Sheikët e Njukasëllit me objektiva të qartë në merkato, kërkojnë rikthimin e bujshëm në Premier Ligë të Balotelit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2022 | 11:15

Sheikët e Njukasëllit me objektiva të qartë në merkato, kërkojnë rikthimin e bujshëm në Premier Ligë të Balotelit

Sheikët e Njukasëllit duan të krijojnë një skuadër të madhe duke transferuar lojtarë të kalibrit të lartë në organikën e tyre.

BALOTELI

Sipas asaj që raporton britanikja “Daily Star”, klubi bardhezi kërkon të rikthejë në ishull sulmuesin italian i cili është duke bërë mjaft mirë në Turqi me fanellën e Adana Demirsporit.

“Super Mario” do të ishte një nga objektivat e shumtë të pronësisë së re saudite, e cila dëshiron ta rikthejë klubin në majat e futbollit britanik.

Paraqitja e fundit në Premier Ligë për ish-sulmuesin e Interit dhe Milanit ka qenë me fanellën e Liverpulit shtatë vite më parë në ndeshjen ndaj Hull Sitit më 28 prill 2015.

Rikthimi në një kampionat elitar siç është Premier Liga do të ishte i rëndësishëm për Balotelin, i cili në mendjen e tij shpreson ende që të bindë Roberto Mançinin që ta rikthejë në kombëtaren italiane për Botërorin e këtij viti në Katar.

31-vjeçari me fanellën e Adana Demirspor është aktivizuar në total në këtë sezon në Superligën e Turqisë në 18 ndeshje ku ka realizuar 7 gola dhe duke dhuruar dhe 2 asist.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"