Prishi kontratën me Luftëtarin, flet futbollisti: Këtu m’u largua dëshira për të luajtuar, kam oferta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2020 | 11:47

Prishi kontratën me Luftëtarin, flet futbollisti: Këtu m’u largua dëshira për të luajtuar, kam oferta

Nisin largimet nga Luftëtari pa u mbyllur ende sezoni 2019-2020. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se gjatë mesditës së djeshme, klubi ka zgjidhur kontratën me një prej titullarëve, Jurgen Dushkaj. Ky i fundit ka luajtur më tepër si mbrojtës i majtë gjatë kampionatit, por bëhet fjalë për një futbollist që bën disa pozicione edhe në mesfushë e gjithashtu mund të përshtatet në sulm.
Dushkaj
Gazeta ka siguruar dokumentin që tregon se palët kanë zgjidhur kontratën me marrëveshje. Dushkaj kishte firmosur për dy vite me Luftëtarin, por nga ky moment është lojtar i lirë dhe pa asnjë pretendim për rrogat nga klubi gjirokastrit. 24-vjeçari ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit bluzi për ndarjen përfundimtare me Luftëtarin për arsye personale.

24-VJEÇARI – Është vetë mesfushori lezhjan i cili konfirmon për “Panorama Sport” shkëputjen e marrëdhënieve me Luftëtarin. “E mbylla me Luftëtarin me mirëkuptimin e drejtuesve të klubit, pasi kam disa oferta nga jashtë dhe mendova për karrierën time. Falënderoj klubin për çdo gjë dhe për mundësinë që më dha të luaj në Superiore. Kam disa kërkesa nga Superliga sllovene, Superliga qipriote dhe nga Seria C italiane”, u shpreh fillimisht Dushkaj. Mesfushori Dushkaj i ka luajtur rregullisht të gjitha ndeshjet me fanellën e Luftëtarit, në të dy krahët e mbrojtjes apo edhe në qendër, pavarësisht se pozicioni i tij natyral është 10-shi apo edhe mesfushori i majtë.

“DIVORCI” – “U bëra pjesë e Luftëtarit një javë para fillimit të kampionatit të shkuar më 20 gusht 2018 dhe qëndrova pothuajse një vit këtu. Dhashë gjithçka, por në 3 ndeshjet e fundit më iku dëshira për futboll duke shikuar se çfarë bëhet në klub. Ramë dakord që ta mbyllim këtu, edhe pse kontrata më përfundon në 30 qershor të vitit tjetër”, deklaroi shkurtimisht Dushkaj për gazetën. Voluntari i Rumanisë ishte eksperienca e fundit për 24-vjecarin Dushkaj dhe tashmë lojtarit do t’i duhet të provojë një tjetër aventurë jashtë Shqipërisë.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"