Rrëfimi i Bushatit: Gafat që bënim kur vinin ndërkombëtarët. Sporti ndryshoi në një tavolinë ping-pongu me Ramiz Alinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2017 | 18:47

Rrëfimi i Bushatit: Gafat që bënim kur vinin ndërkombëtarët. Sporti ndryshoi në një tavolinë ping-pongu me Ramiz Alinë

Të qenët dhëndër i Hysni Kapos, jo gjithnjë ta bënte punën të lehtë. Sidomos gojët e njerëzve flisnin. Edhe atëherë kur ç’ka kishte arritur të takonte, hidheshin hije dyshimi se ishte fituar për shkak të lidhjeve familjare.

Mehdi Bushati ne nje cermoni perkrah Ramiz Alise

Mehdi Bushati ne nje cermoni perkrah Ramiz Alise

Pasi u largua nga fusha e futbollit dhe nisi punë pranë Ministrisë së Brendshme, Mehdi Bushati në fund të vitit 1979 u emërua kryetar i Komitetit të Sporteve dhe po në këtë vit, Asambleja Zgjedhore e Federatave dhe Klubeve Sportive e votoi edhe si president të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Ndonëse për meritat e tij sportive dhe përgatitjen intelektuale e meritonte atë post, nuk ishin pak ata që shpreheshin nën zë se ky post iu dha për shkak të Hysni Kapos dhe lidhjet që kishte me Ramiz Alinë. Në librin e tij “Një jetë me sportin”, Bushati rrëfen për këtë “peng” të tijin dhe për lidhjen me Ramiz Alinë, të cilin nuk e kishte takuar asnjëherë përpara se të bëhej kryetar Komitetit të Sporteve dhe president i KOKSH-it. Por më vonë do të luante shpesh pingpong me të dhe do të bisedonin për sportin për të cilin Ramiz Alia kishte shumë njohuri. Po ashtu ai tregon për punën në këtë sektor, si u arrit reformimi i tij, si edhe problemet që dilnin rrugës. Një nga to ishte edhe marrëdhënia me institucionet ndërkombëtare.

Shteti komunist kishte ligjet e veta dhe aq strikt ishin në zbatimin e tyre, saqë nuk lejonin që personalitete botërore të sportit të uleshin në tribunën VIP. Po ashtu Bushati dëshmon për një gafë të Manush Myftiut dhe pushtetit të kohës, që e quajtën si fyerje propozimin e presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Huan Antonio Samaranch, që një përfaqësues nga Shqipëria të zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Olimpizmit Botëror. Pushtetarët shqiptarë nuk mund ta pranonin që Shqipëria ishte një vend në zhvillim. Këto dhe të tjera në librin “Një jetë me sportin” të Mehdi Bushatit.

MEHDI BUSHATI

RIKTHIMI NË SPORT PËR TË GJETUR VETEN

Njeriu në jetë, sa më shumë kërkon, aq më shumë gjen zgjidhje. Midis tyre, unë zgjidhja pasionin tim, sportin. Pa dyshim që ishte pjesa më tërheqëse dhe e suksesshme e jetës sime. Nga fundi i vitit 1979 u emërova kryetar i Komitetit të Sporteve, sektor nga i cili nuk u ndava derisa dola në pension. Po në këtë vit, Asambleja Zgjedhore e Federatave dhe Klubeve Sportive më votoi edhe si president të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Për hir të së vërtetës, në krahasim me kolegët e mi paraardhës, ishte hera e parë që në krye të sportit shqiptar drejtuesi vinte nga balta e fushave sportive. Natyrisht që kjo më lehtësoi punën. Por nuk duhet harruar se ajo ishte një periudhë e vështirë, kur sportit i mungonte infrastruktura e domosdoshme, eksperienca e nevojshme e përballjeve ndërkombëtare, përmes veprimtarive zyrtare europiane e më gjerë etj. Mirëpo prezantimi i Shqipërisë me dinjitet në konkurrime të tilla, në garë me shtete të tjera europiane e botërore, kërkonte një reformim total të sportit e sidomos në disa disiplina ku edhe mundësia e përfaqësimit tonë ishte shpresëdhënëse për rezultate pozitive.

NJË “BRENGË” PËR TË VËRTETËN

Ka ndodhur të thuhet se zgjedhja ime në funksionin e kryetarit të sportit ka ardhur edhe si rezultat i lidhjeve familjare apo miqësore të caktuara. Për shkak të mungesës së informacionit apo keqdashja ka mendime që unë erdha në këtë institucioni sepse isha dhëndëri i Hysni Kapos. Në fakt, në kohën kur unë jam emëruar në këtë detyrë, Hysni Kapo ishte ndarë nga jeta. Dhe thëniet se sukseset e sportit janë të lidhura me influencën që ushtronte ai, nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta.

