Setien si diktator, anulon axhendën e Valverdes dhe iu bën zbor lojtarëve të Barcelonës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 15:33

Setien si diktator, anulon axhendën e Valverdes dhe iu bën zbor lojtarëve të Barcelonës

Është e qartë se Kike Setien ka ardhur te Barcelona i motivuar dhe me dëshirë për të bërë mirë. Që nga koha kur ai ka marrë drejtimin e katalanasve, skuadra nuk ka shijuar ende asnjë ditë pushimi. Ndryshe nga trajneri Valverde, i cili kishte planifikuar një ditë pushimi më 15 janar. 

sETIEN45

Por ajo u anulua nga trajneri aktual. Jo vetëm kaq, por një ditë më parë kishin bërë dy seanca stërvitore, një paradite dhe një pasdite. Pra trajneri i ri ka dyfishuar punën e skuadrës katalanase. Por kulmi arriti në ditën e ndeshjes, kur trajneri organizoi një stërvitje për të punuar me goditjet standarde.

Edhe këtë javë nuk duket të ketë ndonjë ditë “festë”. Është e qartë që kur ka dy ndeshje në javë, duket e vështirë për të gjetur një ditë pushim. Ditën e djeshme ekipi punoi në orën 12. Për shkak të kohës së keqe, u anulua stërvitja e pasdites, ndërsa sot skuadra do të stërvitet në orën 18:00 dhe nesër ka ndeshje në Kupë. Të enjten është planifikuar një tjetër stërvitje në orën 11, ndërsa të premten në 15:30. Të shtunën Barcelona do të luajë kundër Valencias dhe logjikisht të dielën mendohet të jetë pushim, por jo.

Setien

Sërish një stërvitje rikuperuese dhe të hënën ekipi do të nisë punën për të përgatitur ndeshjen e radhës. Vetëm ata që nuk do të grumbullohen për ndeshjen e Kupës së Mbretit mund të kenë një ditë pushim. Setien ka parë gjatë kësaj kohe se skuadra nuk ka pasur kondicionin e duhur fizik, prandaj do të punojë maksimalisht për të gjetur formën.

Mendohet se 61- vjeçari nuk ka ndërmend të bëjë eksperimente në Kupë kundër Ibizës, pavarësisht se mund të lërë pushim Pikenë, Busketsin dhe Suarezin. Pjesa tjetër e skuadrës do të jetë e plotë dhe në fushë do të zbresë një ekip i fortë për të shmangur ndonjë surprizë të mundshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"