“Rinovimi? I kam mbajtur shënim ata që nuk më uruan”, Pioli: Pa llogari, ky është “gjahu” më i madh deri tani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2022 | 10:57

“Rinovimi? I kam mbajtur shënim ata që nuk më uruan”, Pioli: Pa llogari, ky është “gjahu” më i madh deri tani

Kontrata deri në vitin 2025 tregon qartë besimin e klubit ndaj tij, por Stefano Pioli në këto orë mendon më shumë për sfidën e sotme në orën 21:00 kundër Salcburgut. Kuqezinjve do t’u mjaftonte një pikë, por kjo është një llogari që trajneri e refuzon siç edhe e theksoi në konferencë për shtyp.

PIOLI

Sa dëshirë keni për të reaguar pas humbjes me Torinon?

Një paraqitje pozitive e kombinuar me rezultat do të kishte rëndësi për arritjen e objektivit tonë të parë sezonal. Kjo është një mundësi që e kemi krijuar me mund dhe nuk do të lejojmë humbjen me Torinon të na shpërqendrojë. E sigurt është që në fushë do të futemi për të luajtur në maksimum e pa u munduar të arrijmë barazimin.

Milani juaj është ngritur gjithmonë pas një humbjeje…

Jemi një skuadër e fortë e më shumë vlera. E dimë se çfarë vështirësish na presin, por jemi të motivuar. Aq më tepër që do të luajmë përpara tifozërisë sonë. Mendoj se i kemi kartat e duhura për të arritur objektivin.

Çfarë ju thanë lojtarët pas rinovimit të kontratës?

Merita u takon të gjithëve dhe klubi po më jep shumë besim. Jam shumë i lumtur për rinovimin dhe i falënderova djemtë sepse pa ta do të ishte e pamundur. Sidoqoftë, i kam mbajtur shënim të gjithë ata që nuk më kanë uruar.(qesh)

Si është shija e një rinovimi që vjen pas një humbjeje aq të rëndë?

Ishte ky fakt që më çuditi më shumë. Afatet janë më të gjata, por akordi u arrit shpejt, ndërkohë që krejt e kundërta pati ndodhur në rinovimin e vitit të kaluar.

Cilit aspekt i druheni më së shumti për takimin me Salcburgun?

Ne duhet të bëjmë performancën më të mirë të mundshme. Ata kanë cilësi shumë specifike, por ne duhet të luajmë me karakteristikat tona. Do të duhet shumë vendosmëri dhe qartësi në zgjedhje.

A mund të bëjë kjo skuadër pa Leaon dhe si është gjendja e tij?

Leao është mirë si të tjerët. Ai është një lojtar i madh. Do të jetë në gjendje të mirë dhe si gjithë të tjerët do të japë maksimumin për të arritur objektivin tonë. Nuk m’u desh t’i shpjegoja gjë për zëvendësimin. Në stërvitjet e fundit më është dukur mirë. E kemi analizuar humbjen e Torinos. Nëse kundërshtarët mendojnë të shohin të njëjtën skuadër si të dielën do të zhgënjehen.

Cili është qëllimi juaj si trajner?

Jo vetëm imi, por i të gjithëve, është ngritja sa më lart e Milanit duke ndjekur objektiva madhorë. Nuk do të resht së falënderuari djemtë dhe drejtuesit sepse në këtë klub ndihem vërtetë i vlerësuar e në punën tonë ky aspekt është thelbësor.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"