Shiu “ngujon” Luftëtarin, kushtet atmosferike pengojnë bluzinjtë. Rroca në dyshim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2017 | 18:25

Shiu “ngujon” Luftëtarin, kushtet atmosferike pengojnë bluzinjtë. Rroca në dyshim

Kushtet e motit, sidomos nga reshjet e shumta, i kanë ndryshuar programin e stërvitjes ekipit të Luftëtarit. Paradite futbollistët janë stërvitur në pallatin e sportit. Pas një seance kushtuar përgatitjes fizike, futbollistët kanë ushtruar veprime të kufizuara me top. Pasdite kushtet atmosferike kanë qenë edhe më të vështira, duke mos u dhënë mundësinë futbollistëve të vepronin me top brenda fushës së stadiumit, për të mos e dëmtuar atë për ditën e ndeshjes.

luftetari stervitje

Për të mos e kaluar ditën me pushim absolut, futbollistët kanë vrapuar përreth pistës dhe disa minuta kanë qarkulluar topin në anësoret e fushës. Parashikohet që dita e mërkurë, kur Luftëtari do të presë në fushën e vet ekipin e Teutës së Durrësit, të jetë përsëri me reshje shiu dhe stafi teknik është duke menduar që stërvitja në tri ditët e ardhshme të zhvillohet në një tjetër fushë dhe jo në atë të terrenit stërvitor në “Fushën e Vjetër”, duke qenë se ajo është me tapet artificial dhe se futbollistët e kanë të nevojshme të ambientohen me kushte të njëjta ku do të zhvillohet ndeshja. Stërvitja e paradites është zhvilluar në grup dhe e drejtuar nga përgatitësi atletik, K. Koltsidas, ndërsa pasdite kanë vepruar të ndarë në dy grupe në dy anësoret e stadiumit.

Disa kanë vrapuar për disa minuta veçmas grupit dhe në veprimet me top janë bashkuar përsëri. Të dyja seancat stërvitore janë zhvilluar nën vëzhgimin e trajnerit Hasan Lika, që më shumë se me futbollistët, ka komunikuar me ndihmësin e tij edhe për faktin se e gjithë dita e djeshme i është kushtuar përgatitjes atletike dhe fizike të futbollistëve. Ka munguar dje në stërvitje futbollisti i Kombëtares shpresa, Kristal Abazaj, i aktivizuar në ndeshjen me Irlandën e Veriut. Por sipas trajnerit Hasan Lika, do të jetë patjetër në formacion ndaj Teutës. I vetmi futbollist që mbetet në diskutim për t’u aktivizuar është mesfushori Eduart Rroca, autori i golit të parë në fitoren ndaj Lushnjës një javë më parë.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"