Renato Arapi drejt Turqisë, Atanda nuk e pranon stolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2016 | 9:31

Renato Arapi drejt Turqisë, Atanda nuk e pranon stolin

Mbrojtja e Partizanit ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë verës, por me sa duket procesi i ndryshimit nuk ka marrë fund. Renato Arapi iu bashkua të kuqve në fillim të përgatitjeve për në Europë, por prej disa ditësh ish-mbrojtësi i Skënderbeut ndodhet në Turqi, ku po bisedon me drejtuesit e klubit Boluspor, që militon në ligën e dytë të Turqisë.

sormani arapi

Arapi nuk po përgatitet me ekipin dhe për “Panorama Sport” pohoi bisedimet. “Është e vërtetë që jam në Turqi për të shqyrtuar një aventurë të re. Oferta është e mirë, por sot pres që të vendos për të ardhmen, pasi kam disa dilema të vogla për vendin. Partizani nuk do të më nxjerrë asnjë problem në këtë transferim, kështu që jam i lirë për të vendosur jashtë Shqipërisë. Nesër (sot) do të marr një vendim për ofertën e klubit turk”, u shpreh për “Panorama Sport” mbrojtësi i të kuqve, Renato Arapi.

Atanda

Nga titullar i padiskutuar nën drejtimin e Andrea Agostinelit, në lojtar alternativë për trajnerin Adolfo Sormani. Ky është transformimi i Sodiq Atandës te Partizani, pas ndryshimit të stafit teknik. Mbrojtësi ka qenë dje në zyrat e klubit për të diskutuar me drejtorin Tomori. Për “Panorama Sport”, nigeriani e pranoi se nuk është në planet e trajnerit Sormani, por kjo nuk do të thotë që ai do të rrijë në stol.

partizani

Pastaj, nigerianit pakënaqësinë ia ka shtuar edhe trajtimi në stërvitje, ku ai aneksohet duke u përgatitur me lojtarë të rinj dhe së fundmi është shtuar agresiviteti i kritikave nga shokët. “Jam në zyrat e klubit, për të folur me drejtuesit, për të sqaruar të ardhmen time te Partizani. Çdokush e shikon që unë nuk jam në planet e trajnerit të ri. Kur ndërrohen stafet teknike këto gjëra janë normale, pasi çdo teknik ka pikëpamjet e tija për ndërtimin e skuadrës.

Duke ditur aftësitë e mija dhe atë që kamë dhënë për Partizanin në sezonin e fundit, duke qenë një nga lojtarët më të mirë, nuk mund ta pranoj këtë trajtim. Nuk mund të rrijë në stol, pasi e di se sa vlej në ekip apo të aktivizohem në pozicione jashtë profilit tim. Unë e di që nuk jam në planet e trajnerit dhe në këtë rast nuk ka asgjë të keqe. Me trajnerin nuk kam pse të flas. Ai e ka thënë fjalën e tij. Kam ardhur në klub për të folur me drejtuesit, pasi nëse nuk më kanë në plane, është mirë që të më lënë të lirë, stolin nuk e meritoj”, u shpreh Atanda.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"