Plani i Bilias: Champions e rinovim, në kampionat “hakmerrem” për Botërorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2018 | 21:40

Plani i Bilias: Champions e rinovim, në kampionat “hakmerrem” për Botërorin

Pas turmës që një ditë më parë priti Gonzalo Higuainin, këtë herë “Casa Milan” hapi dyert për një tjetër argjentinas kuqezi. Bëhet fjalë për Lukas Bilian, i cili pas debutimit zhgënjyes sezonal kundër Napolit, tregoi ndaj Romës arsyet që e bënë verën e kaluar regjisor të kuqezinjve.

AC Milan v AS Roma - Serie A

“Këtë vit ndihem akoma më shumë pjesë e grupit dhe, pas Botërorit për t’u harruar, dua të tregoj se kush jam me Milanin. Trajneri Gatuzo më ka mbështetur gjithmonë dhe tani dua ta falënderoj atë dhe klubin duke dhënë më të mirën në çdo seancë stërvitore”, tha Bilia.

GJENDJA

Paraqitjet e tij në shumicën e rasteve janë gjykuar negativisht në aspektin fizik. Pas frakturës së dy vertebrave që ndikoi në paraqitjet e tij me Argjentinën në Rusi, mesfushori është gati të drejtojë kabinën e regjisë kuqezi, teksa për televizionin e klubit tha: “Trajneri dhe stafi më kanë qëndruar pranë në dy muajt e fundit të sezonit të kaluar. Bëra të pamundurën për Argjentinën deri sa vendosa t’i jap lamtumirën.

Bilja 2018

Që pas Botërorit kam punuar me një specialist të fushës për të rregulluar problemet në shpinë, në mënyrë që të punoj dhe të jap maksimumin. Kam luajtur në dy ndeshje, përveç 60 minutave kundër Realit, por shpresoj që shumë shpejt do të jem në kushtet ideale”.

KAMPIONATI

Me Serinë A që duket si pre e Juventusit, Bilia dha versionin e tij për sa u përket vendeve të tjera në renditjen e kampionatit italian, duke shpjeguar se: “Duhet të shohim vetëm nga vetja dhe pas çdo ndeshjeje të synojmë më shumë. Objektivi kryesor është një klasifikim që të na garantojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, por nuk do të mjaftohemi me kaq nëse do të na jepet mundësia, sepse përveç Juves, edhe ekipet e tjera kanë punuar mirë në merkato”.

bilja

E ARDHMJA

Nën kontratë deri në qershor të 2020, 32-vjeçari nuk e sheh të ardhmen me një fanellë tjetër, përveçse asaj të “Djallit”. “Te Milani ndihem mirë dhe me shokët jam lidhur shumë. Me trajnerin kam një raport fantastik dhe përpiqem të ndjek me përpikëri udhëzimet e tij. Do të doja të rinovoja kontratën për të zgjatur qëndrimin tim në këtë klub”, përfundoi Lukas Bilia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"