Gjithashtu, ka ndonjë tjetër që mendon se kjo ka ardhur si rrjedhojë e miqësisë me Presidentin Alia. Për hir të së vërtetës, unë nuk e kam takuar Ramiz Alinë asnjëherë, më përpara se të merrja këtë detyrë. Jam kontaktuar personalisht me të vetëm pasi jam caktuar Kryetar i Sporteve. Më vonë, gjatë kohës që luanim pingpong, më ka shpjeguar se më njihte më shumë nga futbolli, kur luaja me ekipin kombëtar dhe Dinamon, si dhe nga mediat sportive.

Ndërsa kur u interesua për kandidaturën time në sport, kishte mësuar nga ndihmësit e tij se kisha mbaruar dy fakultete në Universitetin e Tiranës. Secili ka të drejtën e mendimit të lirë, si për shumë çështje edhe për këtë, por ata që më njohin më nga afër e dinë mirë se unë kam ardhur nga një rrugëtim i gjatë sportiv. Për të arritur deri këtu, kam kaluar nëpër hallka të ndryshme të piramidës sportive, nga më të ulëta, deri te më e larta.

Natyrisht kjo ka ardhur edhe si pasojë e formimit tim profesional dhe arsimimit universitar, të cilët janë dy parametrat kryesorë që më dhanë mundësinë të bëhem drejtues i sportit shqiptar. Edhe pas largimit tim nga kjo detyrë, nuk jam ndarë asnjëherë nga sporti deri në daljen në pension. Madje edhe në moshën e tretë vazhdoj të jem aktiv në sport. Ndoshta do të ishte më e mirë që për këtë rast të pyetën personalitete që vijnë nga kjo fushë dhe i kanë larë me djersën e rinisë dhe punës së tyre mjediset sportive.

Ata si bashkudhëtarë të mi, bashkë edhe me shumë të tjerë, kanë kontribuar ndjeshëm në ecurinë e sportit dhe përparimin e tij. Kurse për të tjerët, ata keqdashësit, që nuk e njohin këtë rrugëtim të vështirë sportiv apo mësojnë për të përmes ndonjë shkrimi të pavërtetë dhe aspak të besueshëm, unë thjesht ndiej keqardhje. Por mendoj se, edhe ata duhet të mësojnë si është e vërteta.

“PINGPONGU” DHE REFORMIMI I SPORTIT

Ping-pongu më pëlqente si sport. Kisha vite që e ushtroja rregullisht. Në rrethin tim shoqëror njihesha si një lojtar shumë i mirë i tij. Ky sport më afroi edhe me Presidentin Ramiz Alia. Faktikisht, ai preferonte më shumë tenisin, por për shkak të një borsiti të fortë që kishte në krah, doktorët nuk e lejonin të luante dhe ushtronte këtë sport. Pak kohë pas emërimit tim si kryetar i Komitetit të Sporteve, në një takim të organizuar për ecurinë e sportit shqiptar dhe rrugët e rritjes së tij në nivele bashkëkohore, Alia ndërmjet të tjerave më tha se për probleme të tilla do të kemi mundësi për të diskutuar më gjerësisht në të ardhmen.

Në fund të bisedës më erdhi e papritur kur më shprehu dëshirën e tij për të luajtur së bashku ping-pong, dy herë në javë, pasi ishte në dijeni që luaja mirë. Natyrisht që përgjigjja ime ishte pozitive, duke shpresuar e besuar se kjo mundësi takimesh me Presidentin Alia mund të shfrytëzohej në të mirë të sportit dhe të përparimit të tij. Në fakt, Presidenti Alia ishte një njohës shumë i mirë i sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti.

Ai ndiqte nga afër veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, përmes televizionit dhe shtypit, ndërsa në ndeshje të rëndësishme, ishte edhe vetë i pranishëm në stadium. Gjatë kohës që luanim pingpong, në bisedat që zhvillonim me tematikë sportive, bindesha gjithnjë e më shumë se ai e njihte futbollin gati si një profesionist. Nuk më shqitet nga memoria kur në një rast m’u drejtua direkt me një pyetje të tillë: Çfarë defekti i konstaton filan futbollistit, i cili luan qendërsulmues te Dinamo (nuk po e përmend emrin për çështje etike)?

Ndërsa po mendoja për një përgjigje dhe nuk po gjeja një defekt të dukshëm te lojtari në fjalë, Alia m’u përgjigj vetëm me fjalët: “futbollisti vuan nga mungesa e një lëvizjeje të lirë të pjesës së mesit të trupit, pikërisht te beli, i cili për një sulmues është i rëndësishëm, pasi kjo zonë e ndihmon lojtarin në manovrimin me topin, përdorimin e finteve, driblimin etj. Por kjo është detyra e stafit teknik, prandaj të mos futemi në detaje të tjera se janë punë e trajnerëve”.

