Shënoi golin e kualifikimit të Brazilit, Kasemiro: Për rrugë të gjatë në Botëror!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2022 | 9:22

Shënoi golin e kualifikimit të Brazilit, Kasemiro: Për rrugë të gjatë në Botëror!

Brazili ka siguruar një vend në 1/8-at e finaleve në kampionatin botëror pasi ka mundur Zvicrën në stadiumin “974” të hënën pasdite. Autori i golit të fitores së Brazilit ka qenë Kasemiro. Mesfushori i “Djajve të Kuq” ka shënuar një gol të mrekullueshëm 7 minuta nga fundi i takimit.

KASEMIRO

Ndërsa ndaj Serbisë ishte shtylla ajo që i mohoi golin, ai ka korrigjuar shënjestër ndaj Zvicrës. Madje goli i tij ka pasur vlera më të rëndësishme për jeshilartët, të cilët kanë siguruar biletën për më tej dhe kanë kaluar me sukses provën e tyre të parë pa Nejmarin në përbërje. Pas fërshëllimës së fundit, Kasemiro foli për shtypin brazilian për vështirësinë në Grupin G.

“Para fillimit të kampionatit botëror e kemi ditur se grupi është mjaft i vështirë.

Mund të them se grupi ynë ishte nga më të vështirët, duke parë përbërjen e tij dhe skuadrat. Serbia bëri të pamundurën për të na e vështirësuar punën, por në fund ia dolëm.

Edhe ndaj Zvicrës e dinim se do të ishte mjaft e vështirë, sepse kanë një skuadër mjaft cilësore. Dhe ndeshja rezultoi e tillë, tepër delikate.

Por ia kemi dalë të fitojmë, duke arritur të përmbushim objektivin fillestar, kualifikimin për më tej. Nuk ishte aspak e lehtë”, ka thënë Kasemiro.

ÇELËSI – Mesfushori i Brazilit ka treguar dhe çelësin e suksesit të ekipit të Tites për të arritur fitoren përballë Zvicrës. “Ne e dinim se do të kishin shanset tona për ta fituar ndeshjen.

Ishte mjaft e rëndësishme të ruanim qetësinë. Zvicra është një skuadër me mjaft përvojë dhe di të ta bëjë jetën të vështirë. Por për fat ne e gjetëm rrugën drejt fitores”, ka thënë mesfushori.

GOLI – Kasemiro ka folur dhe për golin. “E dëshiroja një gol. Iu afrova me Serbinë, por shtylla më ndali. Jam i lumtur që shënova dhe ndihmova skuadrën të fitonte”, ka shtuar ai.

RRUGA E GJATË – Kasemiro më pas ka folur edhe për objektivin e Brazilit, që është vendosja e yllit të gjashtë në fanellë.

“Kemi ardhur në Katar për të bërë rrugë të gjatë. Ndaj është mjaft e rëndësishme t’i marrim ndeshjet me radhë.

E kemi nisur mirë, kemi fituar dy takimet e para dhe jemi kualifikuar për në 1/8-at e finaleve. Tani e presim më të qetë sfidën ndaj Kamerunit, por ky Brazil është më i fortë se ai i 2018-ës”, ka nënvizuar Kasemiro.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"