PIKANTET/ Ëmbëlsira dhe fishekzjarrë për kokën e Tiranës, Shkodra ndizet pas fitores. Ja çfarë nuk u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2020 | 17:26

PIKANTET/ Ëmbëlsira dhe fishekzjarrë për kokën e Tiranës, Shkodra ndizet pas fitores. Ja çfarë nuk u pa në TV

Vllaznia ka fituar ndeshjen e tretë radhazi këtë kampionat dhe kaq ka mjaftuar që jo vetëm skuadra në dhomat e zhveshjes, por edhe tifozët në rrugët e qytetit ta bëjnë festë. “Panorama Sport” sjell momentet pikante si dhe ëmbëlsirat si qerasje speciale për skuadrën.

Vllaznia-Tirana

* Kryebashkiakja Voltana Ademi ka lënë ditën e shtunë tërë angazhimet e saj në krye të bashkisë për të qëndruar afër ekipit të Vllaznisë. Pasi ka sheshuar gjithë problematikën në klub, ajo ka zgjedhur që të shtunën të jetë pranë kuqebluve, teksa mësohet se ka qëndruar për afro 5-6 orë në stadium së bashku me drejtuesit e tjerë. Duket se ajo ka rezultuar fatsjellëse për ekipin. Ademi ka festuar te golat, në hollin e stadiumit dhe në dhomat e zhveshjes, duke qenë së bashku me administratorin Naku dhe donatorin Xhaferi në përgëzimin e çdo lojtari.

* Para ndeshjes FSHF lajmëroi se i pranishëm në Shkodër do të ishte presidenti Armand Duka, por nuk shkoi…

* Masa të rrepta nga vëzhguesi i takimit për rregullat “anti-COVID”. Vetëm tribuna VIP ka pasur prani të plotë, ndërsa në tribunat e tjera vetëm pjesëtarë të stafit të stadiumit dhe të të dyja skuadrave.

* Shumë tifozë jashtë stadiumit “Loro Boriçi” kanë shprehur interesimin për të qenë të pranishëm në këtë sfidë. Interesim i lartë dhe mbështetje gjatë gjithë ndeshjes për kuqeblutë.

* Në të 5-ën minutë, fiket tabela elektronike për 2 minuta.

* Fishekzjarrë dhe mbështetje nga ana e tifozërisë shkodrane edhe në tarracat e pallateve ngjitur me stadiumin.

Vllaznia tifozet

* Në të 16-ën minutë, gjyqtari Enea Jorgji irriton stolin shkodran dhe ata pak të pranishëm me një vendim në dëm të Vllaznisë duke u ndërprerë kuqebluve një aksion të pastër.

* Acarim i panevojshëm i Adilit në minutën e 61-të, që sjell një përplasje mes lojtarëve të të dyja skuadrave.

* Në të 67-ën minutë, janë futur pa asnjë lajmërim të gjyqtarit të takimit, anëtarët e stafit mjekësor të Tiranës për t’i ardhur në ndihmë Giamfit. Dëmtimi i rëndë bëri që edhe ambulanca të futej menjëherë në fushë për t’i ardhur në ndihmë lojtarit të dëmtuar. Episod që solli ndërprerjen e ndeshjes për rreth 4 minuta. Lojtari është dërguar në spital dhe më pas është sjellë sërish në stadium për t’iu bashkuar ekipit dhe për të rrugëtuar me ta drejt kryeqytetit.

Demtimi-i-Gamfi

* 7 minuta lojë është akorduar shtesë në pjesën e dytë, që përfundoi me golin e fitores për Vllazninë.

* Entuziazëm i papërshkruar në dhomat e zhveshjes të ekipit të Vllaznisë. Sapo stafi drejtues ka hyrë në dhomat e zhveshjes, lojtarët kanë thirrur ’10, 10, 10′ duke premtuar fitimin e titullit të 10-të.

* Një qerasje e veçantë ka mbërritur nga një grup tifozësh, të cilët kanë sjellë zupa si ëmbëlsirë për të qerasur lojtarët e stafin teknik.

Tifozet e Vllaznise

* Festë në rrugët e Shkodrës menjëherë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit Jorgji. Tifozë të shumtë kanë rrethuar stadiumin dhe më pas me makinat e tyre kanë shëtitur nëpër rrugët e Shkodrës duke u rënë borive e duke shpalosur flamurin kuqeblu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"