Me këto fjalë e mbylli bisedën e tij rreth këtij konstatimi Presidenti Alia. Një pyetje të tillë ia drejtova më vonë trajnerit përkatës, i cili nuk kishte arritur ta konstatonte këtë të metë të lojtarit të tij dhe vetëm kur ia shpjegova, ai mbeti dakord dhe shtoi se sugjerimi ishte i drejtë dhe do të fillonte menjëherë punën individuale të specializuar me të, në mënyrë që t’i gjallëronte zonën e mesit, kryesisht të belit të futbollistit.

MIQËSITË ME PERSONALITETET E LARTA SPORTIVE NDËRKOMBËTARE

Duke u nisur nga aspekti kronologjik, i pari që ka ardhur në Tiranë në periudhën e viteve ’80-’90, ka qenë Karl Sekanina, zëvendës kancelar i Austrisë e njëkohësisht president i Federatës së Futbollit të këtij vendi. Ai erdhi në Shqipëri në kuadër të një vizite miqësore sportive me rastin e eliminatoreve të Botërorit, pasi ekipet tona kombëtare ishin në të njëjtin grup. Nisur nga statusi i tij si personalitet shtetëror dhe sportiv, përmes protokollit të shtetit kërkova që ai të vendosej në tribunën VIP.

E habitshme por e vërtetë, përgjigja e protokollit të shtetit shqiptar ishte negative. Si pasojë, Sekanina dhe bashkëshortja e tij, bashkë me mua dhe bashkëshorten time (meqë e kërkonte etika protokollare), e pamë ndeshjen Shqipëri-Austri në tribunën A, në mes të tifozëve. Për më tepër, në atë kohë, tribunat nuk ishin të pajisura as me stola të vegjël apo karrige ndenjëse, njerëzit thjesht uleshin në çimento. Duke bërë një “përjashtim”, presidentit Sekanina i vendosën një dërrasë mbi çimento, në të cilën ai u ul dhe shikoi lojën.

Në ndeshjen e kthimit me Austrinë, unë isha i ftuar i Sekaninës dhe ai me shumë finesë e diplomaci më la të kuptonte se ajo që kishte ndodhur në Tiranë nuk ishte mënyra e përshtatshme për të trajtuar personalitetet. Në Vjenë na vendosën siç e kërkon protokolli, në tribunën VIP, së bashku me autoritetet austriake. Më 13 prill 1983 erdhi për një vizitë miqësore në Shqipëri presidenti i FIFA-s, Zhoao Havelanzh.

Ai në këtë udhëtim shoqërohej edhe nga Kryetari i Bashkisë së Rio De Zhaneiros, një mik i tij i ngushtë. Gjatë qëndrimit në Tiranë u zhvilluan bisedime për marrëdhëniet midis FIFA-s dhe FSHF-së, si dhe u kërkua mirëkuptimi i tij që organizmat sportive ndërkombëtare të evitonin ndeshjet direkte me ekipet sovjetike. Njëkohësisht iu bë e qartë se midis dy vendeve tona, marrëdhëniet shtetërore ishin plotësisht të ngrira, etj.

Gjatë qëndrimit njëditor në Shqipëri më bëri përshtypje se ai më shumë fliste për biznesin e tij, sesa për futbollin. Shpjegonte si kishte arritur të bëhej një prej biznesmenëve më të fuqishëm në Rio De Zhaneiro etj. Duket se këtë formim dhe mentalitet ia kishte përcjellë edhe mikut e pasardhësit të tij, Sep Blater, i cili ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i FIFA-s për më shumë se 10 vite, në kohën kur ajo drejtohej nga Havelanzh.

Pas tij, siç dihet, Blater u bë presidenti i FIFA-s dhe së bashku me Platininë dhe bashkëpunëtorë të tjerë të ngushtë, në vitin 2016 u përjashtuan nga gjykatat sportive për korrupsion. Atyre iu hoq e drejta e kandidimit për drejtimin në UEFA dhe FIFA, duke i lënë një njollë të zezë këtij sporti që vështirë se do t’i largohet në të ardhmen.

Më 8 qershor 1983, mbërriti për vizitë në Shqipëri, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Huan Antonio Samaranch. Ai kishte bërë me dijë disa muaj më parë axhendën e tij dyditore në Tiranë. Mes të tjerave, kishim rënë dakord që ai do të ndiqte edhe një manifestim fizkulturor e sportiv të rinisë së kryeqytetit. Mirëpo kjo prezencë e tij në këtë mjedis e bënte të pamundur qëndrimin e tij në tribunën VIP të stadiumit “Qemal Stafa”, pasi atje do të akomodohej vetëm udhëheqja e lartë e Partisë dhe Shtetit tonë.

