Shënoi 2 gola ndaj Lushnjës, Latif: Mëkat, Hila më mohoi tripletën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2018 | 16:22

Shënoi 2 gola ndaj Lushnjës, Latif: Mëkat, Hila më mohoi tripletën

Amadu Latif është kthyer në formën e tij më të mirë te bregdetarët dhe në jav- ët e fundit ka arritur të shënojë gola me peshë. Kundër Lushnjës, afrikani e dërgoi dy herë topin në rrjetë, ndërsa e kërkoi me insistim tripletën, por nuk ia doli. Gjithsesi, me dygolëshin kundër verdhejeshilëve ai u ngjit në kuotën e 9 rrjetave si golashënuesi më i mirë i ekipit.

latifi

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari thotë se Teuta e meritonte të qëndronte në Superiore, ndërsa theksoi se në sezonin tjetër klubi duhet të ‘ndryshojë’ marsh.

Teuta siguron mbijetesën pas shumë vuajtjesh dhe për më tepër me goleadë. E kishit pritur kaq të lehtë ndeshjen?

Nuk mund të them se ishte një kundërshtar i lehtë, por ne e bëmë më të thjeshtë, pasi shënuam që në fillim dhe më pas administruam lojën. Ishte një fitore shumë e rëndësishme, pasi rrezikonin shumë. Tani jemi të qetë pas një sezoni të vështirë, ku kemi vuajtur shumë.

Ju vjen keq që nuk shënuat dot tripletë?

Jam shumë i lumtur për dy gola dhe më tepër për fitoren e ekipit. E pranoj se do të ishte e shkëlqyer të kisha shënuar tripletën e parë me Teutën. Në fakt e pata një mundësi, ia kërkova Hilës, por ai më tha: ‘Do ta gjuaj vetë, edhe unë dua të shënoj’. Më erdhi keq që nuk ma la, gjithsesi jam i lumtur për dopietën.

Ku qëndron ndryshimi ndërmjet dy fazave të para dhe të dyta të kampionatit? Çfarë ka ndryshuar?

Në gjysmën e parë të kampionatit ne kishim shumë entuziazëm dhe dëshirë për të arritur gjëra të mëdha, por u thyem shpejt. Nuk ishim grup, kishim probleme dhe këto reflektohen në fushë. Në dy fazat e fundit kemi qenë më të bashkuar dhe të vetëdijshëm se çfarë rrezikonim.

Si u bëtë pjesë e Teutës dhe a jeni i kënaqur me sezonin që keni bërë?

Në fillim nuk e njihja fare Shqipërinë, por pas një bisede me Abe, ai më bindi dhe erdha te Teuta. Është një qytet i bukur, ndërsa në klub më kanë pritur mirë dhe jam i lumtur. Mund të kisha bërë më mirë, por ka qenë e vështirë përshtatja.

Ku e shikoni të ardhmen?

Unë kam edhe një vit kontratë dhe besoj do të jem pjesë e Teutës. Shpresoj që në sezonin e ri të jemi edhe më të fortë për të pretenduar vendet e para në klasifikim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"