Presidenti i Kukësit: Trajnerin Duro e konfirmoj po fitoi kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2016 | 9:33

Presidenti i Kukësit: Trajnerin Duro e konfirmoj po fitoi kupën

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, kërkon nga skuadra me çdo kusht fitimin e Kupës së Shqipërisë. I ftuar dy ditë më parë në emisionin “Fair-Play” në televizionin “News 24”, të drejtuar nga Enkeleida Zeko, Gjici i bëri apel stafit teknik dhe lojtarëve që të mobilizohen për të mposhtur Laçin.

gjici-duatrotket-653x420“Kjo finale është si qershia mbi tortë për ne. Është hera e tretë që i shkojmë deri në finale dhe të dielën duhet të fitojmë trofeun. Uroj të mos arrijmë atje ku ka vepruar zoti Sinan Idrizi me Flamurtarin. Nuk e kam vendimin drastik në mendje, por ekipi realisht duhet të fitojë me patjetër kupën.

Trajnerin Duro do ta konfirmoj në pankinë nëse fiton trofeun. Unë dua vetëm të fitoj dhe ai vazhdon në krye të stolit të Kukësit nëse mposht Laçin.

Kukësi e meriton një trofe dhe skuadrës i kam thënë të marrë shembull nga të rinjtë e klubit, të cilët e sollën një kupë. Problemi ynë madhor ky është tashmë, sepse është hera e dytë që përballemi me Laçin. Së pari, e duam ta fitojmë këtë trofe për të hyrë në histori dhe së dyti sepse kemi përballë një ekip si Laçi.

Lojtarët dhe stafi duhet t’i thërrasin mendjes dhe të mobilizohen. Nuk është ky një presion, pasi Europën e kemi siguruar, por ama na duhet kupa, e cila na mungon”, është shprehur fillimisht presidenti i Kukësit. Fakti që do të gjykohet nga një treshe italiane, e bën Gjicin të besojë më shumë te trofeu.

“Nga ana e gjykimit jemi më të qetë, pasi me sa jemi në dijeni do të jenë arbitra italianë. Kjo është shumë e rëndësishme, por jemi të ndërgjegjshëm se gabimet janë të pashmangshme. Urojmë që italianët të mos na bëjnë gafa. Ndoshta arbitrat shqiptarë mund të ndikonin, kështu që jemi të qetë”, bëri të ditur presidenti Gjici.

Sigurimi i Europës – Presidenti i Kukësit nuk e priste humbjen e Partizanit ndaj Teutës, e cila mund të kishte vendosur në rrezik pjesëmarrjen në Europë të skuadrës verilindore, gjithnjë nëse kjo e fundit nuk merrte tri pikë kundër Tiranës. “Secili klub shikon interesin e vet.

Ne ishim të përqendruar 300% te ndeshja ndaj Tiranës, pasi kundërshtari luante pa presion dhe pa objektiva. Ishte ndeshja e vështirë edhe prej mungesave. Në pjesën e parë lojtarët ishin të ngarkuar psikologjikisht, ndërsa kur shënoi Partizani, prapë nuk më interesonte, sepse ne duhet të bënim detyrën tonë, të fitonim, pa marrë parasysh rezultatet e rivalëve. Të them të drejtën unë nuk e prisja humbjen e Partizanit, por që edhe ndodh përderisa ata u mundën edhe nga Bylisi”, deklaroi kreu i klubit verilindor.

Dueli i titullit – Në fund Gjici komentoi edhe duelin e titullit mes Skënderbeut dhe Partizanit, që u mbyll me suksesin e korçarëve. “Skënderbeu ka një eksperiencë në fitimin e kampionateve.

Unë mendoj se ka shkuar haka tek i zoti, në kuptimin që i ka bërë hyzmetin deri në fund dhe ia arriti qëllimit. Me sa e njoh unë kampionatin, ndoshta Skënderbeu e nënvlerësoi Partizanin dhe titulli shkoi deri në fund. Partizani ishte superior me korçarët në ndeshjet direkte, duke treguar forcë. Mirëpo, atëherë kur Skënderbeu duhet të fitojë, e bën”, përfundoi Gjici.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"