Plori i sinqertë: “Topi”, në fushën time dhe të ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2019 | 17:46

Plori i sinqertë: “Topi”, në fushën time dhe të ekipit

Besëlidhja po stërvitet me intensitet në këtë periudhë, me dy seanca në ditë, sipas programit të trajnerit Elvis Plori. Stërvitja është përqendruar te përgatitja fizike e futbollistëve, sigurisht e alternuar me përgatitjen tekniko-taktike.

Plori

Shpesh stafi teknik organizon edhe ndeshje kontrolli brenda grupit, kurse të shtunën është planifikuar një ndeshje miqësore me Vllazninë në stadiumin e Lezhës. Do të jetë ndeshja e parë për trajnerin Plori në krye të Besëlidhjes dhe ai do të shohë se si kanë shkuar punët gjatë këtyre dy javëve.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri shkodran thekson: “Pas dy javësh stërvitje, jam shumë i kënaqur me ecurinë e skuadrës, që i është përshtatur shumë mirë programit stërvitor. Kjo është shumë e rëndësishme për një skuadër që ka pretendime për ngjitjen në Superiore. Të gjithë futbollistët, pa përjashtim, jo vetëm që po e përballojnë normalisht ngarkesën e lartë stërvitore, por mua më shumë po më kënaq dëshira e madhe dhe optimizmi me të cilin po stërviten.

Diçka shumë pozitive për një trajner. Për të shtunën kemi planifikuar një ndeshje miqësore me Vllazninë, ku do të testojmë skuadrën ndaj një kundërshtari të Superiores. Të gjithë futbollistët e grumbulluar do të luajnë dhe ne do të kemi një opinion sa më të plotë për performancën e secilit prej tyre. Edhe për javën e ardhshme kemi planifikuar dy miqësore me skuadra të forta dhe pas këtyre ndeshjeve do të përcaktojmë edhe vijueshmërinë e merkatos verore: A duhet të ndërhyjmë në ndonjë pozicion që mund të çalojmë apo mjafton ky grupi që kemi? Java e ardhshme do të jetë vendimtare për fatin e futbollistëve që janë grumbulluar, si të atyre që kanë qenë pjesë e Besëlidhjes, edhe e atyre që kanë ardhur në merkato, që për mua i kanë kaluar pritshmëritë për të cilat i kemi thirrur.

Do të vendosim edhe për ata futbollistë që janë vetofruar. Kushtet për të vijuar rrugën drejt Superiores na janë plotësuar, ndaj tani topi është në fushën tonë, si stafit teknik dhe të futbollistëve, të cilët janë edhe aktorët kryesorë, që besoj se do të na nderojnë sezonin e ri”.

Preng GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"