërfill ngacmimet e rivalëve, Ançeloti i përgjigjet Mesit: Championsin e fitojmë ne

Me dy fitore në dy takimet e para në Ligën e Kampioneve, Reali i Ançelotit do të kërkojë të arrijë fitoren e tretë radhazi në grup që do ta afronte dhe më shumë me objektivin, fitimin e grupit. Trajneri Ançeloti e di fare mirë një gjë të tillë, ndaj i ka bërë apel skuadrës për reflektim pas paraqitjes së dobët në fundjavë në kampionatin spanjoll përballë Osasunës. Ndër të tjera, italiani i është përgjigjur dhe Ksavit e Leo Mesit, të cilët kanë injoruar sukseset e “Los Blancos” në kompeticionin elitë në futbollin europian.

ANCELOTI 1

NDESHJA – “Do të ishte shumë e rëndësishme për ne të fitonim këtë përballje, pasi me nëntë pikë do të jemi thuajse me një këmbë më tej. Kjo përballje duhet të na vlejë edhe si një reflektim pas ndeshjes në La Liga ku nuk u paraqitëm mirë. Duhet të tregojmë tjetër qasje në fushë dhe tjetër identitet në lojë. Shahtjori meriton respektin tonë”.

KRITIKAT PËR BENZEMANË – “Kur Benzema nuk është në nivelin e tij mund të lindin dhe opinione kundër tij. Këto janë fenomene normale në futboll, por që nuk ndikojnë tek ai”.

LIGA VS CHAMPIONS – “Nuk ka dyshim se La Liga është shumë e rëndësishme, por Champions-i është qershia mbi tortë. Janë dy kompeticione shumë të rëndësishme, por të ndryshme mes tyre. Në Ligën e Kampioneve ndikojnë shumë edhe detajet. Por nuk mendoj se Champions-i është çështje fati. Duke i mëshuar fort vetëm fatit, biem në kurthin e fshehjes së problemeve tona, apo heqjes së meritave të kundërshtarit. Në këtë kompeticion mund të të shënojnë 3 gola në pak minuta. E kam provuar vetë mbi kurriz (i referohet finales së vitit 2005 mes Milanit dhe Liverpulit në Stamboll). Këto detaje të vogla kontrollohen vetëm me një mentalitet të fortë dhe Reali ka qenë skuadra më e mirë për ta bërë këtë”.

KSAVI E MESI – “Secili ka opinionin e tij. Për mua të luash futboll është shumë më tepër se të pasosh një top. Nuk mund të kesh sukses nëse bën mirë vetëm një gjë, sidomos në Champions. Ndaj mendoj se Champions-in e fiton gjithnjë më i miri”, ka thënë Ançeloti.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL