Plori: Besoj te ky Kastriot, na duhet edhe fati për fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2018 | 13:14

Plori: Besoj te ky Kastriot, na duhet edhe fati për fitoren

Trajneri i Kastriotit, Elvis Plori, në një intervistë për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes së sotme me Laçin, shprehet se në këtë kampionat nuk ka kundërshtarë të dobët apo të fortë. Si ekipet e kreut, po ashtu edhe ata të fundit, kanë zhvilluar lojëra të mira dhe janë prezantuar si të barabartë në fushën e lojës. Sipas trajnerit shkodran, përballja e sotme për Kastriotin është mjaft e rëndësishme, dhe me çdo kusht do të kërkohen tri pikët.

plori1

Pas dy transfertave radhazi, riktheheni të luani në shtëpi një përballje shumë të rëndësishme. A është gati skuadra për këtë takim?

Mendoj se jemi gati, pas seancës së fundit nga ana tekniko-taktike, skuadra duket e qartë për veprimet që do të tregojnë në fushë, ndërsa nga ana psikologjike jemi pak të rënduar pas këtyre rezultateve, por shpresoj ta kalojmë.

Vini pas tri humbjesh radhazi, a besoni se do ta “thyeni” tersin?

Është ndeshja e 5-të dhe e dyta brenda, shpresojmë të marrim maksimumin, sepse kampionati bëhet shumë i vështirë në qoftë se ne lëmë pikë në fushën tonë. Unë besoj te ky ekip dhe do t’ia dalim.

ka

Prisni Laçin, a e keni studiuar kundërshtarin?

Laçi ka ekip të mirë dhe e ka treguar më së miri këto javë. Ka lojtarë të rinj që i ka gërshetuar me të tjerët me përvojë. Ne do mundohemi të jemi rigoroz në detyra, sidomos në lojën pa topin, në zotërim dhe thjeshtësi në mbrojtje.

Pas ndeshjes me Kamzën, keni deklaruar se do ndryshoni diçka. Çfarë keni ndryshuar realisht?

Duhej të ndryshonim diçka normalisht se po pësonim gol në 15 minutat e para dhe realisht kam bërë ndërhyrje. Gjithsesi, ia kam vënë në dukje sportistëve se kur mbron, mbron e gjithë skuadra dhe kur sulmon, sulmon e gjitha. Që të kenë më tepër përgjegjësi dhe mos të lejojmë që nga gabimi i vogël të vijë i madhi pastaj.

Sa shanse ka të thyeni Laçin, duke qenë se deri më tani kurbinasit nuk kanë asnjë humbje?

Jemi në një kampionat ku dëshira dhe përqendrimi kanë shumë rëndësi. Them se ka pak diferenca mes skuadrave, është dhe fati pak brenda. Uroj që të kemi përqendrimin e duhur dhe me pak fat mund ta arrijmë fitoren.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"