Sfidon Tiranën në Kupë, Besëlidhja teston veten me skuadrën tjetër të Kategorisë Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 12:38

Sfidon Tiranën në Kupë, Besëlidhja teston veten me skuadrën tjetër të Kategorisë Superiore

Besëlidhja duhet të jetë e përgatitur më mirë se rivalët e saj në Grupin A, pasi veç kampionatit ka edhe çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë me Tiranën. Lezhjanët, siç kanë pohuar të gjithë, i intrigon jo pak ky kompeticion, edhe pse përparësi për ta ka kampionati. Pasi kanë eliminuar Partizanin, ata shpresojnë të “hanë” edhe Tiranën, me të cilën do të luajnë ndeshjen e parë pas ndërprerjes.

beselidhja

Trajneri Plori dhe drejtuesit e klubit kanë planifikuar për sot një miqësore me Laçin e Superiores në stadiumin e Lezhës. E konfirmon këtë zëvendëstrajneri Gledis Lani, i cili për “Panorama Sport” shprehet: “Po mbushen 10 ditë nga grumbullimi i skuadrës pas atij pezullimi të aktivitetit për shkak të pandemisë. Rikthimi është një sinjal i mirë për futbollin.

Ky është profesioni ynë dhe pa të nuk ka kuptim jeta jonë. Që ditën e parë futbollistët ishin të impenjuar maksimalisht në stërvitje, ku kemi punuar në anën fizike. Te Besëlidhja nuk ka pasur asnjë problem, lojtarët nuk kishin ndonjë rënie të madhe, pasi ishin munduar të stërviteshin individualisht.

Ne objektiv kryesor kemi kampionatin, pasi kërkojmë ngjitjen në Superligë, por kualifikimi në çerekfinale të Kupës na ka hapur oreksin për më lart. Ndeshemi me Tiranën pretendonte për titullin kampion, por nuk druhemi aspak. Kemi planifikuar për nesër (sot) një miqësore ndaj Laçit, një kundërshtar nga Superliga, sepse do të ishte një test i mirë para ndeshjes me Tiranën në Kupë”.

Preng GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"