Rizvani e “kyç” portën e Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2012 | 14:01

Rizvani e “kyç” portën e Teutës

Porta e Teutës në ndeshjen e parë të kampionatit mbeti e paprekur, ndërsa nga “gardiani” Bledian Rizvani vjen premtimi se edhe në javën e dytë rrjeta do të qëndrojë e tillë. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Rizvani ka pohuar se skuadra e tij do të hipotekojë fitoren e dytë radhazi në takimin që do të luajë në fundjavë ndaj Luftëtarit. “E di që nuk do ta kemi të lehtë të fitojmë në Gjirokastër, por nëse do të vijojmë të jemi të bashkuar dhe një skuadër kompakte, siç jemi paraqitur deri më tani, nuk ka asgjë të pamundur. Në Peqin treguam se kemi një skuadër relativisht të mirë dhe do të përpiqemi të jemi në të njëjtin nivel që ishim ndaj Shkumbinit. Luftëtari është një skuadër e paparashikueshme, e cila ndryshon nga ndeshja në ndeshje. Duhet të kemi shumë kujdes ndaj tyre, pasi nuk është e lehtë të dalësh me rezultat pozitiv nga stadiumi i tyre. Gjithsesi, ne kemi treguar se nuk na tremb asnjë kundërshtar, sidomos kur jemi në një ditë të mirë, mund të fitojmë edhe në transfertën më të vështirë”. Më tej, Rizvani ka komplimentuar mbrojtjen, e cila, sipas tij, është në të njëjtin nivel me atë të vitit të shkuar, pavarësisht largimeve. “Jam i kënaqur nga paraqitja që bëri defensiva në ndeshjen që luajtëm në Peqin. Shpresoj që djemtë të jenë në të njëjtin nivel dhe në ndeshjen e radhës në Gjirokastër dhe, nëse do të jetë kështu, u garantoj se do të vazhdojmë ta ruajmë të paprekur portën tonë”.
Da Silva – Ndërkaq, nga stafi mjekësor vijnë lajme të mira sa i përket rikuperimit të brazilianit Da Silva. Ky i fundit mendohet të jetë gati për ndeshjen e radhës ndaj Luftëtarit që do të luhet të dielën në stadiumin “Gjirokastra”.
Leonidha Musaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"