Shënoi 10 gola në një ndeshje, Lulaj: E tepruam disi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2017 | 19:25

Shënoi 10 gola në një ndeshje, Lulaj: E tepruam disi

Shënoi 10 gola, por duket se i ka shijuar që të gjitha rrjetat. Flasim për Cyme Lulaj, futbollisten e Kinostudios, që njëherësh është edhe pjesë e ekipit tonë Kombëtar. Në fitoren 27-0 të kryeqytetasve ndaj BilishtiT, ajo ishte një ndër protagonistet kryesore, madje dy herë e gjeti portën direkt nga korneja.

Cyme Lulaj

Në një deklaratë për “Panorama Sport” gjakovarja thotë: “Jam e lumtur që kam shënuar dhjetë gola në një ndeshje, por më duket si diçka e tepruar, edhe pse kanë qenë realisht gola të bukur e të veçantë. Dua t’ia dedikoj prindërve të mi që banojnë në Gjakovë”. Lidhur me aktivitetin e saj në Shqipëri, ajo na rrëfen se është edhe trajnere, por meshkujsh. “Unë kam 7 vite që luaj në Shqipëri duke qenë dhe një lojtare e ekipit kuqezi. Gjatë kësaj kohe kam ndierë emocione të veçanta. Përveçse një futbolliste, tashmë kam dhe licencën e ushtrimit të profesionit si trajnere, ku drejtoj dy ekipe djemsh, konkretisht U-11 dhe U-13. Me ta kam dalë tri herë fituese në disa turne duke siguruar disa kupa”, tha Lulaj.

femra futboll kinostudio the door

Ndërsa pyetjes nëse do ta linte Shqipërinë për Kosovën, ajo pergjigjet se do i gëzohej bashkimit të dy ligave. “Unë këtu ndihem si në shtëpinë time. Shpresoj të vijë dita të bëhemi një që të mos kemi këto zgjedhje, që janë shumë të vështira për çdo lojtare. Kohët e fundit është përfolur për krijimin e një lige të përbashkët futbolli, kjo rrjedhimisht do të sjellë edhe një kombëtare. Pra, kjo do të ishte Kombëtarja e të gjithë Shqiptarisë”, përfundoi kosovarja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"