Reagon Ujkani: De Biazi? Fjalët e tij i marr si sulme personale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2016 | 23:22

Reagon Ujkani: De Biazi? Fjalët e tij i marr si sulme personale

Samir Ujkani heq dorashkat dhe flet hapur për Shqipërinë dhe Kosovën në një intervistë të dhënë për mediat franceze. Portieri ka shpjeguar se si është larguar nga Shqipëria drejt Kosovës dhe për këtë pikë, nuk ka kursyer edhe thumbimet ndaj trajnerit Xhani De Biazi, i cili kishte qenë shumë pak i kuptueshëm në momentin kur Ujkani kishte zgjedhur t’i jepte lamtumirën Shqipërisë.

ujkani

“Si mund të mos e kuptosh kur dikush i lindur në një vend dhe ka përjetuar luftën, zgjedh menjëherë ngjyrat e këtij vendi sapo i jepen mundësitë? Një trajner mund të bëhet pengesë në këtë çështje. Megjithatë, presidenti i Federatës bëri gjithçka që ishte e mundur që të realizohej dhe e falënderoj. Mendoj se De Biazi ishte i frikësuar sidomos se mos të tjerët do të ndiqnin hapat e mi”, ishin fjalët e Ujkanit.

I pyetur nëse një gjë e tillë kishte ndodhur në të vërtete, Ujkani minimizoi gjithçka. “Jo, unë isha i vetmi. Pak më vonë, edhe dy të tjerë bënë të njëjtën rrugë, por ata nuk kishin luajtur ndeshje zyrtare me Shqipërinë, thjesht kishin disa grumbullime. Unë i kam marrë zakonisht komentet e tij si sulme personale”, vijoi portieri i cili duket se nuk ka peng faktin se zgjedhja e tij e la jashtë Europianit.

ujkani

“Unë humba Europianin dhe respektin e shumë njerëzve në Shqipëri por sot jam një njeri i lumtur. Askush nuk mund të ma marrë këtë”, theksoi Ujkani i cili zbuloi se ia kishte premtuar babait të tij që në momentin e parë se do t’i bashkohej Kosovës sapo ajo të krijohej si kombëtare.

Në intervistën e tij, Ujkani ka thënë gjithashtu se mirëkupton zgjedhjen e emrave si Behrami, Shaqiri e Xhaka. Ndërkaq, ai pranoi se ekipi përballej me sfida shumë të veçanta.

“Në skuadër ka lojtarë të cilët nuk e flasin mirë gjuhën tonë. Para ndeshjes dëgjojmë këngë popullore me fjalë që flasin për familjen, bashkimin dhe vuajtjen. Të gjithë kanë humbur të paktën një pjesëtar familjeje në këtë luftë, nuk mund ta harrojmë kurrë”, tha ai, duke zbuluar më pas se objektivi që lojtarët kosovarë i kishin vënë vetes ishin të ngjitnin përfaqësuesen mes 100 më të mirave në Botë brenda vitit të ardhshëm.

Kosova para Kroacise

Në fund, edhe një pyetje për një duel të mundshëm Serbi-Kosovë. “Të flasim pas 20 viteve për këtë, se përndryshe do të duhej të luhej pa tifozë”, janë fjalët kuptimplota të Ujkanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"