Mehdi Bushati dhe Huan Antonio Samaranc

Mehdi Bushati dhe Huan Antonio Samaranc

Në fakt, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Samaranch, në të gjitha vizitat e tij në vende shumë më të zhvilluara e të rëndësishme se i yni, pritej e nderohej nga mbretër, presidentë e kryeministra shtetesh, kurse në rastin tonë, protokolli shtetëror përgjigjej se nuk mund të qëndronte në tribunë së bashku me udhëheqjen tonë. Për hir të së vërtetës, edhe unë si Kryetar Sporti, në gjithë karrierën time sportive nuk jam ulur asnjëherë dhe në asnjë rast në tribunën VIP të stadiumit “Qemal Stafa”.

Atëherë na lindi mendimi për vendosjen e tij në një ambient tjetër sa më të përshtatshëm, në kushtet që mund të ofronte stadiumi “Qemal Stafa”. Në bashkëpunim edhe me një grup specialistësh, inxhinierësh ndërtimi dhe arkitektësh, u arrit në përfundimin se në hapësirat që ishin mbi tribunën qendrore të stadiumit, mund të ndërtoheshin disa kabina, të cilat më vonë do të shërbenin edhe për transmetimet sportive televizive e radiofonike, për gazetarët sportivë etj.

U ndërtuan gjithsej 16 kabina dhe në një prej tyre do të qëndronte Samaranch. Ajo u projektua dhe u ndërtua si më “luksoze” nga të tjerat, duke menduar se mund të shfaqej nevoja e saj për përdorim në të ardhmen edhe për raste analoge. Në këtë mënyrë u kapërcye edhe ngërçi që kishte krijuar protokolli i shtetit shqiptar ndaj këtij personaliteti.

“GAFA” TJETËR ME NDËRKOMBËTARËT

Në vijim të qëndrimit dyditor, numri një i olimpizmit botëror do të pritej në një takim nga zëvendëskryeministri i parë i Këshillit të Ministrave, Manush Myftiu. Samaranch më kishte bërë me dije se në takim me udhëheqësit e lartë të shtetit shqiptar, do të bënte një propozim surprizë, të cilin do ta zbulonte vetëm para shtetarit të lartë që do ta priste në takim.

Gjatë bisedës me Manush Myftiun, ai i bëri të ditur se në emër të institucionit që drejtonte, kërkonte që një përfaqësues nga Shqipëria të zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Olimpizmit Botëror, post ky që ëndërrohej nga shumë vende të botës. Për këtë arsye ai kërkonte një mendim edhe nga përfaqësuesit e shtetit shqiptar. Samaranch duke kërkuar të ishte sa më bindës në argumentin e propozimit të tij, theksoi se Shqipëria e meritonte të kishte një vend midis drejtuesve më të lartë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, pra, ishte një shembull për lëvizjen sportive të vendeve të vogla e në zhvillim.

Manush Myftiu e priti ftohtë dhe pa entuziazëm këtë propozim dhe nuk i dha asnjë përgjigje për këtë çështje. Kjo i bëri shumë përshtypje presidentit Samaranch, i cili sapo dolëm nga takimi, m’u drejtua duke më thënë “pse zëvendëskryeministri juaj nuk reagoi pozitivisht ndaj një propozimi kaq interesant”?! Mua mu desh t’i shpjegoja se politika e shtetit tonë nuk pranonte ta rendiste Shqipërinë në nivelin e vendeve të botës së tretë apo si vend në zhvillim, ndaj edhe argumenti i dhënë, ishte i padëshiruar prej drejtuesit e udhëheqjes shqiptare.

Manush Myftiu

Manush Myftiu

Edhe sot e kësaj dite, më kujtohet kjo “gafë” e bërë nga drejtuesi i shtetit tonë, si një shans që mund t’i vinte një herë në jetë sportit shqiptar, për t’u radhitur në elitën më të lartë të sportit botëror. Më datë 12 qershor 1985, me ftesë të presidentit Samaranch, një delegacion i Komitetit Olimpik Shqiptar, shkoi për një vizitë zyrtare dyditore në Lozanë të Zvicrës. Ky ishte një gjest i lidhjeve dhe bashkëpunimit miqësor në rritje me organizimin më të lartë të sportit botëror.

Në takimet e zhvilluara në Lozanë, Samaranch foli për forcimin e marrëdhënieve institucionale, si dhe rritjen cilësore të lëvizjes olimpike shqiptare, duke e marrë si shembull për vendet e rajonit e më gjerë. Ai, në takimet e zhvilluara me ne në Zvicër shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, si anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, zvicerani Raimond Gafner, drejtori i Solidaritetit Olimpik Botëror, Anselmo Lopez, etj. Delegacioni ynë u prit edhe nga presidenti i Komitetit Olimpik Zviceran, Daniel Platner dhe presidenti i Federatës Botërore të Volejbollit, Ruben Hermandez, etj. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"